Në Tetovë u mbyll edicioni i XXII I FNP “Ditët e Naimit”

Prej 18-22 tetor, në Tetovë dhe në Pogradec, u zhvillua Edicioni i XXII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Në kuadër të Programit të tij u mbajtën një sërë aktivitetesh si lexime të shumta letrare, përurime librash, ndarje çmimesh letrare, vizita në objekte të ndryshme kulturore e historike në Tetovë, Shkup e në Pogradec etj.

Hapja e ceremonisë së Edicionit të XXII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë përmes një performance të bukur fishekzjaresh dhe prezentimit të veshjeve kombëtare shqiptare para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati zviceran Beat Brechbuhl, ministri kulturës Asaf Ademi, kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi, vendosën buqete lulesh para shtatores së poetitn“Naim Frashëri”, që është ngritur në100 vjetorin e vdekjes nga Drejtoria e Festivalit.
Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje iu dhurua antologjia e këtij edicioni dhe libra të tjerë të rinj të shtëpisë botuese të Festivalit.

Më pas në Sallën e Madhe u hap zyrtarisht Programi i Edicionit të 22 të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Hapjen e bëri ministri i kulturës Asaf Ademi, i cili pasi foli pët rolin dhe rëndësinë që ka Festivali në afirmimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, vlerësoi lartë punën e palodhshme dhe të vazhdueshme të drejtorit të Festivalit. Unë tha ai, nuk mund të mos them se jam i ngazëllyer që ky festival e shënon 22 vjetorin e tij dhe kjo flet shumë për drejtuesit e tij. Prandaj, përveç për përgëzimin për suksesin e arritur nuk mund të mos e shpreh edhe admirimin që në kohën kur bota jonë gati po na rrënohet, mbi kokë, kjo nga tranzicioni i gjatë, në mesin tonë u gjetën njerëz që e mbajtën ndezur Qiriun e Naimit dhe vazhduan të besojnë se, një qytet që nuk ka poezi i bie se, aty asnjëherë nuk vijnë muzat për ta ndez frymëzimin.

Më pas një fjalë përshëndetëse mbajti kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila pasi recitoi disa vargje të poezisë së poetit Naim Frashëri për gjuhën shqipe, ajo si kryetare e qytetit nikoqir theksoi; i nderuar Ministri i Kulturës, i nderuar Drejtor i Festivalit, të nderuar miq, dashamirë të fjalës së bukur poetike, më lejoni që me gjithë zemër të ju jap një mirëseardhje në këtë qytet, ku për 22 vite me rradhë Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” është pjesë e këtij emocioni, është pjesë e kësaj ndjenje të madhe, ndjenjës që megjithatë poezia na bën më të ndjeshëm, më të këndshëm dhe në të njëjtën kohë më të mirë.

Ndërkaq, drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu pasi përshëndeti të pranishmit dhe ju uroj mirëseardhje poetëve lexoi një poezi kushtuar Gjergj Kastriotit, që laureati i vitit të kaluar, poeti amerikan, Xhorxh Uallas e ka shkruar me rastin e Vitit të Skenderbeut.

Në fillim të orës së madhe letrare ‘Globi poetik’, aktori Arsim Kaleci recitoi poezinë himn të Festivalit, “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit. Më pastaj, poetët e ardhur nga vende të ndryshme të botës, lexuan poezitë e tyre si; Beat Brechbuhl (Zvicër), Gerry van der Linden (Holandë), Kristian Guttesen (Islandë), Gloria Sofia (Portugali), Elizabeth Greich (Malta), Marisol Bohoruez (Kolumbi), Rokiah Hashim (Malajzi), Primozh Repar (Slloveni), Natalia Trevino (SHBA), Moan Shalabia (Izrael/Palestina), Gema Bocardo (Spanjë), Jon Hoyer (Danimarkë), Giuseppe Napolitano (Itali), Noah Avala (Porto Riko), Silke Blumbach (Gjermani), Lucilla Trapazo (Zvicër), Elena Prenxhova dhe Slagjana Bojanovska (Maqedoni), Erina Çoku, Ylli Çela e Arjan Kallço (Shqipëri), Brahim Avdili e Ndue Ukaj (Kosovë) dhe Bardhyl Zaimi (Maqedoni).
Ndërkaq, anëtari i Jurisë, Ndue Ukaj, lexoi motivacionin që Juria e përbërë nga Prof. Dr. Ymer Çiraku (kryetar), Ndue Ukaj dhe Isuf Sherifi (anëtarë) ia ndanë para një muaji poetit zviceran Beat Brechbuhl, çmimin e madh letrar “Naim Frashëri”. “Poeti Beat Brechbuhl përcjellë në vargjet poetike motive të larmishme dhe me një ekspresivitet e ndjeshmëri të theksuar ideoemocionale. Ndjenjat dhe përjetimet e holla dhe mbresëlënëse të dashurisë, janë si një fill që endet natyrshëm në indet e gjithë kësaj poezie. Kjo dashuri, në fakt ka përmasa të gjera. Ajo nuk mbetet e njëanshme, por shfaqet e përcillet në të tëra rrafshet e saj: si dashuri dhe raport solidariteti human mes njerëzve, apo edhe me tërë shfaqjet e pasioneve të nxehta mes të dashuruarve. Kjo pranëvënie motivesh, krijon një ritëm të ekulibruar e të vlerësuar të kësaj poezie, e cila, shkon te lexuesi me variacione enigmash, imazhesh dhe kumtesh poetike.
Poezitë për njeriun e vetmuar e të mbyllur në guackën e përsiatjeve të natyrës egzistenciale, për njerëzit e margjinalizuar nga jeta, për refugjatë, ciganë…, të gjitha së toku, krijojnë simfoninë dramatike dhe njëkohësisht apelonjëse të kohëve të sotme. Por ato nuk rezulton që të mbeten brenda kornizës së një dëshpërimi fatal, pasi poeti e ka të pranishme edhe shpalosjen e atyre vlerave që sjellin lidhjet dhe solidariteti human – të cilat janë aq të nevojshme e të çmuara mes njerëzve. Ky besim, gjen shprehje të qëlluar dhe mjaft simbolike edhe në krijimin e imazhit poetik të atij çasti agu pranvere, në një nga poezitë e autorit, kur lulekëmborët dalin fitimtare ndaj motit të armiqësuar…

Poezitë e këtij autori të njohur zviceran, me tërë motivet e ndjera e plot vibracione emocionale për dashurinë, për kuptimin e jetës nëpër projeksione egzistenciale, për miqësinë dhe vetminë, për gëzimet dhe humbjet fatale, krijojnë së toku një univers poetik origjinal dhe po ashtu, mjaft tërheqës për lexuesin.
Më pas Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu ia dorëzoi laureatit çmimin e madh ‘Naim Frashëri’, i cili jepet për “Vlera të larta estetike dhe artistike”, si dhe ia dorëzoi titullin Anëtar Nderi të Festivalit, poetit të njohur zviceran Beat Brechbuhl.
Me këtët rast, laureati zviceran Brechbuhl, falenderoi organizatorët dhe Jurinë për dhënien e këtij çmimi të lartë të Festivalit
Titullin e lartë, Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani, e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Fatos Arapi (Shqipëri), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Ali Podrimja Kosovë), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Sebastiano Grasso (Itali), Kuei shien Lee (Taivan), Xhorxh Uallas (SHBA) etj .
Gerry van der Linden.

Në ditën e dytë të Programit, në sallën e hotelit “Lirak” u bë përurimi i pesë titujve të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”. Libri me poezi i laureatëve Xhorxh Uallas, Beat Brechbuhl, dhe Kuei shien Lee, i drejtorit të Festivalit Shaip Emërllahu, si dhe antologjia e poetëve pjesëmarrës të këtij edicioni “Pështjellim i dendur” i përgatitur nga Shaip Emërllahu. Për këto libra folën poetët dhe studjuesit Ndue Ukaj, Xhelal Zejneli, Remzi Salihu dhe Bujar Plloshtani.
Pasdite poetët vizituan vende kulturore dhe historike të Shkupit, si muzeun dhe vendin e shtëpisë së Nënë Terezës, shtatoren e Aleksandrit të Madh dhe shtatoren e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Në mbrëmje, në Teqenë Arabati Baba, u mbajt ora letrare “Poetë dhe vargje” dhe në tingujt e kitarës u kënduan këngë të ndryshme.
Të shtunën, poetët u nisën për në Pogradec. Atje, ata mbajtën pjesën e dytë Programit të Festivalit në bashkorganizim me Bashkinë e Pogradecit.
Programi i Edicionit të 22-të i Festivalit Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” u mbyll me orën e madhe letrare ‘Meridiane poetike’, e cila u mbajt në qendrën e kulturës “Lasgush Poradeci” në Pogradec, ku poetët lexuan poezitë e tyre dhe u ndanë edhe çmimet e tjera letrare të Festivalit.
Çmimi për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetes amerikane, Natalia Trevino.
Çmimi letrar ‘Ditët e Naimit’, që jepet për karrierë letrare iu nda poetes holandeze, Gerry van der Linden.
Çmimin letrar për ciklin më të mirë poetik ‘Oaeneumi’ e mori poeti palestinez, Moan Shalabia.
Çmimin letrar ‘Qiriu i Naimit’ për poezinë më të mirë iu dha poetes maqedone, Elena Prenxhova.
Çmimi letrar ‘Silke Liria’ për shprehjen poetike iu dha poetit korçar, Arjan Kallço.
Në ditën e tretë poetë pjesëmarrës Drilonin, Tushemishtin dhe shtatoren e poetëve, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Në mbrëmje, ata u kthyen në Tetovë.
Drejtoria e Festivalit edhe në këtë edicion botoi antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës, ‘Pështjellim i dendur”, të përgatitur nga Shaip Emërllahu.

Festivalin e moderoi Narta Emërllahu. Poezitë në gjuhën shqipe i lexoi aktori Arsim Kaleci, kurse me kitarë dhe piano i shoqëruan kitaristi Naser Dula dhe pianistja Biondina Selami.
Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Komuna e Tetovë, Bashkia e Pogradecit dhe sponzorët, Vezë Shari”, “Arbi” dhe “Kurtishi”. Ai u ndihmua edhe nga Qendra e Kulturës, SHKA “Xheladin Zeqiri” dhe “Karnevalet Ilire”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button