Greqi, zjarr i madh në një zonë turistike

Repartet e zjarrfikësve në zonën e Halkidhikisë në Greqi vazhdojnë përpjekjet e tyre për të vënë në kontroll një zjarr të madh që ka përfshirë pjesën jugore të gadishullit të Sithonisë, pranë Sartit, në një prej zonave turistike të vendit, transmeton Top Channel. 

Zjarri ka shpërthyer prej mëngjesit të së enjtes dhe si pasoja e erërave të fuqishme ka djegur dhjetëra hektarë me pisha duke rrezikuar edhe shtëpitë e banorëve.

Megjithëse në zonë operon një forcë prej 80 zjarrfikësish me 37 automjete së bashku me shumë zjarrfikës vullnetarë dhe katër avionë “kanader” me dy helikopterë, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll dhe autoritetet kanë evakuuar zonën e bregut Ahlada pranë fshatit Sarti dhe disa zona përreth për arsye sigurie.

Ndërkaq, banorët të shqetësuar ndodhen prej mëngjesit jashtë shtëpive, ndërsa re tymi të dendura kanë mbuluar gjithë zonën.

Vlerësohet se fronti i flakëve shtrihet në një vijë prej 3 km, ndërsa si shkak për shpërthimin e zjarrit thuhet se ka qenë rënia e një peme mbi kabllot e shtyllave elektrike .

Gjithashtu, autoritetet kanë vënë në gatishmëri edhe varka të shumta në bregdet që të evakuojnë gjithë popullsinë në rast se flakët rrethojnë fshatin.

Vetëm tre muaj më parë nga zjarret vrastare në Mati të Athinës humbën jetën gati 100 vetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button