OKB: Gjendja e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut nuk ka ndryshuar

Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Korenë e Veriut, Tomas Ojea Quintana, ka deklaruar se ka ndryshuar klima politike e cila rrethon Korenë e Veriut, por që gjendja e të drejtave të njeriut në këtë vend nuk ka ndryshuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, duke folur për samitet në mes të Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut dhe me SHBA-të, Quintana tha se, “Përkundër zhvillimeve të rëndësishme në fushat e sigurisë, paqes dhe prosperitetit, aktualisht nuk ka ndryshuar gjendja për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut”.

Quintana ndryshimet i ka vlerësuar si “zhvillime të jashtëzakonshme” të cilat sigurojnë shpresën për të arritur paqen e shumëpritur në Korenë e Veriut. Mirëpo, sipas tij, duhet të tregohet më shumë përpjekje për çështjen e të drejtave të njeriut.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u takuan më 27 prill në fshatin e armëpushimit Panmunjom, i cili ndodhet në kufirin mes dy vendeve. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit ishte njoftuar se është arritur marrëveshje për fillimin e negoaciatave për pastrimin e plotë të Gadishullit Korean nga armët bërthamore dhe për shndërrimin e armëpushimit aktual në një marrëveshje të përhershme të paqes.

Moon dhe Kim pas samitit historik në muajin prill u takuan edhe më 26 maj, ku diskutuan për procesin e paqes në mes të shteteve të tyre. Ata ishin takuar edhe në muajin shtator në Phenian ku arritën marrëveshje për uljen e tensioneve.

Në takimin e zhvilluar në Phenian, Moon dhe Kim dhanë fjalën për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për paqe në mes të dy shteteve, me ç’rast publikuan edhe një deklaratë të përbashkët. Në deklaratë thuhej se nëse SHBA-të marrin hapat e nevojshme atëherë Koreja e Veriut do të ndërmarrë më shumë hapa për pastrimin e Koresë së Veriut nga armët bërthamore.

Kujtojmë se presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe Kim u takuan më 12 qershor në Singapor. Pas këtij samiti të dy liderët arritën në marrëveshje për pastrimin e Koresë së Veriut nga armët bërthamore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button