Molla e kuqe

rregullova me shije gërshetin
vendosa dhe atë fjongon jeshile
që ai e lakmonte,
mezi zgjodha dilemën e fustanit
më të shkurtër, jo?
do bëhej xheloz në shikimet e languajve të rrugës
më të gjatë?
po atëherë si do t’më prekte gjurin me ato duar që më përvëlojnë
derisa endemi,
endemi dhe përpëlitemi në pluhurin e qytetit pa kërthizë
nuk e kafshova as qepën e vendosur në pjatë me dashuri mamaje
do më ndjente aromën e unë do të plasja!
u parfumova
fare pak që mos t’a ngulfat sepse ai nuk do duronte shijen artificiale
ajrosa veten nga demonët
buzëkuqin e kurseva,
do më puthte ai, i shtrenjti im!
në çantë vendosa mollën e kuqe
do ta jepja.
do ta shkulja dhe zemrën për atë po ta kërkonte..

e përkëdhelja macen
i fola për atë
për ne,
për dashurinë…
më marrtë e keqja nëse e dua më pak se sa e meriton!
mbylla derën dhe prita..

E ai?

Ai s’më thirri..
kurrë më!

Lajme të ngjashme

Back to top button