fbpx

MISTERI I BOTËS SË GRUAS NË SKENË

Nga Festivali Teatrit Shqiptar në Dibrën e Madhe

Francezi Robert Thomas (1927-1989), aktor, regjisor e dramaturg njëkohësisht, njohës i thellë i “skutave të teatrit”, pasi ka njohur mirë “basifondet” e jetës reale, ku ngërthehet e mira me të keqen, e bukura me të shëmtuarën, realja me irealen, jeta me vdekjen, na ravijëzon aq bukur sintezën e botës së gruas, tek përleshen demonët me engjëjt. Në rrethanat tronditëse të një krimi, që sajohet enkas, si pretekst zhbirimi, për zbulimin e një të vërtete, qe autori do ta shpalos gradualisht në karakteret e tyre, të fshehur brenda shpirtrave  të gjymtuara, ku ka “bërë fole” përulja ndaj burrit, ndaj prindit, ndaj zyrtarit e ligjit të shtetit, kur dhuna e heshtja bëhen të pranishme në gjithë jetën e tyre. Diskriminimi e degradimi moral e shpirtëror shkojnë paralelisht me devijimet që peson personaliteti i këtyre grave “të ngujuara” me mungesën e lirisë, me zhgënjimet, dhunimet seksuale dhe me incestet kafshërore.. Kemi të bëjmë me fatin tragjik të gruas në një shoqëri ku sundon pabarazia, shthurja e moralit dhe e së drejtës, si vlera qytetare të padiskutueshme. Që të gjitha këto tipare, autori i përmbledh në jetën e këtyre 8 grave, për ti shprehur në trajtën më alarmuese, si kåmbana kishe që bien pa ndërprerje deri në zgjimin  tone, si te ishte një klithmë: “O njerëz! Po dhunohet krijesa më e bukur që ka krijuar mëma natyrë!”,- sikundër thoshte Shekspiri i Madh që para pesë shekujve, për ato që lindin jetën me dashuri e me dhimbjet e tyre! Një klithmë që vjen po e njëllojtë deri në ditët tona…

Shkruan: Miho Gjini, shkrimtar

Regjisori Qendrim Rijani, tashmë i njohur në të gjitha trevat shqiptare për venien në skenë të një  sëri veprash serioze e gjurmëlënëse, është treguar krijues i mirëfillt edhe me këtë vepër të francezit Robert Thomas, i cili e afron atë me komedinë e zezë të karakterit triler, nga vet pasioni i tij ndaj pjesëve policore. Regjisori Rijani, përkundrazi, ndërton një dramë psikologjike, duke u mbështetur në traumën e e shkatrimit të identitetit të një familjeje, ku ka hyrë “krimbi” i kalbëzimit, i degradimit, i dhunës, i urrejtjes, i abuzimeve seksuale e  i incestit kafshëror. Deri në imazhin e një krimi ireal që do të bëhet real, pas shpalosjes së traumës që ka brrejtur këtë familje të degraduar. Sipas konceptit regjisorial këtu është një burg grash  të dënuara perjetësisht që të degradohen dhe, jo pa qëllim, ngrë në skenë një koshere gjigande bletësh, me kuptimin e dyfisht që aty është ndrydhur qumështi i  bletës, si qumështi i gjirit të gruas që u jep jetë femijëve  e, në të një njëjtën kohë, aty brenda, është edhe bota e mbyllur e bletëve (lexo: e grave)”, të cilat gumëzhijnë me njera -tjetrën tërë jetën e tyre! Ne do të njihemi me këto personazhe, gra e vajza, përmes një ekspozicioni të tipit të manekinave në avanskene, të veshura si dokudo, të mbështjellura me shalle e me gojët e mbërthyera me fasho plastike, si smbol i një dhune barbare që u’a ka “prêrë gjuhën” këtyre krijesav të “nëmura”. Po aty, sejcila shpalos jetën e vet të dhimbëshme, përmes monologjesh drithëruese. Zhvillimi i spektaklit është po aq i qetë dhe i trishtuar, po që do të tronditet nga krisma e një kobureje dhe mbyllja e një dere nga brenda ku ka ndodhur “vrasja”, sipas tyre, por që nuk do të jetë e tillë, deri sa “të derdhet” i gjithë mllefi i tyre, urrejtja, hipokrizia, makutëria, si edhe të shpaloset ana e dyzuar e karaktereve, e perversitetit, deri në inceste seksuale të neveritëshme! Rijani ndërton këtu mizanskena të gjalla, nganjëherë të egëra, me plotë jetë  të vërtetë, pa u kursyer edhe në zhbirimin e anëve të erëta të këtyre grave në degradim e sipër. Ato janë të mposhtura nga frika, nga dhuna e egër e do të mungojë ndër to guximi edhe për të mbrojtur vetveten, apo edhe krijesat e veta, ndonse jo në udhën normale të dashurisë. Dhe publiku do të ndodhet kështu përball dy aborteve që regjia i server në trajtën më të lemerishme, si në thertore, derisa tejkalohet masa e estetikës teatrore. Ndofta regjia u bie këtu kambanave të alarmit me të drejte, veçse doza e makabritetit, mundej të retushohej, për të mos rrën në aspekte të natyralizmit. E megjithatë, është spektakli në tërësi që e lançon vleren e artit, është harmonia në ndërlidhjen e komponentëve autor-aktor-regjizor-piktor-kompozitor e kostumograf që krijojnë atë vlerë emocionale të shumëfisht, duke evidentuar talentin e këtij regjisori të kudondodhur ndër mjediset tona teatrore.

Shfaqja “Gratë”

Dhe vijmë kështu tek 8 aktoret që e mbajn “mbi supe” e në shpirtin e tyre këte shafaqje të nivelit të lartë. Sipas renditjes së aktoreve në Flete-Palosje, ku si zakonisht mungojn emrat e personazheve(!?), le të shprehemi: Teuta Ajdini Jegeni, e cila u çmua si aktore veterane, që e nderon këtë festival me rolin e gjyshes, vjehrrës së Marselit, nënës së Gabit dhe të Ogystinës, jo vetëm që u shqua për zërin e ngoht dhe diksionin e pastër e tingëllues në gjuhën shqipe, po krijoi karakterin e plotë të gruas së heshtur, të destinuar t’a mbajë gojën mbyllur edhe në çaset që do të martohet me një burr të panjohur e do të flerë me të për herë të parë! Dhe që do të lindë disa fëmije e mbësa, duke u rropatur, derisa të përballet me dramat e tyre po të njëllojta si edhe të saj!! E sakte, stoike e autoritare është këtu Drita Kaba Karaga, në rolin e shërbyeses së shtëpisë Shanela, si qënia më fjalëpak, vëzhguese e mprehtë, me po ato drama të  heshtjes ndër prapaskenat që ajo i ka parë me sytë e veta. Amernis Jovanovska Nokshiqi, ne rolin e motrës së Marselit Pjereta, sharmante si femer, qeparis nga shtati, që do të hynte në këtë familje për t’iu imponuar që të gjithëve e për t’i shkatëruar që të gjithë, si grua sensuale, e lozur si e tillë me një natyrshmëri të rrallë, elegante e sugjestive. Vjollca Bekteshi Hamiti, në rolin e Gabit, gruas së Marselit, që u shpall si aktoria më e mirë për rolin e protogonistes në shfaqjet e këtij festivali, është këtu e dyzuar, me botën e saj të mistershme, midis jetës reale të gruas e jetës së saj të fshehte seksuale. Ka këtu një proces zhvillimi interesant e të pandërprer, me një energji aktoreske të pashtershme. Aida Alidemi, kamarjeria e shtëpisë, shtatlarta elegante, si e  “prerë me gërshërë” në të njejtën masë me aktoren Amernis, interpreton këtu rolin tragjik të femrës së dhunuar përsëdyti herë, që do të pëballej më pas me “operacionin” barbar , per t’i nxjerrë së gjalli fëmijën e vdekur e të gjymtuar, në monologun e së cilës shihet dhembja e jashtzakonshme ,  përcillet me natyrësi e vertetesi aktrimi mjeshteror. Korrekte në linjat  e tyre të interpretimit janë edhe aktoret Zarije Jonuzi, Mirlinda Saiti e Aida Elezi. Mirlinda Saiti-Syzana,  vajza e madhe e Marselit dhe e Gabit, që kthehet nga Londra, ku studjon për aktrim, duket sikur sjell një fllad freskimi në skenë, por që do ta komplikoj gjëndjen ca më teper akoma, kur do të zbulohet lidhja e saj e fshehtë me Marselin, burrin e motrës, me të cilin ëndrronte të kishte një fëmijë e që aktorja Saiti, do të kalonte kthesën e saj të trishtuar, në kundërshtim me gazmendin që solli me ardhjen e saj, Po  kaq e vërtetë është edhe Zarije Jonuzi, interpretuesja e Ogystinës, motrës së Gabit,me ëndrrimin e vet për të lindur një fëmijë me Marselin, -gje qe nuk ka per të ndodhur Po mbetet si përfundim njëfarë “lemshi” ogurzi , i tejshkuar nga jeta e mbyllur e incestet brenda familjes, si një shuplakë tronditëse, me një aksentim ulëritës. E gjithçka do të mbyllet me monologun sarkastik të aktores Aida Elezi, në andresë të të gjithë burrave mëkatar, të cilët tek femra shohin vetëm gruan qe bënë punë e fëmijë e jo pozicionin e saj shoqëror, ne suazën e fisnikërisë, te dashurisë së vërtetë , të moralit të lartë, jashtë cdo dhune e poshtërimi.

Dhe kështu do të mbaroj kjo dramë  e shkruar që në vitin 1961  nga francezi Robert Thomas me tetë personazhe gra dhe me një burr që nuk del fare në skenë dhe që do të behet protagonist i kësaj shfaqjeje, për të përfunduar në vetëvrasje, pasi merr vesh të vërtetën kriminale rreth vetvetes! Të tilla shfaqje teatrore si “GRATË” e Teatrit Shqiptar të Shkupit që u shpall edhe si shfaqja më e mirë e Festivalit te Teatrit Shqiptar në Dibrën e Madhe të Maqedonise,kanë vlerën e qindra-mijëra leksioneve të universiteteve, të faqeve te panumërta të gazetave, kanaleve televizive e të forumeve të partive politike, që hera-herës bëjnë sikur e lartësojnë figurën e gruas nga njera ane, për të gjetur, nga ana tjetër, “shtigje” për t’a keqpërdorur atë, për t’a dhunuar e poshtëruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button