“Pajisje shpërthyese” u dërguan në adresë të Clintonit dhe Obamas

Shërbimi sekret i Shteteve të Bashkuara thotë se ka kapur “pajisje që me gjasë janë shpërthyese” të dërguara në shtëpinë e ish-presidentit Barack Obama dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, njofton REL.

Një zyrtar amerikan i ka thënë Asociated Press se hetuesit besojnë se pakot e dyshimta që janë gjetur, janë të ndërlidhura me një pako tjetër të dyshimtë që e kanë gjetur në shtëpinë e filantropit George Soros më 22 tetor.

“Shërbimi sekret amerikan ka kapur dy pako të dyshimta që ishin dërguar ndaj personave që mbrohen nga shërbimet sekrete”, tha agjencia përmes një deklarate.

Aty po ashtu thuhet se kanë gjetur “një pako që ishte dërguar te ish-zonja e parë, Hillary Clinton në Uestçester, Nju Jork”.

Clinton është e martuar me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.

“Në mëngjesin e sotëm, një pako e dytë është dërguar në shtëpinë e ish-presidentit Barack Obama dhe është kapur nga personeli i shërbimeve sekrete në Uashington”, thuhet në njoftim.

Pakot e dyshimta janë “identifikuar menjëherë”, pas skanimit të dërgesave dhe thuhet se janë “me gjasë janë pajisje shpërthyese”. Megjithatë, pakot e dyshimta asnjëherë nuk kanë arritur në destinacionin e caktuar, pasi shërbimi sekret ka arritur që t’i identifikojnë me kohë, ka njoftuar shërbimi sekret.

Lidhur me këtë rast ka nisur hetim.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump është njoftuar për situatën dhe se ai e ka marrë “shumë seriozisht” trajtimin e kësaj çështjeje.

Më 23 tetor, autoritetet amerikane kanë shkatërruar një pajisje shpërthyese të gjetur në kutinë postare të Sorosit në shtëpinë e tij në Nju Jork. Pakoja ishte zbuluar më 22 tetor nga një person që punon për Sorosin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button