Dhunuesit e 27 Prillit, mund të falen vetëm me ligj të veçantë për amnisti

Nëse deklarata e kryeministrit Zoran Zaev, për shtrirjen e dorës së pajtimit dhe faljen e dhunuesve të 27 Prillit, interpretohet si ofertë publike për amnisti, me qëllim që të miratohen ndryshimet kushtetuese në Kuvend, atëherë ajo mund të jetësohet nëpërmjet miratimit të ligjit të veçantë për amnisti, të cilin do të propozonte Qeveria apo deputetët, shkruan Portalb.mk

“Vetëm nëpërmjet bisedave gjendet zgjidhje dhe unë jam për dialog. Nuk më shkon ndër mend të ndikoj në punën e prokurorëve dhe gjykatësve, por duhet të falim”, tha Zaev sot në seancën plenare për ndryshimet kushtetuese.

Por, sipas ekspertit juridik dhe kushtetues, Osman Kadriu, në këtë fazë, dhunuesit e 27 Prillit do të mundeshin të lirohen nga burgu vetëm nëpërmjet ligjit të veçantë për amnisti, i cili do të duhej që të miratohet në Kuvend.

“Në këtë fazë, mund të hyjë në procedurë vetëm ligji për amnisti, dhe jo falje, pasi që faljen e bën vetëm presidenti, edhe atë pasi që të sillen vendimet nga gjykata”, komenton për Portalb.mk, Kadriu.

LEXO: Ndryshimet kushtetuese, Zaev shtrin dorën e pajtimit për dhunën e 27 prillit
LEXO: Zaev: Nuk më shkon në mend të ndikoj në punën e gjykatësve dhe prokurorëve, por jam i hapur për dialog me Mickoskin

Osman Kadriu
Osman Kadriu

Si mund të aplikohet amnistia?

Ligjin për amnisti e miraton parlamenti me 61 vota, ndërkaq si propozues mund të jetë Qeveria, një deputetë, grup deputetësh, me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimesh e kështu me radhë.

Amnistia nënkupton vullnet i mirë ndaj personave të dënuar dhe tentativë për riadaptimin dhe socializmin e të njëjtëve. Sipas rregullit, amnistia aplikohet në periudhë pas mbarimit të ndonjë konflikti të armatosur, risocializim të pjesëmarrësve dhe për pajtim në shoqëri. Amnistia aplikohet edhe në kushte të kohëve të paqes, si atë i faljes së pjesshme të dënimeve të kryerësve të veprave penale më pak serioze, por edhe si korrigjim i vendimeve gjyqësore të padrejta nga kohët e regjimeve jo-demokratike politike.

Amnistia miratohet në formë të ligjit me të cilin një numër i caktuar i njerëzve lirohen nga ndjekja, lirohen plotësisht ose pjesërisht nga kryerja e dënimeve, ose u zvogëlohet dënimi, fshihet vendimi gjyqësor ose shfuqizohen pasojat juridike nga vendimi gjyqësor.

Ligji i amnistisë mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese ashtu si çdo ligj tjetër dhe i njëjti mund të vihet në pikëpyetje, gjegjësisht mund të rrëzohet nëse gjykatësit kushtetues vlerësojnë se i njëjti është anti-kushtetues.

Pos ligjit për amnisti, ekziston dhe mundësia e faljes nga presidenti, por ajo do të mund të kryhej pasi të shqiptohen dënimet dhe atë mund ta miratojë vetëm presidenti i shtetit.

Amnistia e dëmshme për rendin juridik të Maqedonisë

Gjykatësi Kadriu, vlerëson se duhet që të analizohet deklarata e djeshme e kryeministrit nëse e ka pasur drejtpërdrejtë qëllimin për amnistim të dhunuesve të 27 Prillit, e cila nëse do të miratohej do të ishte e dëmshme për rendin juridik dhe kushtetues të Maqedonisë.

“Në arsyetimin që e dha Zaev, kërkon një shqyrtim dhe analizë të asaj deklarate. Aty përmendet një lloj pajtimi për ngjarjet e 27 Prillit, por sido që të jetë, unë nuk mendoj se ai me atë aludon, synon apo ka për tendencë që të miratohet ligj i veçantë për amnisti. Ndoshta në ndonjë konotacion tjetër e përdori fjalën për pajtim dhe assesi nuk mendoj që të ketë propozim për amnisti. Në këtë moment, në këtë fazë të krizës politike dhe juridike nuk mendoj se Zaev e ka ndërmend për të miratuar ligj për amnisti. Por, një ligj i tillë do të ishte shumë i dëmshëm për shtetin juridik dhe për sundimin e së drejtës. Momenti aktual politik dhe kriza politike, juridike dhe morale në të cilën gjendet Maqedonia assesi nuk konsiston në një mundësi të tillë juridike”, thotë për Portalb.mk, gjykatësi kushtetues Kadriu.

Sa herë në Maqedoni është aplikuar amnistia?

Që nga pavarësimi deri më tani, amnistia në Maqedoni deri më tani është aplikuar pesë herë.

Ligji i parë për amnisti është miratuar në vitin 1991, kur janë amnistuar 907 persona, prej të cilëve disa kanë qenë të burgosur, ndërkaq të tjerët kanë qenë të dënuar me vendime të plotfuqishme, por nuk kanë filluar që t’i mbajnë dënimet me burg.

vitin 1999, Kuvendi ka miratuar edhe një ligj tjetër për amnisti. Atëherë plotësisht u liruan nga dënimet kryerësit e veprave penale me të cilat janë shkaktuar nga urrejtja fetare, racore dhe nacionale. Pastaj, edhe disave të dënuarve iu zvogëluan dënimet për 25%, disave për 15%, ndërkaq disa të tjerëve për 10% për armëmbajtje pa leje dhe tregti me drogë. Në fakt, ky ligj u miratua nga marrëveshja politike mes partnerëve të koalicionit në qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH, me të cilin u liruan kryetarët e Komunës së Tetovës dhe Gostivarit, Alajdin Demiri dhe Rufi Osmani, për hapjen e universitetit në gjuhën shqipe në Reçicë të Vogël të Tetovës.

vitin 2002, si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, u miratua ligji i tretë për amnisti, me të cilin është parashikuar lirimi nga ndjekja, ndalimi i procese gjyqësore dhe lirim të të burgosurve lidhur me konfliktin e vitit 2001. Nga ky ligj janë përjashtuar vetëm krimet e luftës.

vitin 2003 dhe me revizionin e vitit 2004, është miratuar ligji i katërt për amnisti, i cili i ka përfshirë qytetarët të cilët nuk iu kanë përgjigjur ftesës së obliguar për të shërbyer në ushtrinë e Armatës, transmeton Portalb.mk.

Në vjeshtën e vitit 2015 janë ngritur dy iniciativa për miratimin e pesë ligjeve për amnisti, të dorëzuara nga Lidhja Demokratike dhe nga aktivistja qytetare, Meri Nikollova. Aktivistja Nikollova ka arritur që t’i sigurojë 10.000 nënshkrime që propozimi i saj të hyjë në procedurë ligjore, por propozim-ligji nuk është miratuar, pasi që ka parashikuar lirimin e të gjithë personave të cilët e kanë mbajtur 40% nga koha e dënimit, përfshirë edhe vrasësit, pedofilët dhe kryerësit e veprave të rënda penale. Nga ana tjetër, propozimi i Lidhjes Demokratike, i cili gjithashtu ka hyrë në procedurë kuvendore, ka propozuar lirimin ose zvogëlimin e dënimit të kryerësve të veprave të caktuara penale të cilat personat i kanë mbajtur një pjesë ose fare nuk kanë filluar që të njëjtat t’i mbajnë. Kështu, sipas këtij propozimi, është parashikuar që të lirohen të dënuarit për veprat penale “trafikim të emigrantëve” të cilët janë dënuar me dënim me burg deri në 3 muaj, ndërkaq për ata të cilët kanë kryer vepër penale si pjesë e grupit të cilët janë dënuar me burg deri në 6 muaj është parashikuar zvogëlim i dënimit për 50%. Më tej, propozimi ka parashikuar edhe zvogëlim të dënimit për 33% (për pjesën jo të mbajtur të dënimit) për të dënuarit me burg deri në 1 vjet dhe për të dënuarit për veprën penale “marrje dhe dhënie ryshfet”. Për të dënuarit për veprat penale të cilat parashohin burgim deri më 10 vjet (pengim të zgjedhjeve, ryshfet gjatë votimit, vjedhje të rënda, vepra kundër shëndetit dhe mjedisit jetësor, financim të krimit, mashtrime të rënda etj.) është parashikuar zvogëlim të dënimit për 25% nga pjesa e pa mbajtur e dënimit, gjegjësisht për 10% nga pjesa e pa mbajtur (për ata që janë përsëritës të veprave të përmendura(. Në fund, propozimi ka parashikuar që personat në moshë prej 60 vjetëve, dhe të cilët janë dënuar me vepra penale deri në 5 vjet, t’u zvogëlohet dënimi për 40% nga pjesa e kohës që nuk e kanë mbajtur. Megjithatë, amnistia nuk ka qenë e vlefshme për të dënuarit me burg prej 10 vjetëve ose më shumë, të dënuarit me burg të përjetshëm, të dënuarit për vrasje, për vepra kundër shtetit, për vepra kundër njerëzisë dhe të drejtës ndërkombëtare, për vepra penale kundër lirisë gjinore ose moralit gjinor, prodhim dhe tregim me drogë dhe të ngjashme. Propozimi nuk pati shumicë votash në Kuvend dhe nuk u votua.

Së fundi herë, ligj për amnisti u miratua më 15 janar të vitit 2018. Me këtë ligj janë liruar personat e dënuar që u është shqiptuar masa 6-muaj burg, ndërsa ata që kanë dënim më tepër se gjashtë muaj u është zvogëluar 30% nga koha e mbetjes për vuajtjen e dënimit.

Me ligjin për amnisti nuk u liruan personat që janë të dënuar me: burg të përjetshëm, për vepër penale “vrasje”, përdhunim dhe pedofili, për terrorizëm dhe vepra penale kundër shtetit, për vepra penale kundër rendit dhe qetësisë publike, për vepra penale kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.

Ligji për amnisti nuk i përfshiu personat të cilët veprat penale i kanë kryer pas 20.09.2017. Sipas statistikave, nga dënimi u liruan rreth 670 të burgosur që janë të dënuar me gjashtë muaj burg, ndërsa 3097 personave u është ulur dënimi për kohën e mbetur për 30%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button