Profilizimi dhe identifikimi i luftëtarëve të huaj të kthyer, në fokus të konferencës ndërkombëtare të OSBE-së në Ohër

Praktikat më të mira në trajtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që çojnë në terrorizëm (VERLT), veçanërisht sfida e kthimit të luftëtarëve të huaj, është në fokus të  konferencës ndërkombëtare tri-ditore që u hap në Ohër më 16 tetor 2018.

Konferenca, e cila bashkon ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë nga rajoni dhe gjithashtu Austria, Hungaria, Rumania, Sllovenia dhe Turqia, organizohet nga Misioni i OSBE-së në Shkup në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Veprat e terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe fenomeni i luftëtarëve të huaj që kthehen prapë, janë sfida ndërkombëtare për organet e zbatimit të ligjit”, tha në fjalimin e hapjes së konferencës Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Ambasadori Clemens Koja. “Është e rëndësishme që t’i shqyrtojmë këto sfida me qasjen gjithëpërfshirëse. Të gjitha palët e interesuara, qeveritë, autoritetet lokale, shoqëria civile dhe komunitetet kanë një rol të rëndësishëm. Puna me komunitete në nivel lokal është e rëndësishme dhe shpresoj se kjo konferencë do të ofrojë mundësi për të parë menaxhimin e situatave të krizës të shkaktuara nga ekstremizmi i dhunshëm, si dhe do të inkurajojë një qasje shumëpalëshe në trajtimin e këtyre situatave.”

Zëvendësministri i Brendshëm Agim Nuhiu shtoi: “Shfaqja e luftëtarëve të huaj është një nga prioritetet kryesore në agjendën e bashkësisë ndërkombëtare sot dhe është një sfidë e vërtetë për legjislacionin ndërkombëtar dhe kombëtar për shkak të natyrës së saj të re, por edhe asaj specifike. Ky fenomen relativisht i ri në rajonin tonë dhe më gjerë, meriton vëmendje të konsiderueshme dhe besoj se kjo konferencë ndërkombëtare është një mundësi e shkëlqyer për të parë gjithë pamjen”.

Misioni i OSBE-së ka ndihmuar qeverinë në përgatitjen e Strategjisë kombëtare të luftës kundër Terrorizmit dhe Strategjisë kombëtare për kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe planet e tyre përkatëse të veprimit në mars të vitit 2018. Misioni mbështet zbatimin e planeve të veprimit duke organizuar kurse trajnimi dhe konferenca ndërkombëtare siç është kjo, si dhe ngjarje publike në nivel lokal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button