fbpx

Pas rrëfimit publik, Vasfije Krasniqit iu pranua statusi i viktimës së dhunës seksuale

Ka disa muaj që Vasfije Krasniqi kishte aplikuar për t’iu njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale.

Por ky status asaj i është njohur vetëm pak ditë pasi ajo vendosi që publikisht të flasë për dhunimin që i ishte bërë nga dy serbë gjatë luftës në Kosovë, raporton KTV.

Ndonëse ekziston një aktgjykim i Gjykatës Supreme, që vërteton se Vasfije Krasniqi ishte dhunuar nga dy persona, Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës i janë dashur muaj që ta marrë vendimin për Krasniqin.

E ky vendim Krasniqit iu nda vetëm një ditë pasi presidenti i vendit e dekoroi atë me medalje presidenciale.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, në orët e pasdites, ka pritur në një takim Vasfije Krasniqi-Goodmanin dhe drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.

Gjatë takimit, në mënyrë simbolike, ministri Reçica dhe kryetarja e komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të dhunuarve gjatë luftës në Kosovë, Minire Begaj, i dhanë Krasniqi-Goodmanit vendimin mbi njohjen.

Në njoftimin e dërguar nga kjo ministri, thuhet se Reçica ka përgëzuar Vasfije Krasniqin për kurajën dhe vullnetin për të rrëfyer ngjarjen e saj, duke u bërë zëri që theu heshtjen që na përcolli për shumë vite.

Dy serbët, të cilët dyshohet se e kishin dhunuar Vasfije Krasniqin, ishin lënë të lirë nga Gjykata Supreme, e cila kishte thënë se identifikimi i autorëve të krimit nuk është bërë në mënyrë të duhur, duke bërë që të mos vërtetohet përtej dyshimit të bazuar që të pandehurit në këtë rast ishin personat, të cilët e kanë kryer dhunimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button