Mjekët për “antivaksinuesit”: Prindërit duhet t’i dinë pasojat nga mos vaksinimi

Zvogëlimi i numrit të fëmijëve të vaksinuar në territorin e gjithë vendit, sipas ekspertëve, është rezultat edhe i fushatave kundër vaksinimit, por edhe i mosbesimit të prindërve në sistemin shëndetësor. Në Maqedoni vaksinimi është i detyrueshëm, ndërkaq mjekët e theksojnë arsyen përse është ashtu dhe përse është e domosdoshme që fëmijët të imunizohen, si dhe se me vaksinat janë çrrënjosur shumë sëmundje ngjitëse dhe epidemi.

Vesna Stojanova—Atanasovska, specialiste – pediatre, thotë se imunizimi është mënyra e vetme me të cilën prindërit mund t’i mbrojnë fëmijët e tyre prej pasojave serioze të shëndetit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Konsideroj se prindërit duhet të jenë më shumë të informuar lidhur me atë se çfarë janë pasojat, në rast se fëmija i tyre infektohet prej ndonjë sëmundjeje. Është e domosdoshme të dinë se sa vaksinimi i mbron prej atyre sëmundjeve. Në ambulancën tonë ka fëmijë të cilët nuk janë të vaksinuar, prindërve të të cilëve vazhdimisht u shpjegohen dobitë nga vaksina. Megjithatë, fjalën e fundit e ka, kuptohet prindi. Nuk mendoj se fëmijët të cilët nuk janë të vaksinuar janë aq të rrezikshëm për fëmijët tjerë, aq sa paraqesin rrezik serioz për vetveten. Dhe po, kam pacientë me autizëm, e të cilët nuk janë të vaksinuar, pra tani vetë nxirrni konkluzionin se ç’është ajo që e ka sjellë këtë”,  thotë Stojanova – Atanasovska.

I pyetëm edhe disa prindër të cilët nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre për vendimin e tillë, por të gjithë kanë frikë të zbulojnë identitetin e tyre, kryesisht për faktin se mund të ballafaqohen me probleme dhe dënime nga shteti për shkak të atij vendimi. Një prej tyre është qytetarja nga Shkupi S. T. nga Qendra, nënë e dy fëmijëve të mitur, e cila për “Meta”, thotë se në fillim ajo dhe bashkëshorti i saj kanë qenë në dilemë si të veprojnë lidhur me këtë çështje.

“Kemi vaksinuar në pajtim me të gjitha rregullat dhe dispozitat. Mirëpo pas 12-24 orëve nga secila vaksinë, fëmija jonë kishte reaksion në fytyrë, shfaqej skuqje dhe lëkura e fytyrës i thahej si me lëvozhga. Mjekët kishin shpjegim për atë – dermanit atopik. Në rregull edhe atë e pranuam. Mirëpo u bë simptomatike pas çdo vaksine kishte reaksion të tillë. Kur shkuam për vaksinimin e fundit, takuam disa miq fëmija i të cilëve kishte pësuar shumë nga vaksina, ka ndaluar së foluri, nuk ka ecur, janë endur jashtë shtetit pa  sukses fare. Fëmijën e kishin pothuaj bimë. Atë ditë u ulëm dhe filluam të lexojmë për vaksinat, “pro” dhe “kundër”. Lëkura e fëmijës tonë pëlciti tërësisht, “iu ngjit” baktere dhe i kullonte qelb. Pamja ishte e tmerrshme. Pas disa muajsh lexim aktiv, çdo ditë nga disa orë, i krahasuam të gjitha “pro” dhe “kundër”. Vlerësuam se për të gjitha sëmundjet kundër të cilave bëhet vaksinimi, në kohët e sotme ekzistojnë barna, më së shpeshti terapi me antibiotikë, ndërkaq të gjitha pasojat të cilat mund të ndodhin janë të pandreqshme dhe pashërueshme: diabet, leukemi, autizëm. Vaksinimin e fëmijës së parë e kemi ndërprerë pas vaksinë së tretë, ndërsa fëmijën e dytë asnjëherë s’e kemi vaksinuar. E kemi refuzuar vaksinim në spitalin e lindjes, me atë që kemi nënshkruar deklaratë se e refuzojmë vaksinën”, tregon S. T.

Ajo shton se nuk kanë pasur probleme gjatë regjistrimit të fëmijës në klasë të parë. Ajo që kërkohet gjatë regjistrimit në kopsht për fëmijë dhe shkollë, thotë, është vërtetim shëndetësor nga mjeku amë se fëmija është i shëndoshë dhe mund të shkojë në shkollë. Ajo shpjegon se dy fëmijët e saj asnjëherë nuk kanë qenë të sëmurë, asnjëherë nuk kanë qëndruar në spital dhe vetëm një herë kanë pranuar antibiotik dhe atë për lëndim trupor, jo prej baktereve ose viruseve dhe se kanë shumë imunitetin e fortë.

Në pyetjen a është e njoftuar për pasojat prej mos vaksinimit, ajo u përgjigj se gjatë hulumtimit, leximit të studimeve, forumeve dhe konsultimeve me prindër fëmijët e të cilëve kanë pësuar prej vaksinave, ajo dhe bashkëshorti i saj kanë kuptuar se pasojat prej vaksinimit mund të jenë vetëm pasoja të pandreqshme për individin dhe se pasoja prej mos vaksinimit për rrethinën nuk ka.

“Ka disa çështje të cilat dëshiroj t’ua theksoj prindërve të cilët do të vendosin t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Duhet të vaksinohet fëmijë krejtësisht i shëndoshë. Para se të çohet fëmija për vaksinim duhet të bëhet pasqyrë e gjakut, të bëhet strisho për hundë dhe fyt dhe detyrimisht të dërgohet tek mjeku amë për kontroll. Tek dispenzerët për fëmijë para vaksinimit ka kontroll të fëmijëve, por ai është shumë jo i plotë dhe sipërfaqësor. Fëmijë i cili ka çfarë do reaksioni ose alergji në lëkurë, nuk guxon të vaksinohet. Kjo është shenjë se organizmi lufton me diçka dhe nuk është në gjendje të plotë shëndeti. Fëmijë të cilët nxjerrin dhëmbë nuk guxojnë të vaksinohen. Gjatë procesit të nxjerrjes së dhëmbëve, imuniteti i fëmijës është i dobësuar, i zvogëluar. Nuk po them “Mos vaksinoni!”, po them, nëse vaksinoni, nëse të paktën vendosni të vaksinoni, ndërmerrni të gjithë hapat e nevojshëm për ta çuar fëmijën tuaj krejtësisht të shëndoshë në vaksinim”,  theksoi kjo nënë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button