Domosdoshmëria e grumbullimit të opozitarëve në një front…

Të jesh opozitar do të thotë të vihesh në radhët e atyreve, që ndajnë mendime të kundërta apo jo të njëjta me të tjerët për një çështje a zhvillim të veçantë.

Të qenët opozitar në Shqipërinë e sotme do të thotë as më pak e as më shumë, po një njeri, i cili jo vetëm ndan mendime e pikëpamje të ndryshme a të kundërta me qeverisjen aktuale të vendit, por ashpërsisht, brenda kornizave demokratike, është kundra të bërit të punëve në Shqipëri. 

Të jesh opozitar në ditët e sotme, në Shqipërinë tonë të dashur, të robëruar nga mafia e prejardhur nga qeverisja aktuale, nuk do të thotë të jesh doemos me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste – ka në mesin e shqiptarëve, që gabimisht mendojnë kështu. Kjo nuk është aspak e vërtetë, madje thellësisht e gabuar. Çdo njeri, i cili nuk e gjen veten në pushtetin e sotëm, e për më tepër nuk shikon te ai veç dorën e një regjimi, që po gllabëron përditë pasuritë mbi e nëntokësore të vendit është: Opozitar.

Këto ditë pyetja, e cila është hedhur në tregun mediatik shqiptar, në thelb është kjo ”Pse Aleanca KuqeZi apo edhe FRD nuk bashkohen me Partinë Socialiste për të forcuar opozitarizmin në luftën kundra pushtetit të sotëm, me qëllimin final, të cilin e kanë partitë e sipërthëna, rrëzimin e Sali Berishës dhe të pushtetit të drejtuar prejt tij?”

Në thelb pyetja duket e drejtë, pasi si PS dhe partitë e koalicionit të saj, ashtu edhe subjektet e formuara së fundi, AKZ e FRD, kërkojnë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013: rotacionin politik. Pra, që vitin e ardhshëm kjo qeveri e kryesuar nga PD të kalojë në opozitë. Nëse fillimisht nëpërmjet ish presidentit Topi, gjatë një interviste të zhvilluar (26 korrik në Top Story), i cili tashmë i është bashkuar formacionit të FRD-së, deklaroi mes të tjerash se nuk e përjashtonte mundësinë e bashkëpunimit sa djathtas aq edhe majtas, pasi është «lojtar i mesfushës», më vonë kjo parti, FRD, deklaroi publikisht se «koalicioni i saj është vetëm me qytetarët shqiptarë dhe nuk do të rreshtohet as me Ramën e as me Berishën», sakaq AKZ kategorikisht e mohon një gjë të tillë – që herët ajo ka deklaruar se do të jetë e vetme në zgjedhje dhe se do të formojë po e vetme qeverisjen pas zgjedhjeve të 2013-tës, pasi, gjithmonë sipas tyre, kanë mbështetje të gjerë popullore. 

Shifrat (llogaritë) politike të kaluara, zotësia e kryeministrit të sotëm të Shqipërisë për të përfituar nga situatat gjithmonë e më tepër afrimit të zgjedhjeve si dhe grupimi rreth partisë së drejtuar prej tij, PD, të një koalicioni me shumë parti, bën të domosdoshme që opozita e sotme të jetë më e madhe, më përfshirëse, se kjo e sotmja. Kësisoj, lipset një mënyrë tjetër e të bërit politikë nga PS-ja, me qëllim grumbullimin rreth qëndrimit opozitar të sa më shumë forcave të ndjeshme në popull. Po ashtu edhe AKZ e FRD duhet t’i qasen frontit opozitar, ndryshe Berisha dhe të tijtë do të vazhdojnë të kapardisen rrugëve të vendit edhe për katër vite të tjera. 

 Edhe pse dita-ditës AKZ po forcohet brenda radhëve të saj, veçan me të rinj e të reja, as llogaritë më optimiste, fatkeqësisht, nuk e nxjerrin atë përpara dy forcave të mëdha politike, që prej më shumë se 20 vitesh kanë uzurpuar Shqipërinë, PD dhe PS. Në këto kushte nevojat thërrasin për një arsyetim më të shëndoshë politik, e bashkim të forcave në ato pika të përbashkëta, ndryshe edhe pse pushteti i sotëm po sjell mjaft dëme në jetën e vendit, me një opozitë të ndarë në disa pjesë, duket se Partia Demokratike, në mos do të fitojë sërish zgjedhjet e 2013-tës, do të ketë mjaft numra në Kuvendin e ardhshëm, gjë të cilat nuk mund t’i ketë nëse veprimi opozitar bashkohet në një pikë të vetme: në grumbullimin e forcave për të larguar qeverinë aktuale, me protesta të vazhdueshme, denoncime të abuzimeve të shumta, rritjes së ndërgjegjes popullore për qeverisje më të mirë, kërkesat në rritje shoqërisë shqiptare për nevojat e saj, të cilat nuk plotësohen nga pushteti i sotëm etj.

Një pjesë e shqiptarëve, madje edhe e simpatizantëve të thekur të PD-së, janë të mërzitur dhe shpesh e ndjejnë veten të nëpërkëmbur nga qeverisja aktuale. Pakënaqësitë e tyre në rritje i kanë shtuar kritikat, të cilat deri vonë të mbytura në thellësi të ujrave të turbullta, tashmë duket se kanë dalur mbi moçalin e pazëshëm për të ngritur shqetësimin e vazhdueshëm të tyre. Por, nëse ato nuk gjejnë një mbështetje nga një opozitë e gjerë dhe përfshirëse, janë ca vota, të cilat në vitin 2013-të, do të humbasin si rezultat i mos shkuarjes në votime. Një fragmentarizim i tillë opozitar do të krijojë lehtësira ecjeje të pushtetit të sotëm drejt zgjedhjeve të 2013-tës, megjithëse ka ende kohë që përgjegjësitë e liderëve kryesor opozitar përballë nevojave të popullit shqiptar të gjejnë gjuhën e përbashkët të të bërit opozitë ndaj qeverisjes së dobët, aty ku realisht është e tillë, e jo hedhjes së pakriter të demagogjive politike të radhës.

Në përfundim, mbroj mendimin se si AKZ, FRD dhe çdo grupim tjetër me peshë shoqërore në jetën e vendit tonë, që kërkon rrëzimin e këtij pushteti, duhet të bashkohen në një vijë fronti, së paku deri në shembjen e këtij rregjimi për të shkuar drejt zgjedhjeve të ardhshme, pse jo, pa këtë qeveri aktuale, e cila, sipas burimeve të fundit nga media, pritet të bëjë edhe një ndër aktet më të fëlliqura, ashtu siç rëndom ka realizuar në këto vite, marrëveshjen e shitjes së detit Greqisë. Sa nuk është vonë, populli duhet të fryhet dhe të mbushet me sa të mundet për të bashkuar gjithë energjitë për të shtrirë përdhé një qeverisje antishqiptare në krye të shtetit shqiptar, në këtë 100 vjetor të tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button