FFM: Shkupi ka të drejtë, por kohë kemi pak

KF Shkupi e ka vendin në ligën e parë. Këtë njëzëri e thonë edhe kryesia e klubit, tifozët, legjendat e klubit, por edhe zyrtarët e FFM-së. Por, për tu realizuar kjo, dhe për tu përmirësuar padrejtësia e bërë tre vite më parë mbetet kohë shumë e shkurtër.

“Këtu është bërë padrejtësi e madhe, edhe për KF Makedonia Gj.P, edhe për KF Sllogën (KF Shkupin). Ne do të shohim se në kuadër të ligjeve çka dhe si është e paraparë, dhe cilat janë mundësitë për përmirësimin e asaj padrejtësie” – tha për Portalb kryetari i ri i FFM-së, Ilço Gjorgjiovski.

Por ai pranon se koha është shumë e shkurtër dhe se mundësitë janë të vogla, sidomos pasi që ende nuk ka kërkesë zyrtare nga klubi për të hequr dënimet.

“Koha është shumë e shkurtër, por do të shohim se a ka mundësi dhe cilat janë mundësitë ligjore. Në Federatë ka disponim që të përmirësohet ajo që u bë para tre viteve, por në princip, momentalisht është shumë e shkurtër koha dhe hapësira që të shihet nëse ka mundësi ligjore për një gjë të tillë, kur dihet se ende nuk asnjë kërkesë zyrtare, ndërsa të hënën caktohet kalendari i ndeshjeve për ligën e parë dhe të dytë” – tha ai.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe numri dy i Federatës, Qenan Idrizi, i cili thotë se do të jetë ndihmë konstruktive e klubit shkupjan për të arritur qëllimin, por potencon se iniciativa vjen me vonesë.

“Iniciativa e filluar nga KF Shkupi është një çik me vonesë. Edhe për shkak të festave nuk kemi pasur ndonjë diskutim në Federatë. Të hënën do të takohemi përsëri. Ne kemi interes të ndihmojmë për çdo klub shqiptar, pasi edhe jam i emëruar për atë punë. Ne do të luftojmë dhe do të mundohemi në çdo aspekt që KF Shkupi të mos garon në ligën komunale apo të tretë por së paku diçka më lartë. Por mundësitë janë shumë të vogla se janë paraqitur me vonesë, edhe pse përsëri ne nuk i humbim shpresat – thotë Qenan Idrizi.

Kryetari i klubit Rafet Muminoviq, potencon atmosferën e mirë në Federatë për të përmirësuar padrejtësinë dhe për të kthyer klubin.

“Qëndrimi jonë është se ajo punë duhet patjetër të kryhet. Në çdo moment jemi në kontakt me kryesinë e FFM-së, si me kryetarin ashtu edhe me nënkryetarin. Atmosfera është krijuar që përfundimisht të kthehemi atje ku kemi qenë” – thotë Muminoviq.

Ndërkohë edhe legjendat e klubit japin përkrahje të madhe për rikthimin e KF Shkupit në Ligën e Parë. Argjend Beqiri, ish sulmuesi i bardhebluve në periudhën e artë të pasur me trofe, thotë se qytetit dhe qytetarëve të Shkupit, por edhe Ligës i mungon KF Shkupi.

“Ju përgëzoj për iniciativën që keni marrë për riaktivizimin e klubit të parë shqiptar, mendoj se qytetit të Shkupit gjegjësisht shqiptarve të Shkupit u mungon rikthimi i klubit. KF Shkupi e ka vendin në elitën e futbollit të Maqedonisë, me rikthimin e KF Shkupit në ligën e parë do të ngritet edhe kualiteti i futbollit në vend. Çështja e KF Shkupit duhet të zgjidhet në nivel më të lartë të Federatës” – thotë ish kapiteni i klubit nga Çairi.

Rikujtojmë se kryesia e klubit në një konferencë për shtyp, dhe Shvercerat Shkup përmes një kumtese për media kërkuan nga Federata që të hiqet dënimi dhe KF Shkupi t’ iu kthehet garave në Ligën e Parë të futbollit./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button