Lëvizja BESA me kryetar Kasamin: Në vitin 2016 nafta ishte 39 denarë, tani 69

Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin, sot ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të derivateve, duke theksuar se një rritje e tillë ndikon negativisht në xhepin e qytetarëve.

“Maqedonia po kalon një fazë politike shumë serioze që ka të bëjë me të ardhmen e vetë shtetit, mirëpo përskaj situatës politike që është e lidhur me ndryshimet kushtetuese që do hapnin rrugën e Maqedonisë për NATO dhe BE, si duket qeveria ka harruar të kujdeset për jetën e përditshme të qytetarëve të Maqedonisë të cilët për çdo ditë po ballafaqohen me shtrenjtime të çmimeve, me bllokim ekonomik, me probleme të shumta në arsim dhe shëndetësi si dhe problemin kryesor që është largimi i rinisë nga vendi. Sot jemi dëshmitarë se për të satën herë rradhazi çmimi i derivateve të naftës po rritet duke rrënduar kështu edhe më tepër buxhetin e qytetarëve por edhe të bizneseve”, deklaroi zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Elmedin Memishi.

Siç deklaruar nga Lëvizja BESA, në fillim i viti 2016 – nafta ka pasur çmim 39 denarë, në dhjetor të vitit 2017 nafta ka arritur çmimin 54.50 denarë, ndërkaq sot çmimi ka arritur në 69 denarë.

“E kthyer gjithë kjo në përqindje del se ne krahasim me fillimin e vitit 2016 sot kemi çmimin e naftës për rekord prej 77% më të shtrenjtë. Në kushte kur pagat e administratës publike, arsimtarëve, mjekëve etj., janë në po të njejtat shifra, mund të konkuldojmë se politikat e kësaj qeveria janë komplet të dështuara dhe se standardi jetësor i qytetarëve jo vetëm që nuk mbetet në statusin e njejtë por përkundrazi po vështirësohet dita ditës”, deklaroi Memishi.

Ata apelojnë deri te Qeveria që paralelisht me euro-integrimet të fokusohet edhe me problemet e përditshme të qytetarëve të cilët, sipas tyre, për çdo ditë nga dëshpërimi i madh, skamja dhe humbja e shpresës se në këtë shtet ndonjë ditë do vijnë ditë më të mira, po largohen nga vendlindja për të mos u kthyer më.

Po ashtu, ata kërkojnë nga Qeveria që të sjellë masa lehtësuese për bizneset që në veprimtarinë e tyre primare kanë si shpenzim derivate të naftës, që përmes këtyre masave lehtësuese të bizneseve, sidomos të vogla dhe të mesme, të mos pësojnë kolaps ekonomik që do sillte valë të reja të rritjes së papunësisë në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button