HERONJTË I KRIJON KAUZA

Jemi mësuar që heronjtë t’i përfytyrojmë si në skulpturat socrealiste: të fuqishëm, me shikim prej skifteri, gjoksmëdhenj, me armë në dorë.

Heronjtë mund të jenë të heshtur, të thjeshtë, me pamje të fisme, me shikim të përhumbur, me portret njeriu paqësor e të përvuajtur, sikurse portreti që nuk jemi mësuar ta shohim, pra ai i Vasfije Krasniqit.

Një grua e dhunuar në luftë është viktimë nëse jeton vetëm me kujtimet e trishta, por kur ngritët kundër paragjykimeve shoqërore e tradicionale dhe vuajtjen e ngre në kauzë për mbrojtjen e grave që kanë përjetuar fatin e saj, atëherë ajo është heroina ime.

Heronjtë nuk i krijon rastësia, por kauza. Heroi nuk ligështohet edhe kur gjithë bota mund ta përqesh. Ne kemi krijuar heronj që nuk e meritojnë këtë epitet. Shoqëria që shpik heronj të paqenë dhe nuk tregon respekt ndaj heronjve të vërtetë ka probleme me moralin e saj.

Vasfije Krasniqi është zëri që i duhet shoqërisë sonë. Ajo i shërben Kosovës me rrëfimin e saj për tragjiken personale, që ndërthuret në mozaikun e tragjedisë kolektive.

Shoqëria e cila do ta paragjykonte këtë grua, nuk e meriton lirinë. Fatmirësisht, shoqëria shqiptare e çmoi guximin e Vasfijes, sepse ka nevojë për zërin e vetmuar të kësaj gruaje dhe jo për zërin e “moralizuesve”, që fshehin mëkatet e shumta. Në gjendjen e saj ka mundur të jetë gruaja, nëna apo motra jonë.

Kjo grua e fisme, duke folur për tragjiken personale, synon ndëshkimin e dhunuesve dhe mospërsëritjen e krimit.

Kjo grua e fisme dëshmon se për të nderi ka qenë i shenjtë.

Kjo grua e fisme, më mirë se kushdo tjetër, e di se krimi i ndëshkuar është satisfaksion për të dhunuarin.

Kështu misioni i saj është shumë fisnik, kurse familja që e mbështet e meriton respektin tonë.

Zëri i kësaj gruaje të guximshme, që njëkohësisht është viktimë dhe aktiviste qytetare, duhet të dëgjohet, sepse i flet fuqishëm ndërgjegjes dhe kujtesës sonë.

Për aktivitete të këtilla është dhënë edhe Nobeli për paqe, sepse kështu tregohet respekt për viktimën që vuan, që ndjehet e izoluar dhe e depersonalizuar.

Sipas psikologjisë, e dhunuara vazhdimisht e përjeton çastin e rëndë dhe ik nga gjithçka që ja kujton ngjarjen traumatike. Viktima ndjen lehtësim kur ndëshkohet krimineli. Ndjen lehtësim kur ja kuptojmë dhembjen dhe kur nuk e paragjykojmë.

Në planin moral nuk mund të jemi neutral kundrejt krimit. Sipas studiuesve, neutraliteti është i pamundur: ose jemi në anën e dhunuesit ose të viktimës.

Dhunuesi e trajton viktimën si qenie inferiore; e trajton si mjet dhe jo si subjekt. Kështu e nëpërkëmb dinjitetin e njeriut. Përkundër këtij përçmimi, viktima përherë është fituese morale.

Sipas studiuesit J. Njavro, dhunuesi, për t’i ikur përgjegjësisë, tenton ta imponojë dhe ta promovojë harresën. Nëse këtë nuk arrin ta bëjë, atëherë e sulmon kredibilitetin e viktimës, me qëllim që ta bëjë të parëndësishëm zërin e saj.

Shteti serb, që e ka pasur në program dhunimin e gjërave më të shenjta të popujve që ka tentuar t’i nënshtrojë, vazhdon ta promovojë harresën dhe ta sulmojë kredibilitetin e viktimave.

Shtetit që ka pasur ushtri dhunuesish nuk duhet t’i lejohet të vë kushte. Ai shtet duhet të merret me ndërgjegjen e njollosur dhe të paguajë për mëkatet e bëra. Serbia ka probleme me moralin e saj. Ka probleme me ndërgjegjen e njollosur. Në vend se të tregojë shenja pendese, vazhdon të vë kushte. Kjo ndodh për shkakun se shoqëria jonë nuk deshi ta dëgjonte zërin e atyre që përjetuan fatin e gruas fatkeqe. Këtë zë, që i duhet kujtesës sonë, duhet ta dëgjojnë edhe ata që aktrojnë kozmopolitin e pështirë, ata, pra, që shtiren kinse e duan pajtimin ndërmjet kombeve, por i mbyllin veshët dhe nuk duan ta dëgjojnë rrëfimin e trishtë të Vasfije Krasniqit.

Shoqëria jonë do të lartësohet moralisht duke dëgjuar zërat e këtyre grave, që fati i keq i bëri viktima, kurse kauza i bën heroina.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button