Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet ligjore për lojërat e fatit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për një shtesë dhe ndryshim në ligjin për lojërat e fatit në Shqipëri, pas një seance diskutimesh mes deputetëve të maxhorancës, raporton Anadolu Agency (AA).

Me votimin në Kuvendin e Shqipërisë të këtij projektligji i hapet rrugë mbylljes së lojërave të fatit dhe basteve sportive pas 31 dhjetorit 2018. Qëllimi i ndryshimeve ligjore, miratuar me 75 vota pro, është ndërprerja e ushtrimit të aktivitetit të basteve sportive dhe të basteve për garat në pistë, deri në fund të këtij viti.

Në fjalën e tij në seancën e sotme plenare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për efektet sociale të lojërave të fatit.

“Një e katërta e lojtarëve pranojnë që paktën 1 herë kanë dashur të vrasin veten. Gati gjysma e lojtarëve thonë që jeta e tyre familjare është stres i vazhdueshëm për të gënjyer për të fshehur skedina, që pason pastaj me skandale e divorce. Diçka tjetër që nuk e kam thënë është ajo që thonë kryetarët e bashkive të qyteteve më të vogla. Pikat e basteve kanë si klientë të pandarë një numër të konsiderueshëm burrash apo djemsh nga familje me ndihmë ekonomike”, tha Rama.

Gjatë seancës së sotme Kuvendi i Shqipërisë miratoi dhe ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit”, konkretisht për ndalimin e pijeve energjike për të miturit.

Gjithashtu deputetët e maxhorancës rrëzuan dekretin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Kujtojmë se edhe gjatë ditës së sotme deputetët e opozitës vazhduan bojkotin dhe nuk ishin të pranishëm në seancën e Parlamentit të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button