fbpx

Meta: Një rajon më pranë NATO-s dhe BE-së garanton më shumë paqe

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Austri, gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun austriak, Alexander Van der Bellen, foli në lidhje me procesin e integrimin evropian të vendit, si dhe për zhvillimet në rajon, transmeton Anadolu Agecy (AA).

Presidenti Meta u prit me ceremoni zyrtare nga presidenti i Austrisë, me të cilin zhvilloi bisedime dypalëshe. Meta theksoi se autoritetet në Shqipëri po punojnë fort, që negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE) të hapen sa më parë të jetë e mundur.

“Shqipëria është mirënjohëse për ndihmën bujare dhe aleancën solide të Austrisë, tek e cila kemi gjetur gjithmonë një mirëkuptim dhe mbështetje të plotë të interesave strategjike të ndërsjella. Përgëzova presidentin Van der Bellen për kryesimin e suksesshëm austriak të Presidencës së BE-së duke çmuar vëmendjen që ajo i kushton Ballkanit Perëndimor, si një prioritet i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Ndaj pritshmëria e Shqipërisë, por edhe e rajonit është, me të drejtë, shumë e madhe, pavarësisht vështirësive”, ka theksuar presidenti Meta.

Presidenti i Shqipërisë ka deklaruar më tej se me homologun austriak ndanë qëndrimin e përbashkët se votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap shumë i rëndësishëm, që sipas tij, nxit shpresën dhe besimin e përbashkët që procesi i anëtarësimit të saj në NATO dhe BE po shkon në drejtimin e duhur.

“Një rajon më pranë NATO-s dhe BE-së garanton më shumë siguri, paqe dhe stabilitet për Ballkanin, Europën dhe Aleancën Trans-Atlantike. Me këtë optikë e shikojmë dhe mundësinë dhe kemi dëshirë, që qytetarët e Kosovës të përftojnë lëvizjen pa viza drejt BE-së, brenda Presidencës Austriake, duke shënuar fundin e izolimit të tyre të pamerituar, pasi siç ka deklaruar edhe Komisioneri përgjegjës Avramopulos në Tiranë, Kosova, prej kohësh i ka realizuar të gjitha standardet e kërkuara”, ka deklaruar Meta.

Sipas presidentit Meta, Shqipëria dhe Austria kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Meta po qëndron për një vizitë zyrtare në Austri me ftesë të homologut austriak, Alexander Van der Bellen. Ai gjatë vizitës treditore do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Austrisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button