Vasili: Kodi zgjedhor verifikohet në zgjedhjet e 2013-ës

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, e konsideroi sot arritjen e kompromisit për reformën zgjedhore mes PD-së dhe PS-së si “pozitive në planin politik”, sepse theksoi ai, “në fund të fundit përmbush në një farë mënyre një nga kushtet e rëndësishme që e lidhin Shqipërinë me procesin e përftimit të statusit të vendit kandidat”.

“Sot mund të themi që kemi një kusht të realizuar”, tha Vasili, duke shtuar se “tashmë kompromisi është arritur dhe ky kompromis ka një provë serioze, një provë të së vërtetës në zgjedhjet e vitit 2013, kur ne të gjithë së bashku do të kemi mundësi të shohim këtë kod me këto ndryshime”.

“Ky kod, i arritur përmes këtij kompromisi të vështirë dhe mjaft të zgjatur dhe të tepruar në kohë, a do t’i rezistojë provës së zgjedhjeve me sukses, për të prodhuar zgjedhje të pa kontestuara, zgjedhje të administruara në mënyrën më të mirë, që prodhojnë rezultatin shpejt dhe mundësojnë veprimin e qeverisë në kohën më të shkurtër. Këto janë pyetje, përgjigjen e së cilave do ta marrim në vitin 2013”, tha Vasili.

“Sot kemi një kompromis që quhet tashmë i kryer. Ata që arrijë kompromiset marrin dhe përgjegjësitë përsipër, përgjegjësi që përbëhen nga votat parlamentare që ato kanë. Është e qartë që në kontekste të tjera parlamentare mund të kishte kompromise të tjera dhe zgjidhje të tjera. Kjo përgjegjësi e madhe, që është përgjegjësi në nivel kombëtar, ka një moment verifikimi të rëndësishëm dhe ky është momenti i zgjedhjeve”, u shpreh Vasili, transmeton BalkanWeb.

Ndërkohë Vasili foli edhe për Konventën Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila do të mbahet në shtator.

Do të jenë rreth 1508 delegatë nga e gjithë Shqipëria që do të votojnë për zgjedhjen e kryetarit të ri të LSI-së, në bazë të parimit 1 anëtar një votë.

Sipas Vasilit, “kjo parti vjen me një risi në këtë konventë, me një formulë të re në kuotimin e përfaqësimit, ku 30 për qind e përfaqësimit do të vijë nga Lëvizja Rinore për Integrim, 30% nga Lëvizja e Gruas për Integrim dhe 40 për qind nga LSI”.

Ky hap i hedhur, sipas nënkryetarit të LSI, “krijon më shumë hapësira për të rinjtë dhe gratë në përfshirjen e tyre në vendimmarrje e politikë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button