Shpresat e amerikanëve te shqiptari për medaljen e artë në Londër

Volejbollisti shqiptar, Donald Suxho kishte munguar në olimpiadën e para katër vjetëve në Pekin për shkak të një lëndimi. Ajo mungesë i ka mbetur merak Suxhos pasi në Pekin Përfaqësuesja e SHBA-së për fitoi medaljen e artë. Katër vjet më vonë, në Londër Suxho synon të kompensojë mungesën në Pekin dhe të fitojë medaljen e artë olimpike. 

SHBA-ja, e udhëhequr nga Suxho, po ecën mbarë dhe ka fituar tri ndeshjet e para të fazës grupore. Mposhti në nismë Serbinë me 3:0 në sete, ndërsa me të njëjtat shifra mposhti edhe Gjermaninë. Të enjten mbrëma amerikanët triumfuan përballë përfaqësueses numër një në botë, Brazilit, me 3:1 në sete. Suxho ishte protagonist kyç i kësaj fitore. Me organizimin e tij të vlerësuar shumë lart ndihmoi amerikanët të kthehen nga disavantazhi prej 1:0 në sete dhe të triumfojë në fund me 3:1. 

“Më pëlqen të luaj kundër Brazilit. Brazili është skuadër e madhe dhe shumë pasionante. Gjithmonë lojtarët brazilianë flasin me arbitra dhe kanë diçka për t’u ankuar. Nëse i lë që të shpërqendrojnë, ata do ta bëjnë këtë”, ka thënë Suxho për mediumet amerikane, transmeton Koha Ditore e së shtunës. 

Suxho 36-vjeçar, i lindur në Korçë, u përkujdes që asnjëri nga bashkëlojtarët e tij të mos e humbë përqendrimin. Sipas mediumeve amerikane, ai organizoi për mrekulli lojën dhe mori përgëzime nga të gjithë anëtarët e skuadrës. 

Suxho është ndër organizatorët më të mirë në botë dhe shpresa më e madhe e SHBA-së për të fituar të artën olimpike. Ai luan në Itali për skuadrën Volley Treviso. 

Për Suxhon kjo është pjesëmarrja e dytë në Lojëra Olimpike. Në “Athinë 2004”, përfundoi me SHBA-në në pozitën e katërt. 

Suxho që nga viti 1996 jeton në SHBA. Në vitet 1995 e 1996 kishte luajtur për Kombëtaren e Shqipërisë. Për juniorët e Shqipërisë kishte luajtur që nga viti 1991. Pjesë e përfaqësueses së SHBA-së është nga viti 2000. Ai është shqiptari i vetëm që ka mbetur në garë për medalje në “Londra 2012”. /koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button