Maqedoni, këto janë qëndrimet e partive për amendamentet për “çështjen shqiptare”

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin, paralajmërojnë dorëzim të amendamenteve për gjuhën shqipe dhe preambulën, që të njëjtat të miratohen paralelisht me amendamentet e Marrëveshjes së Prespës, ndërkaq BDI, Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin, RDK dhe PDSH, nuk do të dorëzojnë amendamente pasi që tani më me rëndësi është që Maqedonisë t’i hapet rruga euro-atlantike, LSDM pa qëndrim, njofton Portalb.mk.

Fadil Zendeli
Fadil Zendeli

Lëvizja BESA me kryetar Kasamin, do të dorëzojë amendamente për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoni, mostrajtim të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe si pakicë dhe 20 përqindësh dhe për zyrtarizmin e gjuhës shqipe.

“Si parti politike kemi njoftuar se do të jemi pjesë e procesit për miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërkaq do të intervenojmë me amendamente kushtetuese për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Nuk mundemi të pranojmë, pas 27 viteve, këto  të drejta të jenë për “kohëra më të mira”. Vlerësojmë se tani është momenti që të hapen këto çështje. Ne e përkrahim Marrëveshjen e Prespës, por paralelisht me këtë do të intervenojmë me amendamente pasi që Qeveria ta dorëzojë propozimin. Nuk themi kurrgjë diçka të re, janë çështje të reja – konform debatit ne do të intervenojmë me amendamente. Do të kërkojmë barazi të plotë për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, shqiptarët nuk mund të trajtohen si pakicë dhe gjithashtu do të kërkojmë zyrtarizmin e gjuhës shqipe”, tha deputeti i Lëvizjes BESA me kryetar Kasamin, Fadil Zendeli, duke mos qenë decid nëse do ta kushtëzojnë votimin e tyre me amendament tjera.

Surija Rashidi, deputet i LR-PDSH-së (Aleanca për Shqiptarët)
Surija Rashidi

Edhe Aleanca për Shqiptarët, ashtu siç ka paralajmëruar edhe më herët, do të dorëzojë amendamente në lidhje me gjuhën shqipe dhe preambulën.

“Ne ashtu kështu kemi paralajmëruar se do të propozojmë amendamente, por fillimisht do ta shohim propozimin e Qeverisë se çfarë do të propozojë ajo dhe mandej do t’i shqyrtojmë. Ne do të propozojmë amendamente për preambulën dhe për gjuhën shqipe”, tha për Portalb.mk, deputeti Surija Rashidi.

Në lidhje me atë se a do t’i bëjnë bashkë amendamentet me Lëvizjen BESA të krahut të Kasamit, ai tha se do të diskutojnë.

 

“Jo” kushtëzim të procesit euro-integrues me amendamente shtesë

Aleksandar Kiracovski
Aleksandar Kiracovski

LSDM-ja, nuk ka ndonjë qëndrim konkret për atë nëse do të pranohen ose jo amendamentet e paralajmëruara, por thonë se të njëjtat do të shqyrtohen dhe për ato do të vendos shumica parlamentare.

“Çdo propozim-amendament, vlen të shqyrtohet pasi që fillimisht është dorëzuar nga deputet, apo i zgjedhur nga qytetarët, ndërkaq a do të votohet dhe a do të jetë i pranueshëm, do të shohim në periudhën e ardhshme, Realisht, ajo që do të kalojë në Kuvend, do të jetë pasqyrë e disponimit të shumicës në Kuvend”, tha në konferencë për shtyp deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, duke shtuar se nuk ka kontaktuar me partitë në fjalë, që do të propozojnë amendamente.

Në ndërkohë, partitë shqiptare të koalicionit qeveritar, vlerësojnë se tani për tani është e rëndësishme që të kalojnë ndryshimet kushtetuese, me qëllim që Marrëveshja e Prespës të hyjë në fuqi dhe Maqedonisë t’i hapet rruga euro-atlantike.

Artan Grubi
Artan Grubi

Artan Grubi nga BDI në një deklaratë për Portalb.mk, paralajmërimet për amendamentet në lidhje me çështjen e gjuhës shqipe dhe çështjen e ndryshimit të preambulës, i quan propagandë ditore politike.

“Amendamente mund të dorëzohen vetëm për nenet që propozohen për ndryshim e jo në nene tjera. Ky folklorizëm analfabet dhe injorant i partive të vogla me fjalë të mëdha flet për mungesën e identitetit partiak, politik dhe shfaq mosnjohurinë, jo-kreativitetin dhe përpjekjen e dështuar për t’u faktorizuar nëpërmjet derës së vogël, por pa e pasur çelësin e duhur për ta hapur. Ato që kanë mbyllur syrin dhe janë strukur kur të drejtat kombëtare janë realizuar, sot, të vonuar e të paditur, pasi që kanë fjetur 15 vite, përpiqen të shesin mjegull. Rruga e vendit drejt NATO-s dhe BE-së nuk guxon në asnjë mënyrë të pengohet, e aq më pak të shfrytëzohet për propagandë të thatë ditore partiake”, vlerëson Grubi.

Afrim Gashi

Nga Lëvizja BESA me kryetar, Afrim Gashin, thonë se për ata është e rëndësishme që të miratohet Marrëveshja e Prespës, pasi që momentalisht sipas tyre, nuk ka interes më të madh për shqiptarët se sa hyrja e Maqedonisë në NATO.

“Tani që arritëm ta hapnim rrugën për ndryshimet kushtetuese, për ne është e rëndësishme që të përmbushim detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Prespës dhe Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s. Jemi të fokusuar në këtë çështje, sepse mendojmë që aktualisht nuk ka interes më të madh për shqiptarët në Maqedoni sesa hyrja në NATO”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i Partisë, Orhan Murtezani.

Vesel Memedi
Vesel Memedi

Edhe Vesel Memedi nga RDK, nuk është që procesi implementimit të Marrëveshjes së Prespës të kushtëzohet me amendamente tjera, pasi që e njëjta do t’u shërbejë forcave destruktive në vend dhe rajon.

“Këto janë momente dramatike, dhe secili që do të mundohet të luajë rolin e patriotit 5 minuta para 12, me kushtëzime, jo vetëm që do të vonojë procesin, por do t’u shërbejë forcave destruktive në vend dhe rajon. Koha e patriotizmit ka mbaruar”, thotë për Portalb.mk, Memedi.

Gjithashtu edhe nga PDSH, kanë paralajmëruar se nuk kanë ndryshim të qëndrimit të tyre se do ta përkrahin Marrëveshjen e Prespës.

Menduh Thaçi
Menduh Thaçi

“PDSH do të vazhdojë ta mbështes taksativisht procesin e ndryshimeve kushtetuese që burojnë nga marrëveshja e Prespës, si dhe të procesit të reformave për integrimin e plotë të vendit në NATO dhe BE”, citohet të ketë thënë kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, sot gjatë takimit me ambasadorin Xhes Bejli dhe zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Methju Palmer.

Ndryshe, nëse partitë opozitare do ta kushtëzojnë votimin e amendamenteve të Marrëveshjes së Prespës, kjo do të nënkuptojë se kryeministri Zoran Zaev, do të humb 4 deputetë, nga 80-të e siguruara që votuan “për” hapjes së procedurës për ndryshimet kushtetuese.

Maqedoni, ndryshimet kushtetuese kaluan leximin e parë (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button