Deputetët e shkarkuar nga VMRO-DPMNE: Votuam për interesin e shtetit, jo për para

“Nuk kemi marrë para por kemi votuar sipas bindjes për interes të shtetit për një Maqedoni demokratike të integruar në NATO dhe BE”. Ky ishte mesazhi i 4 deputetëve të cilët për Tv21 kanë rrëfyer shkaqet se përse votuan PRO këtyre ndryshimeve. Ata thonë se janë 24 orë nën mbrojtje të policisë për shkak të rrezikimit të sigurisë së tyre.

“Unë me mendim të pastër, me guxim dhe me gjitha argumentet vendosa, Maqedonia ta ketë rrugën e vetme drejt integrimit në BE dhe NATO. Ardhmëria për familjet tona, për shtetin tonë dhe për perspektivat tona, si RM, njëherë e përgjithmonë të përfundojmë me ndarjet mes patriotëve dhe tradhtarëve, mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Ne jemi një familje, e cila duhet të hapërojë bashkë drejt integrimit në BE dhe NATO, me përkrahjen e plotë të miqve tanë të Uashingtonit”, tha Sasho Vasilevski- Deputet, Anëtar i shkarkuar nga VMRO-DPMNE.

“I hedh poshtë spekulimet dhe insinuatat të karakterit kompromitues. Vendimi është sjellë sipas bindjes individuale. Për fat të keq, vendimet e duhura nuk janë gjithmonë të njohura, por duhet të mbizotërojë mendja e shëndoshë. Vendi ynë është në NATO dhe BE. Duhet të ketë pajtim nacional për të vazhduar përpara”, u shpreh Emilija Aleksandrova- Ish Deputete e VMRO-DPMNE-së.

“Kategorikisht i hedh poshtë të gjitha pohimet për trysni të ushtruar. Votova sipas bindjes sime dhe duhet t’i jepet shans procesit, i cili do ta afrojë Maqedoninë drejt NATO-s dhe BE-së, që në fakt është edhe qëndrim i çdo strukture politike në Maqedoni, gjatë pothuajse 30 viteve të fundit”, tha Nola Ismajlovska Starova- Ish Deputete e VMRO-DPMNE-së.

“Në vend se të zgjohemi në fillim të një kaosi, Maqedonia u zgjua në fillim të zgjidhjes së krizës. Këto janë arsyet e vërteta për të cilat votuam dhe vendimi ynë është pasoja e këtyre përpjekjeve. Vendimi u soll pa asnjë trysni nga dikush, por si vullneti ynë i lirë, mbi bazë të përgjegjësisë politike, që e kemi pasur në atë moment vendimtar për vendin tonë. Gjithçka tjetër është spekulim dhe shpifje, të cilat nuk do të kalojnë pa u sanksionuar”, u shpreh Zekir Ramçiloviç, Deputet i Boshnjakëve, AVAZ.

Pasi u votua hapja e procedurës së ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi filloi përpunimin e amendamenteve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button