Shalli i zi

Shalli i zi

Vështroj si i çmendur këtë shall pis të zi,
Dhe shpirtin e ftohtë ma mbyt nj’i angushti.
I ri kur kam qenë, plot vrull, guximtar,
Një greke të bukur e desha me zjarr.

Dhe puthjet e saja nuk kishin mbarim,
Por, ishte i shkruar i zi fati im.
Një natë po pinja me miq në gosti,
Kur portës trokiti nj’i i lig jahudi.

“Ti pi e defrehesh” çifuti më tha,
“por grekja e bukur, të shkoi e të la”
I dhashë të holla me lot e mallkim,
Dhe thirra tronditur të vijë skllavi im.
Dhe dolëm…
Vraponim mbi kuajt, veri,
Mëshira më flinte këtu m’u në gji.

Dhe porsa e pashë, oh, pragun e saj,
m’u errën krejt sytë, m’u mbushën me vaj.
Dalldisur shoh vajzën që mua s’më ndjen,
Në krah e pushtonte plot afsh një armen.

Prap sytë m’u errën e thika gjëmoi,
Ai, as të puthurën dot se mbaroi.
Kufomën e shtyva me këmbë.
Pastaj…
Vajtova mbi vajzën, mbi gjoksin e saj.

Kujtoj si po dridhej, si lutej ngadalë…
Më vdiq dhe kjo greke më shkoi dhe ky mall!
Dhe shallin ja hoqa, s’iu desh ai më,
Çelikun e thikes e fshiva me të.

Dhe skllavi kur nata gjithë gjurmët i humb,
Kufomat e tyre i hodh’ në Danub.
Q’ahere nuk puthë sy të bukur më jo,
Dhe net gëzimesh q’ahere nuk njoh.

….Vështroj si i çmendur, unë, shallin e zi,
Dhe shpirtin e ftohtë ma mbyt nj’angushti.

Aleksander S. Pushkin

Lajme të ngjashme

Back to top button