“Kate nuk është fejuar me Alex”

Këto ditë që ikën, tash shpejt, i dëgjoja lajmet e mbrëmjes në Televizionin publik në gjuhën shqipe. Natyrisht, jo me ndonjë përqendrim, se e dini më… Por, helbete, helbete… Me këtë rast nuk dua të hyj në gjynah e mos ta vë në dukje se një folëse e re që ka ardhur, dorën në zemër, lexon mirë, i shqipton fjalët si duhet, ka diksion, i ka të gjitha. Dhe, atë natë ajo lexonte. Kishte diçka lidhur me Nënën Terezë. Mirë. Nuk më kujtohet lajmi, por, për një çast ma zuri veshi një sintagmë. E në atë sintagmë një fjalë jo të rëndomtë, do të them edhe të vrazhdët, e cila kishte për qëllim që të jetë atribut i bukur i kësaj humanisteje të madhe. Mos ta zgjasim. Midis tjerash folësja tha: NËNA E SHEQERUAR! Natyrisht ata që e dinë se lajmi është përkthyer nga ndonjë gjuhë sllave e dinë se është përkthyer sintagma BLAŽENA MAJKA, që në shqip më së drejti do të kishte qenë Nëna e lumnueme, për shkak se ky mbiemër, e lumnueme, lidhet me fjalët latine me kuptimin e dritës. Prandaj Fan Noli e ka krijuar kalkun i përndritshmi. Por bën edhe e lumturuar, ndonëse nuk shkon gjithaq. (I ka do telashe “standardizimi” i kësaj fjale).

Dhe, nuk është këtu qëllimi të sulmohet folësja, as përkthyesi. Madje u theksua se folësja është e mirë. U mor vetëm një shembull (çfarë mund të gjejmë me qindra gjithandej) që të ngrihet çështja e erozionit që ka filluar ta pësojë gjuha jonë nga të gjitha mediat, kudo që janë: anë e mbanë Shqipërisë, në radhë të parë, e pastaj Kosova i imiton ata. E sa për Televizionin publik të këtushëm, kjo nënkuptohet. Kështu, shpesh kemi shpërdorimin e trajtave të emrit dhe të rasave. Ja disa shembuj: …”zëdhënësi i Alex”…, “…ajo dhe Josh janë shumë të humbur…”,  “…Kate nuk është fejuar me Alex”, “…ky i fundit nuk do ta dërgojë Hudson aq shpejt para altarit…”.

Ec e merre vesh, ec e bjeri në fije këtij lëmshi, ku përdhunohet gjuha shqipe. Ka në këta shembuj budallallëqe të shumta. Lexuesi nuk e di  kush me kë është fejuar, pastaj a bëhet fjalë për ndonjë Kate apo Kejt, për ndonjë Alex apo Aleks, a është Hudson, apo Hadson. Veç kësaj ata që i thonë vetes lektorë të gjuhës shqipe duhet ta dinë se në gjuhën shqipe shquhen edhe emrat e përveçëm, edhe emrat e përgjithshëm. Po ashtu duhet ta dinë se gjuha shqipe ka edhe rasa. Ne nuk mund të themi: E pashë Shpresë, ose doli Shpresë, por e pashë Shpresën dhe doli Shpresa. Këto rregulla vlejnë edhe për emrat e të huajve. Edhe ata do të shkruhen shqip dhe një herë në tekst, në kllapa, shkruhen edhe në origjinal). Pra, do të thuhet, bie fjala: u takua me Hadsonin (Hudson) etj., jo me Hudson. Kurrsesi!

Mendoj se lektorët, kudo që të jenë duhet ta mbajnë fjalorin e drejtshkrimit pranë vetes kur punojnë, sepse ai është ligj i gjuhës. Dhe, do të jetë i tillë deri në çastin kur ata që janë të thirrur ta bëjnë ndonjë marrëveshje të re, ndonjë fjalor të ri drejtshkrimor.

I shoh në këtë situatë erozioni të gjuhës të mjera institucionet e Shqipërisë që janë të thirrura ta mbrojnë shqipen tonë, institucionet e Kosovës dhe natyrisht hidhërimi është i madh edhe me kornizantët qeveritarë në Maqedoni (për shkak të ndjekjes së kuadrove!). Dhe, rri e çuditem me njerëzit që e sigurojnë bukën për këtë çështje dhe nga gjuha shqipe: çka bëjnë alamet universitetet me gjithë ata titullarë, çka bën Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve? Pse nuk e venë dorën mbi vetulla e të shohin si i mbrojnë gjuhët e veta maqedonasit, serbët, kroatët, grekët, francezët e shumë të tjerë.

A u shkon mendja vallë se kjo gjuhë është ajo që e mbron identitetin tonë. E kanë ruajtur të parët tanë të robëruar nëpër mileniume brez pas brezi përmes fjalës së nënës dhe përmes këngës e tregimit popullor. E çka kanë që janë çuar peshë kundër saj arrivistë e mediokritete? Kush ua dha të drejtën atyre të sillen nëpër gjuhë si nëpër livadh të hoxhës? Por është edhe pyetja tjetër: a ka kush që u del atyre përpara?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Ju deshiroj jete te gjate e mendje top z. Xhabir Ahmeti. Te lexojme edhe shume kolumna te shkruara prej jush!

Leave a Reply to Jeta Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button