АNALIZË: Rebalanci i buxhetit – hip se të vrava, zbrit se të vrava!

Po kalon edhe tremujori i fundit i vitit 2018. Institucionet financiare ndërkombëtare dolën me parashikime të reja të rishikuara për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë, dhe sipas tyre, pritjet për rritje prej 3.2%, ngadalë, por sigurt po shkrihen. Megjithatë, me rebalancin e propozuar të buxhetit, qeveria vendosi t’i ulë të hyrat dhe të dalat për 0.5% së bashku me nivelin e deficitit buxhetor, i cili zvogëlohet shumë pak, dhe mbetet në pozitën prej 2.7% të PBB-së, shkruan analiza javore ekonomike Portalb.mk.

Investimet publike në ngecje – një pjesë e parave janë rishpërndarë…

Shumë pak kohë e shumë investime të parealizuara mbeten deri në fund të vitit 2018. Disa nga biznesmenët mbeten në qëndrimin se me dinamikën aktuale të realizimit të investimeve publike (rreth 30% për tetë muaj), është pothuajse e pamundur të realizohen shpenzimet kapitale në nivelin prej rreth 400 milionë eurosh. Tani, nga fundi i këtij viti kalendarik, qeveria, me rebalancin e buxhetit, propozoi shpërndarjen e një pjese të parave të papërdorura – një pjesë do të shkojë për komunat dhe një pjesë për Fondin shtetëror për sigurim pensional dhe sigurimin invalidor.

“Zvogëlimi i pozicioneve të caktuara në shpenzimet kapitale të shfrytëzuesve buxhetorë te të cilët është evidentuar dinamikë e ngadalësuar e realizimit, kryesisht në projektet e financuara me kredi; zvogëlim i shpenzimeve të interesit për 897 milionë denarë, përforcim i kapacitetit fiskal të komunave, shpërndarje e mjeteve shtesë në FSPIM me qëllim të pagesës së papenguar të pensioneve dhe kostove të tranzicionit për shtyllën e dytë pensionale, sigurimi i mjeteve shtesë në Fondin për sigurim shëndetësor, me qëllim të realizimit të papenguar të të drejtës për mbrojtje shëndetësore… – shpjeguan nga qeveria.

Arsyeja kryesore për “zbehjen” e politikave buxhetore për investimet publike është pasiguria politike, e cila në përgjithësi ishte e pranishme gjatë gjithë vitit 2018, e veçanërisht para dhe pas referendumit të 30 shtatorit. Për shkak të kësaj, përfaqësuesit e disa odave ekonomike janë të bindur se parashikimet e rritjes ekonomike janë vështirë të realizueshme.

“Një krizë eventuale e re politike do të kontribuonte në mënyrë plotësuese, gjegjësisht do ta vështirësonte ose do ta pamundësonte, arritjen e rritjes së paraparë ekonomike prej 3.2%. Niveli i realizimit të investimeve kapitale lidhet drejtpërdrejt me rritjen ekonomike, ndërsa investimet publike janë me nivel të dobët të realizimit. Mosrealizimi i i investimeve të parapara kapitale në një cikël zgjedhor do të ishte skenari më i keq i mundshëm për biznesin. Për këto arsye, mendojmë se Maqedonia nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse kjo do të kontribuojë vetëm në përkeqësimin e ambientit ekonomik në vend, gjë që do të ndikonte negativisht në sektorin e biznesit” – thotë Milaim Ameti nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore .

Dinamika e realizimit të shpenzimeve kapitale u ngadalësua që në muajt e parë të vitit dhe atëherë një pjesë e ekonomistëve për “Portalb”-in theksuan se ekzistonte rreziku nga mosrealizimi projekteve të planifikuara për investime. Fajtor për këtë konsiderohej “bojkoti administrativ”, por edhe kujdesi i shtuar në procedurat e tenderit dhe në procedurat e përgjithshme për realizimin e investimeve publike.

“Është e qartë se institucionet të cilave u janë besuar programe dhe obligime për realizimin e shpenzimeve kapitale nuk u janë përkushtuar problemeve, e poashtu ka dështuar edhe koordinimi i tyre. Kjo situatë nuk është e dobishme për askënd në vend, as për sektorin publik që duhet të ofrojë të mira më të më dha dhe më të mira publike, e as për sektorin privat që bashkëpunon me sektorin publik dhe duhet të krijojë vlera shtesë. “Nëse ndodh që pjesa më e madhe e shpenzimeve publike për investime të koncentrohet dhe të paguhet në fund të vitit, ka mundësi të krijohen edhe probleme përkatëse për pushtetin monetar, i cili mund të detyrohet t’i tërheqë mjetet e tepërta nga ekonomia, për të cilën gjë do të paguhet çmim përkatës ekonomik”- deklaroi për “Portalb“-in, njëri nga ish-ministrat e financave, profesori universitar, Nikolla Popovski.

A do të jetë rritja ekonomike prej 3,2% e paarritshme…

Përderisa një pjesë e biznesmenëve dhe ekonomistëve paralajmërojnë se këtë vit është më se e sigurt se nuk do të realizohet rritje ekonomike më e lartë se 3 për qind, qeveria mbetet optimiste se parashikimet e planifikuara do të realizohen.

Por institucionet financiare ndërkombëtare tashmë publikuan parashikime të reja dhe të rishikuara për Maqedoninë, që kanë trend rënës. Kështu, Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e vjeshtës i uli parashikimet për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë për këtë vit në 1.6 për qind. Më parë, këtë e bëri edhe Banka Botërore, sipas të cilës, rritja e PBB-së do të jetë 2.5%.

Së shpejti, edhe Banka Popullore duhet të dalë me parashikime të reja, por ende nuk është e qartë se a do të zvogëlohet projeksioni aktual për rritjen ekonomike. BPM-ja tashmë ka vërejtur ngadalësim të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit.

“Rritja e PBB-së për gjysmën e parë të vitit është më e dobët se sa që pritej, kryesisht për shkak të ndërprerjes së përkohshme të disa nga projektet më të mëdha në kuadër të investimeve në infrastrukturën publike. Për tremujorin e tretë, kur ka një numër të kufizuar të të dhënave që janë në dispozicion, tani për tani nuk mund të jepet një vlerësim i saktë i gjendjes së ekonomisë, por megjithatë, pjesa më e madhe e të dhenve tregojnë se ka një vazhdimësi të zhvillimeve të favorshme në ekonomi edhe gjatë këtij tremujori” – njoftuan nga BPM-ja dhe paralajmëruan monitorim të kujdesshëm të gjendjes së përgjithshme ekonomike.

“Ende ekzistojnë rreziqe nga ambienti i brendshëm dhe ai i jashtëm, me ç’rast Banka Popullore do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër të gjithë treguesit ekonomikë dhe të tregut në kontekstin e vendosjes së politikës monetare”.

Tani që Maqedonia ka hyrë në një episod të ri të paqartësisë politike, disa ekonomistë thonë se pritjet përsëri janë “lëkundur” dhe se pasojat nga kjo do të jenë të dukshme.

“Në ekonomi dhe në biznes, pritjet janë një faktor shumë i rëndësishëm, kështu që nëse në sektorin privat ekziston mosbesim dhe ka pritje negative për të ardhmen, kjo gjithsesi do të pasqyrohet me zvogëlimin e investimeve që nuk realizohen me dinamikën e parashikuar. I inkurajojmë partitë politike që t’i kapërcejnë dallimet dhe të gjejnë një zgjidhje racionale për të siguruar përparim të proceseve të punës, si për sektorin e biznesit, ashtu edhe për institucionet shtetërore dhe ato publike” – thotë Ameti.

Një pjesë e ekonomistëve dhe e afaristëve paralajmëruan se ciklet e shpeshta zgjedhore ndikojnë në ekonominë e përgjithshme. Mesatarisht, në Maqedoni çdo 1,9 vjet mbahen zgjedhje, qoftë parlamentare, lokale, presidenciale, të rregullta apo të jashtëzakonshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button