Kur media shndërrohet në avokat mbrojtës të një zyrtari

Burimi: KriThink

Në tekstin që po e recenzojmë, autori ka marrë përsipër që të bëjë gardianin e zv/kryeministrit Bujar Osmani, duke mbrojtur çdo pëllëmbë të figurës së tij. Mund të themi se Osmani trajtohet si një fëmijë i pambrojtur ku befas paraqitet shpëtimtari i madh (që është portali në fjalë) për t’ia zgjatur dorën e mëshirës duke i thënë: Mos ki merak, tani unë jam këtu. Teksti nuk është kontribut i mirëfilltë gazetaresk por është një shkrim nga autor -tifoz i Osmanit.

Linku deri te artikulli origjinal: Dokumentet flasin ndryshe nga akuzat e PSP-së për Bujar Osmanin, a është ky një “linçim” politik!?

Data dhe koha e publikimit: 11.10.2018

Data e recensionit: 24.10.2018

Recensues: Agron Vrangalla

Ndërhyrja e redaksisë në interpretimin e fakteve

Publiku mund të vërejë se është bërë një ndërhyrje direkte në interpretimin e fakteve nga ana e redaksisë. Ndërkohë, këtë gjë duhet ta bëjnë burimet që do të ish dashur të konsultojë redaksia. Duke e lexuar tekstin, ju qartë mund të shihni se ai nuk përfshin ndonjë burim relevant që do të justifikonte atë çfarë thuhet. Përkundrazi redaksia, merr përsipër të bëjë ekspertizën e fakteve të paverifikuara, duke dalë në fund me disa konkluzione që janë në favor të pafajshmërisë së z. Osmani për atë çfarë akuzohet nga Prokuroria Speciale.

Gazetarët nuk duhet të shkruajnë tekste të porositur

Teksti në fjalë ka indicie të forta që të jetë i porositur nga grupet e interesit. Përveç faktit se teksti duket se mban anën e një pale, niveli i shkeljes së Kodit të Gazetarëve shkon edhe një shkallë më lart, që është, injorimi i burimeve dhe justifikimi i pafajësisë së Bujar Osmanit. Për shembull, nëse teksti do të ishte i porositur (i paguar), por i shkruar në mënyrë profesionale, atëherë ajo do të ishte gjysma e së keqes, sepse autori mund të mbështetej në burimet që ka cituar por që “rastësisht” kanë dalë në favor të të akuzuarit. Ja si tingëllon një paragraf i tekstit:

“Pra siç mund të konstatohet nga dokumenti, firma e cila ka fituar tender nga Ministria e Shëndetësisë, në kohën kur Bujar Osmani ka qenë ministër është kompania me ofertë më të lirë dhe e vlerësuar nga një komision përkatës i pavarur me të cilin kanë menxhuar ekspertë të fushës dhe ata kanë bërë vlerësimin, e jo Bujar osmani.”

Nëse ta zëmë, këtu do të ishte shfrytëzuar ndonjë burim relevant i cili do të thoshte në mënyrë identike atë që është thënë këtu, atëherë nga pikëpamja teknike, lajmi do të ishte korrekt. E vetmja vërejtje që mund të vinte, do të ishte tendenca e tekstit që do të mbante njërën anë. Në pikën e 13-të të Kodit Etik të Gazetarëve, ndër të tjera thuhet:

“Duhet të jetë qartë të ndara, cilët janë faktet dhe cilat informacionet, dhe cilat janë komente, hipoteza ose qëndrime të autorit për të shmangur dezinfomrimi dhe manipulimin me publikun.”

Të ndahen faktet nga qëndrimet personale 

Në këtë tekst pra, nuk ka ndonjë ndarje në mes fakteve dhe qëndrimeve të autorit. Kjo bëhet akoma më e theksuar në paragrafin e mëposhtëm ku thuhet se:

“Agjencia e Lajmeve Zhurnal, për të ardhë deri te e vërteta dhe për të kuptuar se çfarë në të vërtet ka ndodhur në kohën kur Bujar Osmani ka qenë ministër i Shëndetësisë, ka arritur të siguron një dokument zyrtar me të cilin të gjitha pretendimet për mallverzime hidhen poshtë si të pabaza, pasi që në bazë të tenderit të shpallur është zgjedhur oferta më e mirë dhe më e lirë.”

Këtu kemi një konstatim nga ana e mediumit, duke marrë përsipër të hedhë poshtë “spekulimet” dhe të dëshmojë se personi i apostrofuar, është i pafajshëm. Media kalon në rolin e prokurorit dhe gjykatësit. Ndërkohë që mediat, nuk janë aty për të mbështetur apo hedhur poshtë akuzat që ngrihen nga organet e drejtësisë, por për të treguar, nëse ka nevojë edhe për të sqaruar se çfarë nënkuptojnë ato akuza.

Konkluzioni

Rëndësi ka të kuptohet se kur shkruhen lajmet, duhet të përmbajnë disa standarde që tashmë janë të njohura, si: shfrytëzimi i burimeve, verifikimi i fakteve, distancimi nga qëndrimet personale objektiviteti i shfaqur në tekst. Sa më shumë përpjekje të bëhen për të shkelur këto parime, aq më shumë rritet mundësia për të humbur kredibilitetin dhe besueshmërinë tek publiku që ju ndjek. 

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button