“Monstra”, në Opel Omega ka pasur 4-5 persona, por MPB ka gjetur gjurmë biologjike vetëm nga Alil Demiri

4-5 persona janë vozitur me veturën “Opel Omega”, por prej 4 profileve të ADN-së nga gjurmët biologjike, vetëm njëri është përshtatur me njërin nga të akuzuarit, konkretisht me të akuzuarin Alil Demiri. Tre profilet e tjera s’kanë mundur të identifikohen për shkak të koncentrimit të dobët të qelizave apo tretjes së tyre – tregon ekspertiza e gjurmëve biologjike për rastin “Monstra” e kryer nga MPB, njofton Portalb.mk.

Ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët i kanë bërë analizat e gjurmëve biologjike, sot në Gjykatën Penale të Shkupit i kanë elaboruar mënyrat dhe gjetjet e tyre nga gjurmët e marra nga vetura “Opel Omega”, e cila sipas akuzës është gjetur në afërsi të Liqenit të Smillkovës dhe me të njëjtën kanë lëvizur të akuzuarit pas vrasjes së pesëfishtë më 12 prill të vitit 2012-të.

Pavlina Daneva-Stefanovska, inxhiniere e biologjisë, shpjegoi se ajo nga vendi i ngjarjes i ka marrë gjurmët biologjike, të cilat më pas të njëjtat janë dërguar në laborator për analiza të mëtutjeshme.

“I kam marrë gjurmët biologjike nga vetura “Opel Omega”, pasi që e kanë sjellur në MPB më 13 prill të vitit 2012, gjegjësisht në një garazh. Vetura ishte me dyer të mbyllura, pa çelës, pra mund të hapeshin dyert. Pas kontrollit nuk ka pasur gjurmë të dukshme (gjak, apo të ngjashme, andaj kemi marrë gjurmë nga disa pjesë të veturës. Gjurmët biologjike janë marrë nga ulëset e veturës, nga mbështetëset e kokës së ulëseve, dorëzat e dyerve, timoni, ndërruesi i shpejtësive, çelësi nga brava për të ndezur makinën, por edhe nga kapaku i rezervoarit të ujit. Në ulëset e pasme të veturës është gjendur një çantë e kuqe me shenjë të “Malboros”, edhe prej saj kemi marrë gjurmë biologjike. Në pjesën e përparme kemi gjetur dy qime, por të njëjtat kanë qenë prej kafshëve”, tha Daneva-Stefanovska.

Siç tha ajo, pas pas kryerjes së analizave të ADN-së janë fituar katër ADN profile, prej të cilëve 3 kanë qenë prej personave meshkuj dhe 1 ka qenë i përzier (mashkull dhe femër) që nënkupton që në veturë ka pasur mundësi të jenë 5 persona.

“Të gjitha gjetjet janë futur në bazën e MPB-së për të krahasohen dhe prej të njëjtës doli që një person i akuzuar i përshtatet plotësisht njërit profil të ADN-së”, tha ekspertja.

Pala mbrojtëse e pyeti nëse gjatë mbledhjes të të dhënave kanë gjetur ndonjë monedhë dhe nëse të njëjtat i kanë analizuar, ajo tha se nuk kanë parë dhe nuk kanë analizuar diçka të tillë.

E pyetur nëse ka pasur licencë kur i ka bërë këto analiza, ajo tha se as ajo, por as të tjerët nuk kanë pasur licencë në atë kohë, pasi që të njëjtat  kanë marrë në vitin 2015.

Pas shpjegimit të saj, eksperti tjetër, Robert Janevski, doktor shkence i gjenetikës, i cili i ka bërë analizat laboratorike pasi që ia ka sjellë kolegia nga terreni dhe tha se njëri nga profilet e ADN-së ka qenë i Alil Demirit, ndërkaq 3 profilet e tjera nuk kanë qenë të ngjashme me profilet e ADN-së së të akuzuarve tjerë, transmeton Portalb.mk.

Siç tha ai, profilin e ADN-së të Demirit e kanë pasur më lehtë ta gjejnë, pasi që paraprakisht Demiri ka qenë i regjistruar në regjistrin e personave të dyshuar në MPB dhe nga një rast paraprak ia kanë marrë gjurmët biologjike dhe tani vetëm kanë bërë krahasim dhe e njëjta ka rezultuar të jetë e njëjtë, ndërkaq profilet tjera nuk është mundur të konstatohet për shkak të koncentrimit të ulët të qelizave, gjegjësisht që siç tha ai për shkak të “prekjes apo fërkimit të dobët me objektin”.

I pyetur nëse mund të manipulohet me rezultatet nga analizat e ADN-së, ai tha se për atë bëhen kontrolle dhe ekzistojnë proces verbale, ndërkaq vërtetësia është e saktë dhe nuk mund të bëhen gabime.

“Vlerësoj se gjatë analizave laboratorike nuk mund të manipulohet profili i ADN-së ose të bëhet gabim, pasi që ka proces verbal. Metodat dhe aparaturat janë në MPB janë me standarde botërore dhe vazhdimisht përditësohet”, tha Janevski.

Pala mbrojtëse dyshon në montimin e gjurmëve biologjike

Pas mbarimit të seancës, familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari, deklaroi se është e mundur që të jetë marrë gjurmë biologjike nga ndonjë automjet tjetër që ata kanë bërë ekspetizë dhe më pas të kenë thënë se gjurmët janë marrë prej te Opel Omega.

“Si është e mundur që në një veturë të thuhet se kanë qenë tre apo më tepër persona të cilët janë të akuzuar dhe nuk është gjetur ADN-ja e të tjerëve, por vetëm e Alil Demiri. Kjo do të thotë se si i përmende termet eksperti multiplikim ose shumëzim dhe degradim. Pra është e qartë se ka mundësi që nëpërmjet shumëzimit në atë vend ku e kanë gjetur ADN-në e Alil Demirit dhe e kanë pasur për barazim, pra atë ADN e kanë pasur të plotë nga një rast tjetër. Pra 5 vetura janë marrë nga këto të akuzuarit dhe në ato pesë vetura te secila ka mundur të jetë ADN-ja apo gjurma nga djersa apo qelizat epiteliale.  Pra ka qenë e mundur që të jenë edhe në veturat tjera dhe thjeshtë të mund të thuhet këtu. Paramendo e cila një qelizë nuk shihet me atë shihet me mikroskop të rezolutës së lartë ta identifikojë, dhe nëse ka pasur djersë, prekje apo fërkim me mjetin që është gjetur ADN-ja, duhet të ketë më shumë – pse është fshehur kaq vite vetura, pse e përdor fjalën ai degradim – apo koncentrim shumë i vogël i materialit. Pra, a është e mundur vetëm një qelizë të jetë pas fërkimi, ku në një milimetër kub mund të gjesh një milion qeliza”, thotë Ajdari.

Seanca e radhës vazhdon më 12 dhe 19 nëntor.

LEXO: “Monstra”: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit (FOTO)

Ndryshe, paraprakisht, prokurorët, trupi gjykues, por edhe të akuzuarit dhe opinioni kanë marrë pjesë në ekspertizën publike që i është bërë veturës “Opel Omega” që sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë lëvizur me të njëjtën pas vrasjes. Tekniku i MPB-së,  pasi e hapi veturën, vërtetoi se është po ajo e njëjta që është gjetur dy ditë pasi ka ndodhur vrasja. Vetura është lejuar që të shihet pasi që lënda është në rigjykim. Në gjykimin e parë, palëve nuk u është lejuar që ta shohin veturën, por i kanë parë vetëm fotografitë.

Në seancat paraprake, ka dëshmuar dëshmitari i koduar “E1” dhe 3 dëshmitarë tjerë. Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë dëshminë e dëshmitarit “E1” duke thënë se ai gënjen.

LEXO: “Monstra”, natën e vrasjes dëshmitari “E1” ka qenë në Liqenin e Smillkovës (VIDEO)
LEXO: “Monstra”: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit (FOTO)
LEXO: Monstra, familjari i të vrarëve: E kam fotografinë e një agjentit që i është gjetur telefoni në veturën “Opel”
LEXO: Monstra: vrasësi është vozitur me veturën Opel, avokati thekson: dëshmitë me mangësi
LEXO: “Opel”-i është vërejtur edhe më herët afër vendit të vrasjeve
LEXO: Monstra: Ekspertët kanë gabuar gjatë ekspertizës
LEXO: ‘Monstra’- Dëshmitari: Vetura e gjetur i takon policisë
LEXO: Detaje nga dëshmitë në “Monstra”: natën e kobshme, 3 peshkatarë u panë me një person me pushkë automatike
LEXO: Rasti “Monstra”, dëshmitari Bekir zbuloi atë që s’e thanë dëshmitarët Memedov dhe Nesim

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button