ME AMERIKË A ME RUSI?

Pas dështimit të referendumit për ndryshimin e emrit të shtetit, që është kusht për integrim në NATO dhe BE, pritet me ankth miratimi i Marëveshjes së Prespës në kuvend, nëse dy të tretat e kuvendarëve votojnë PRO. Por, meqë partitë në pushtet nuk e kanë numrin e mjaftueshëm të kuvendarëve, fati i Marrëveshjes mbetet pezull dhe varet nga disa kuvendarë të VMRO-së, për të cilët thuhet se nuk pajtohen me kreun aktual të partisë së tyre, që ditëve të fundit e ka intensifikuar betejën kundër ndryshimit të emrit të vendit, përkatësisht kundër ndryshimit të Kushtetutës.

Për sa i takon qëndrimit këmbëngulës të VMRO-së opozitare, që drejtohet aktualisht nga z.  Hristijan Mickovski, nuk kam ç’të them asgjë të re, sepse gjithçka dihet prej kohësh, veçmas pozicionimi i saj pro rus dhe antishqiptarizmi konstant, i manifestuar më herët edhe prej LSDM-së…, hiq qeverinë e z. Zaev, që akoma ka mundësi të dëshmojë me vepra konkrete se dallon prej qeverive pararendëse kur jemi në pyetje ne shqiptarët. Tani më e kanë të qartë edhe të fjeturit se partia e Gruevskit dhe pionit të tij të sotëm vetëm deklarativisht ka qenë/ është pro-perëndimore, sa për të zhvatur ndihmat dhe huatë e pandërprera, pa të cilat vendi do të kishte dhënë shpirt që moti. Tani më nuk është fshehtësi se subjekti në fjalë prihet nga ide të dala boje edhe në kontinentin afrikan, sepse as atje nuk gjenë më shtete xhuxhe që ëndërrojnë ushtrimin e hegjemonisë mbi të pambrojturit, me arsyetimin se kombi i tyre është biblik dhe për pasojë duhet të diciplinojë të tjerët me metoda makiaveliste.

Në favor të kësaj shkon dhe përgjigja mospërfillëse e Mickovskit dhënë letrës së ndihmës sekretarit të SHBA-ve A. Wess Mitchell-it, i cili shprehu keqardhjen dhe zhgënjimin e superfuqisë që përfaqëson për bojkotimin e referendumit që lidhej me Marrëveshjen e Prespës, duke i sugjeruar Mickovskit që shantazhet e njëjta të mos i përsërisë edhe në seancën kuvendare të paraparë për ditën e sotme.

Për ata që e dinë peshën që ka diplomati A. Wess Mitchell-i, përgjigja arrogante e kryetarit mendjemadh të VMRO-së, që është në të njëjtën vijë me qëndrimet e kryetarit qeshit të shkretishtes, në të cilën na ka dënuar Zoti ta shkërmoqim jetën, duket si e shkruar prej një burrështetasi gjigant, i cili drejton një shtet të fuqishëm dhe me ndikim në politikën globale. Por për këtë, aq sa ka faj Mickovski dhe subjekti që drejton, ka dhe zoti Zaev dhe qeveria e tij, sepse, ky i fundit duhet të jetë transparent lidhur më përmbajtjen e Marrëveshjes së nënshkruar me palën greke në Prespë, duke shpalosur e arsyetuar të njëjtën nen pas neni. Kjo, sepse populli nuk i kupton gjërat me të parën dhe ka frikë nga ndryshimet dhe të panjohurat që lidhen me përfitimet dhe humbjet eventuale pas aktit të miratimit të saj.

Në vend të kësaj, z. Zaev doli dhe ofroi amnesti për kriminelët që dhunuan barbarisht kuvendin republikan, duke i dhënë oponentit të tij politik mundësinë e bërjes së liberalit, që tani shtirret se gjoja nuk do falje po do drejtësi për turmën e hienave të cilën e ndërsyen vetë për të likuiduar të zgjedhurit e popullit.

Përtej kësaj, deklarata fatkeqe e kryetarit të qeverisë i trimëroi VMRO-istët dhe hidhëroi shqiptarët, bashkëkombasit e të cilëve dergjen burgjeve si viktima të rasteve të montuara, për të cilat z. Zaev ka folur hapur me rastin e shpërthimit të bombave të famshme…

Qeveria aktuale duhet të bëjë edhe diçka tjetër pa “pët” syry prej mickovskëve, që e mbajnë gjallë partinë me antishqiptarizëm banal. Ajo (qeveria) duhet ta thotë publikisht se, me rastin e ndryshimit të Kushtetutës për çështjen e emrit të vendit, duhet të mbyllet si e do drejtësia edhe statusi i shqiptarëve dhe i gjuhës së tyre shqipe. Në vend të marrjes me të mirë të antishqiptarëve dhe antievropianëve të pandreqshëm, si: Grueski, Jankullovska, Janakievski…, vendi i të cilëve është burgu, lidershipi maqedonas duhet t’ia bëjë me dije popullit të painformuar se shqiptarët kurrë dhe me asnjë çmim nuk do të pranojnë të jetojnë në një koloni ruso-mongole, për qejfin e të tjerëve.

Për ta bërë këtë, atij sigurisht i duhet dhe ndihma e subjekteve politike shqiptare, e cila këto gjëra akoma i bisedon me vetveten.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button