Skena e Muzikës Serioze Shqiptare triumfoi në Filarmoninë e Maqedonisë (FOTO/VIDEO)

Edicioni i gjashtë i manifestimit kulturor “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” përfundoi në Filarmoninë e Maqedonisë, me Filarmoninë Gjermane të Rinit, të dirigjuar nga Desar Sulejmani, dhe me kompozime nga profesori universitar Fatos Lumani. Salla ishte e mbushur plotë, kurse shprehja e mirëseardhjes në gjuhën shqipe, ia shtoi edhe më shumë madhështinë mbrëmjes, transmeton Portalb.mk.

Fytyra të buzëqeshura, duartrokitje të shpeshta, mbledhje duarsh nga emocionet që të shkaktonin ritmet instrumenteve të ekzekutuara nga orkestra gjermane prej 60 anëtarësh, pjesë e të cilës ishin edhe 10 artistë shqiptarë nga Maqedonia, bënë që “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare” krahas në Tetovë, të triumfojë edhe në Shkup.

Desar Sulejmani gjatë dirigjimit

Përfshirja e 10 artistëve shqiptare në orkestrën e Filarmonisë Gjermane të Rinit, sipas dirigjentit Desar Sulejmanin, kishte për qëllim që të tregojë pjesën ndryshe të Maqedonisë, pjesën pa ndasi etnike dhe me plotë meritë për muzikën serioze.

“Solla një orkestër për t’ju treguar se çfarë është Maqedonia dhe si jetohet, punohet, si bëhet muzikë këtu, t’ju tregoj pjesën ndryshe të saj, prandaj them se kjo periudhë e performimit në Maqedoni ishte shumë e mirë. Me koncertin në fjalë kemi përmbyllur pjesën artistike, ku do të vazhdojmë në Ohër për të shijuar natyrën. Kam qenë shumë i lumtur që bashkë me orkestrën e kemi mbyllur këtë edicion të 6-të të Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare, dhe se me bashkëpunimin e sivjetmë kemi hapur një rrugë të mirë, për të vazhduar me projektet tjera më të mëdha, dhe më të rëndësishme. Nga një orkestër prej 60 vetash që kemi ardhur, vetëm dhjetë pjesëtarë janë nga Maqedonia, me prejardhje shqiptare. Do të thotë ka qenë një vizion i përbashkët, që pjesë të kësaj orkestre të bëhen edhe muzikantë të rinj të cilët, ta themi të hapur, këtë sallë nuk e kanë të mundur që të performojnë, apo e kanë të vështirë. Doja të jepja edhe mesazhin, se kjo sallë, kjo godinë është e të gjithëve, nuk ka ndasi”, tha Sulejmani.

Dirigjenti dhe pianisti, Desar Sulejmani/Foto: Dritan Abdiji

Interesimi i madh dhe pritja madhështore nga publiku, ka qenë e pritshme për dirigjentin dhe pianistin, Desar Sulejmani.

“E di se si pritet këtu, dhe si është këtu, prandaj edhe i solla. Personalisht kam pritur një pritje të tillë. Dy koncertet në Tetovë dhe Shkup, dhe pas pritjes së publikut, krahas që më bëjnë shumë të lumtur, gjithashtu më japin edhe përgjegjësi”.

Filarmonia Gjermani e Rinit tejkalon standardin e orkestrave të tjera të pavarura, duke mbushur boshllëkun, pasi që struktura e saj jostatike mundëson të veprojë me një buxhet shumë të ulët. Veçantia e orkestrës së Filarmonisë së Rinit është se është fleksibile në planifikimin kohor dhe muzikor.

Filarmonia Gjermane e Rinit paraqet një gërshetim ndërmjet kompozimeve bashkëkohore dhe veprave të Ludwig van Beethoven, Joseph Joachim Raff, Frank Martin, Franz Berwald, Ferdinand Ries, Niels Gade, Dmitri Shostakoviç , Nino Rota, Sergej Rakhmaninov dhe Luigi Dallapiccola.

Drejtori artistik, Fatos Lumani

Ndërkaq, drejtori artistik i manifestimit kulturor “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, Fatos Lumani e vlerësoi lartë interesimin e madh të publikut në Shkup, e cilësoi popullorçe si “qershia mbi tortë”, dhe premtoi, se nëse buxheti vitin e ardhshëm është më i madh se që ka qenë këtë vit, nga viti i ardhshëm Skena do të nis dhe mbarojë në Shkup.

“Për çdo vit ne synojmë të zgjerojmë manifestimin. Nëse vitin e kaluar kemi pasur Shkëlzen Dolin, dhe orkestrën e Radio Televizionit të Shqipërisë, sivjet manifestimi është begatuar dyfish, sepse kemi pasur më shumë buxhet. Nëse buxheti rritet, manifestimi do të zgjerohet më shumë, jo vetëm në aktivitete, por edhe në vendin ku do të mbahet. Meqë kishte interesim, do të mundohemi që vitin tjetër të kemi dyfish aktivitete edhe këtu. Nuk dua të them emra, por premtoj se do të kemi emra të nivelit botëror të cilët do ta hapin dhe mbyllin Skenën e Muzikës Serioze Shqiptare në Shkup”, tha Lumani.

Për suksesin e aktivitetit në Shkup, Lumani tha: “Kjo në Filarmoninë e Maqedonisë e përmbylli me sukses manifestimin tonë. Për këtë shkak, dua ta faleminderoj Desar Sulejmanin, një dirigjent dhe pianist i shkëlqyer”.

Filarmonia Gjermane e Rinit ka qenë ansambli i pestë që ka performuar në kuadër të manifestimit kulturor “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, edicioni i gjashtë i të cilit nisi me ansamblin kanadez, për të vazhduar me “West Coast Symphony Orchestra”, Filarmoninë e Maqedonisë, “Orkestrën rinore shqiptare” dhe Operën dhe Baletin e Shqipërisë.

Edicioni i gjashtë i manifestimit kulturor “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button