Mediat e kanë për borxh t’i edukojnë qytetarët për rëndësinë e proceseve politike, e jo vetëm t’i informojnë ata

Burimi: KriThink

A edukojnë mediat në Maqedoni? A mëson lexuesi diçka më tepër se sa një informacion të gjymtë të transmetuar sipas interesit: nga institucionet, politikanët, apo aktivistët politik? A duhet mediat të shërbejnë si platformë për edukim dhe mobilizim të votuesve, apo promovim të politikanëve dhe ideve politike?

Shkruan: Xhenis Sulimani

Këto pyetje, sidomos pas referendumit të 30 shtatorit duhet të trajtohen më thellësisht. Doemos, duhet të trajtohen më shumë për të zhvilluar një shoqëri demokratike, të hapur dhe aktive.

Media dështoi ta bind opinionin për rëndësinë e referendumit në momentin kur u nda në tri pjesë

Pas shpalljes së datës për referendum dhe njoftimit të opinionit me pyetjen që do të parashtrohet në të, u ndanë edhe mediat. Kësaj here jo në dysh, po në tresh. Opinioni bombardohej me informacione se duhet të votohet “për” në referendum, pse duhet të votojë “kundër” në referendum dhe pse duhet të bojkotojë.

Duke pasur parasysh rëndësinë e referendumit dhe rëndësinë e votës që duhej të jepej, gazetarët është dashur që në çdo produkt gazetaresk të theksojnë se, sovrani, përveç zgjedhjeve, mënyrë tjetër të deklarimit politik ka edhe referendumin dhe se kjo çështje garantohet me Kushtetutë.

“Në Republikën e Maqedonisë sovraniteti buron nga qytetarët dhe u takon qytetarëve.
Qytetarët e Republikës së Maqedonisë pushtetin e realizojnë nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet referendumit dhe formave të tjera të deklarimit të drejtpërdrejtë.”

Media duhet të jetë urë mes shoqërisë dhe institucioneve. Para se te drejtohen drejt institucioneve media duhet ta informojë shoqërinë për atë se çka e pret në institucione. Opinioni nuk mundet t’i mbajë mend të gjitha rregullat që dalin nga Kushtetuta, prandaj është domosdoshmëri e mediave të jetë kujdestare dhe për çështje të mëdha t’i transmetojë të njëjtat. Shkurt, sa për të fituar opinioni njohuri dhe bindje më adekuate për procesin.

Për shnebull: Pse qytetarët të mos informohen se jo vetëm me iniciativa të politikanëve mund të shpallet referendum, por që edhe një numër prej 150 mijë qytetarë mund ta obligojnë Kuvendin për shpallje të referendumit. Media për të qenë urë e vërtetë mes shoqërisë dhe institucioneve, në shkrimet për referendumin e fundit do të kujtonte opinionin se, sipas Kushtetutës:

Kuvendi është i obliguar që të shpall referendumin kur propozimin do të paraqesin së paku 150.000 zgjedhës.

Qytetarët nuk janë në kontakt çdo ditë me Kushtetutën, ndërkaq me mediat janë në komunikim e sipër 24/7 dhe këtë gjë mediat duhet ta shfrytëzojne për të mirën e shoqërisë. Kontribut ky, për të zhvilluar një shoqëri për një qëndrim sa më kritik dhe të drejtë.

Gazetarët duhet ta zbatojnë Kushtetutën në përpikmëri.

Ndryshe, ne nuk mësuam nga mediat se referendumi si formë demokratike për të shprehur vullnetin e qytetarëve është shumë e aplikueshme në Zvicër. Ne e dimë se Zvicra është shembull i shteteve moderne sa i përket aplikimit të demokracisë. Në këtë mënyrë, duke ua bërë me dije lexuesve se shpeshtimi i referendumeve është zhvillim drejt demokracisë së mirëfillt.

Refren i mediave duhet të jetë e vërteta e plotë

Transmetimi i qëndrimeve partiake për referendumin është e vërtetë jo e plotë. Nuk duhet të thirremi vetëm në autoritete kur duam të informojmë për diçka. Informacioni vetëm me deklaratë të partive politike, apo të ndonjë njohësi të rrethanave politike shumë lehtë mund të kalojë në propagandë.

“Ali Ahmeti: E ardhmja është në duart tona. Koha është tani”

“Zaev deklaron votën për në referendum, fton edhe liderët tjerë të prononcohen”

“VMRO-DPMNE: Askush nuk guxon t’i mësojë qytetarët si të veprojnë në ditën e referendumit”

“Sela: Si qytetar do të votoj “për” në referendum”

Mediat kanë përgjegjësi për fjalën publike, edhe kur i shtohet këtu rëndësia shtetërore e referendumit, e kanë pasur për borxh t’ia kujtojnë lexuesve një fragment me sy objektiv rëndësinë e referendumit.

Ndryshe transmetimi vetëm i partive politike apo koalicioneve jep bindjen se tentohet që të bindet publiku vetëm sepse ashtu mendon shumica, apo një grup i caktuar që përbën një pjesë, por jo një tërësi, të shoqërisë.

Produktet gazetareske që informojnë vetëm nëpërmes tubimeve partiake, apo grupeve të caktuara, më shumë i fryjnë emocioneve

Lexuesi nuk duhet të krijojë opinion kur në një produkt gazetaresk paraqitet vetëm një burim. Dy burime duhet të jenë minimum, që teksti të jetë më lehtë i verifikueshëm dhe të fitojë në besueshmëri. Megjithatë, në procese të ndryshme si çështja e referendumit, informacionet profesionale janë edhe më të nevojshme.

Shembull, teksti me titull: “Baçev: Të gjithë bashkërisht u çuam në këmbë të ndalojmë që të fshihet gjithçka që është maqedonase”. Që në titull shihet tendenca për përçimin e emocionit dhe jo argumentit. Edhe në këtë produkt gazetaresk gazetari nuk ka dhënë informacione shtesë, për ta kujtuar opinionin por edhe për t’i bërë me dije lexuesve, atë që thuhet në Kushtetutë. Por, edhe duke e publikuar Marrëveshjen e Prespës, si garancë se jo gjithçka maqedonase do të fshihet me hyrjen në NATO dhe BE.

Një tekst nuk mund të thirret në saktësi nëse nuk është i plotë. Informacionet gjysmake, përkeqësojnë edhe proceset e rëndësishme. Informacionet e këtilla, shembujt që përmendëm më sipër, nuk e edukojnë politikisht një shoqëri. Një shoqëri e paedukuar politikisht nuk mund të veprojë për shoqëri demokratike. Partitë dhe grupet e interesit, referendumin dhe çdolloj mekanizmi tjetër do e interpretojnë me ngjyra ashtu si u konvenon, mbetet detyrë/obligim i gazetarëve-medias, që lexuesit t’ia paraqesin gjendjen faktike në mënyrë sa më reale. Në rastin tonë konkret, duke u thirrur në Kushtetutë dhe duke e paraqitur Marrëveshjen e Prespës të plotë, në cilindo produkt gazetaresk.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button