Spasovski: Maqedonia në mënyrë sistematike lufton kundër tregtisë me armë

“Të vetëdijshëm për faktin se përdorimi dhe dsponueshmëria e armatimit të paligjshëm drejtpërdrejt ndikon negativisht jo vetëm ndaj trendëve gjithëpërfshirëse në fusha të ndryshme të krimit, por mund të ndikojë edhe drejtpërdrejtë ndaj destabilizimit të vetë shoqërisë, vitet e kaluara Maqedonia është fokusuar në ndërtimin e një qasje sistematike, të integruar drejt luftës kundër tregtisë së paligjshme me armë dhe materialeve eksplozive në të gjitha aspektet e saja – edukative, organizative, legjislative dhe të ngjashme pastaj, në mënyrë të përkushtuar duke u angazhuar edhe në shumë projekte ndërkombëtare, programe, iniciativa dhe aktivitete në shkatërrimin e tregtisë me armë dhe materiale eksplozive”.

Këtë sot e ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në fjalimin në mbledhjen e grupeve lokale për koordinim për tregtim të paligjshëm me armë të vendeve nga Ballkani Perëndimor që është mbajtur në Shkup, kumtojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, njofton Portalb.mk.

“Në periudhën e kaluar Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar si institucion në të cilën kompetencë ligjore është menaxhimi me këtë problematikë, ka bërë shumë në standardizimin dhe implementimin e normave, iniciativave, rekomandimeve në lidhje me vendosjen e tregtisë së paligjshme me armatim të lehtë, municion, materiale eksplozive, duke ndërtuar koncept të veprimit, të qëndrueshëm dhe kredibil. Me qëllim të avancimit të politikave dhe standardeve në këtë fushë, ne kemi përgatitur edhe Strategji të re për kontroll të armatimit të lehtë dhe të vogël, e cila në mënyrë përkatëse i determinon dhe definon trendët e reja dhe sfidat, por edhe drejtimet, gjegjësisht prioritetet për veprim. Pastaj është krijuar edhe një sistem i koordinuar për veprim ndërinstitucional të gjithë aktorëve relevantë, përfshirë edhe sektorin civil, që të veprojnë në mënyrë efikase, funksionale dhe kualitative”, tha Spasovksi.

Ndryshe, duke e njohur nevojën për veprime më të integruara dhe më të koordinuara për ballafaqim me problemet e AVL-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Gjermania dhe Franca ndërmorrën një nismë të përbashkët për koordinimin e donatorëve, në lidhje me trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit dhe kontrollin gjithëpërfshirës të AVL-ve. Kjo nismë ka qasje në dy nivele.

Plani i veprimit rajonal me objektiva specifikë dhe të matshëm për të reduktuar trafikimin e paligjshëm të armëve të vogla deri në vitin 2024, i cili u përpunua dhe u dakordësua  nga ana e partnerëve nga Ballkani Perëndimor. Ky dokument përbën bazën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit të donatorëve dhe autoriteteve të Ballkanit Perëndimor. Dokumenti u miratua zyrtarisht nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive në Samitin e Ballkanit Perëndimor të Procesit të Berlinit, i mbajtur më 10 korrik në Londër.

Në nivel kombëtar, takime koordinuese të donatorëve, me të cilat kryesojnë Gjermania dhe Franca, e që këtë vit organizohen te të gjithë gjashtë partnerët rajonalë, për të siguruar një analizë të përbashkët nga ana e autoriteteve kombëtare dhe partnerëve ndërkombëtarë mbi prioritetet e përmirësimit të luftës kundër trafikut të paligjshëm të armëve të zjarrit, si dhe për të identifikuar mundësitë për bashkëpunim të mëtutjeshëm dhe nisma të përbashkëta të programimit. Takimet gjithashtu kontribuojnë në përgatitjen dhe përpunimin e planeve kombëtare të veprimit për zbatimin e planit rajonal.

Katër mbledhjet e para kombëtare të donatorëve u mbajtën në Podgoricë më 2 shkurt, në Beograd më 18 prill, në Sarajevë më 5 qershor dhe në Tiranë më 20 shtator.

Më 11 dhjetor, Franca, në cilësi të vendit nikoqir, do të organizojë një konferencë të nivelit të lartë në Paris, për të shqyrtuar rezultatet e takimeve koordinuese të donatorëve, për të prezantuar planet lokale të veprimit për implementimin e Planit Rajonal, si dhe për të identifikuar kontributet e donatorëve për financimin e këtij plani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button