Pastërtia në Tetovë: koshat e stërmbushur janë jofunksional dhe duhet të zëvendësohen (FOTO)

Rreth 80% e koshave të plehrave në Tetovë nuk kanë kapakë, andaj edhe shpërndajnë erë të keqe. Mospastrimi dhe mosmirëmbajtja në kohë e koshave të plehrave sjell deri në tejmbushje të tyre. Ndërsa ajo që e rëndon më shumë situatën, është fakti se mbeturinat që hidhen në to nuk seleksionohen andaj stërmbushen me materiale të llojllojshme. Kërkojmë zgjidhje permanente për këtë problem të papastërtisë në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Kosha jofunksional që shpërndajnë erë të keqe

Qyteti i Tetovës gjithsej ka 522 kosha të plehrave, ndërkaq vetëm 120 prej tyre kanë kapakë. Banorët ankohen se mungesa e kapakëve shpërndajnë erë të keqe, ndërkaq autoritetet arsyetohen se kapakët janë djegur gjatë kohës së dimrit, ndërkaq ata janë pengesë në punën e punëtorëve të higjienës komunale.

“Shumica e koshave të plehrave nuk kanë as kapakë dhe kur kalon vjen era shumë e keqe. Mendoj se duhet më shumë punë që të kemi një qytet me të pastër”, thotë qytetari Venhar Iseni.

Mungesa e kapakëve të koshave të plehrave, gjithashtu ka shkaktuar dhe problem në vendosjen e koshave të plehrave. Autoritetet thonë se qytetarët nuk lejojnë t’i vendosin koshat e plehrave në afërsi të shtëpive, ndërkaq qytetarët thonë se ndalesa e tillë vjen si pasojë e mosmirëmbajtjes dhe mospasjes së kapakëve.

“Mungesa e kapakëve është për shkak se janë djegur dhe një pjesë e tyre janë vjedhur. Kapakët në koshat e plehrave na bëjnë problem në pastrimin e koshave pasi që në katër raste edhe i kanë lënduar të punësuarit gjatë pastrimit me kamionë”, thotë Xhelal Ceka nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”-Tetovë.

Foto nga koshat e plehrave në Tetovë, data e fotografimit: 15.10.2018
Foto nga koshat e plehrave në Tetovë, data e fotografimit: 15.10.2018

Pastrimi joadekuat i koshave të plehrave

Koshat e plehrave ndonëse sipas autoriteteve pastrohen çdo ditë, ankesat e qytetarëve, por edhe inspektimet tona në terren tregojnë se të njëjtat mund të gjenden të stërmbushura dhe të pa pastruara.

“Nuk mund të them se kemi kosha të pastra. Nuk e di ku qëndron arsyeja, por kemi shumë probleme”, thotë për Portalb.mk, qytetari Iseni.

Megjithatë, nga NPK Tetova thonë se mbledhja e mbeturinave bëhet sipas planit dhe orarit të paraparë, gjegjësisht koshat publik pastrohen çdo ditë, gjegjësisht në mbrëmje, ndërkaq ato të lagjeve pastrohen shtëpi në shtëpi, një herë në javë.

“Koshat pastrohen çdo ditë dhe atë  në mbrëmje, gjatë ditës pastrojmë aty ku mundemi pasi që komunikacioni i dendur nuk na mundëson një gjë të tillë. Shumica e lagjeve që i pastrojmë janë sipas metodës shtëpi në shtëpi“, thotë për Portalb.mk, drejtori i NPK Tetova, Xhelal Ceka.

Foto nga koshat e plehrave në Tetovë, data e fotografimit: 15.10.2018
Foto nga koshat e plehrave në Tetovë, data e fotografimit: 15.10.2018

Hidhet çdo gjë, pa kujdes!

Tetovës i mungojnë koshat e specializuar për selektim të mbeturinave, gjegjësisht qytetarët të kenë mundësi në vende të posaçme të hedhin letrat, plastikën, qelqin, mbetjet ushqimore dhe të tjerat.

Ndonëse kishte filluar një projekt në vitin 2014-të për seleksionimin e mbeturinave, i njëjti dështoi pasi që 152 kosha të plehrave thuajse në tërësi u dogjën nga qytetarët e pandërgjegjshëm.

Selektimi i mbeturinave do të rriste efikasitetin e menaxhimit me mbeturinat, gjegjësisht do të ndihmonte në atë që të mos stërmbushen koshat, ruajtjen e ambientit jetësor, por edhe dobi financiare, pasi që mbeturinat do të mundeshin të riciklohen.

Gjithashtu, mungesa e seleksionimit shkakton edhe problemin me hedhjen e mbeturinave të rënda ndërtimore, por edhe orendive shtëpiake, pajisjeve elektrike/elektronike e gjithçka tjetër.

Foto nga koshat e plehrave në Tetovë, data e fotografimit: 15.10.2018
Foto nga koshat e plehrave në Tetovë, data e fotografimit: 15.10.2018

“Problemi më i madh që ne hasim në koshat e plehrave është  hedhja e mobilieve apo kartonëve që është e ndaluar edhe me ligj dhe kjo bën që koshat të duken të mbushura apo të mos mund të pastrohen”, thotë Ceka nga NPK.

Për problemin e njëjtë gjithashtu reagojnë dhe qytetarët, madje ata kërkojnë që autoritetet t’i ndëshkojnë të gjithë ata të cilët hedhin mbeturina të rënda.

“Problemi është shumë më i madhe se duket, kemi shumë mbeturina në kosha. Kur hidhen edhe mobilie atëherë nuk është faj i ndërmarrjes, por i qytetarëve. Por mendoj se duhet të ketë edhe mekanizma ndëshkuese që të mos hidhen këta mbeturina këtu dhe kjo hapë një problem tjetër se qytetarët nuk dinë ku ti hedhin këta mbeturina  të forta“, thotë qytetari, Agim Iljazi.

Nevojitet aksion konkret

  • NPK të furnizojë qytetin me kosha funksional
  • Pastrimi i koshave të organizohet në mënyrë më efikase nga NPK
  • Komuna e Tetovës të gjejë zgjidhje për problemin e selektimit të mbeturinave

 

Çdo qytetar që ka ankesa për papastërtinë në Tetovë, mund të paraqet në numrin fiks të telefonit 044 331 167. Rikujtojmë qytetarët gjithashtu se sipas ligjit për pastërti publike, çdo person fizik nëse kapet duke hedhur, leckë, shpuzë cigaresh, apo të ngjashme do të gjobitet me 50 euro, ndërkaq nëse kapet duke hedhur materiale ndërtimore, parashihet gjobë prej 150 deri në 200 euro.

LEXO: Koshat e plehrave nuk pastrohen në kohë, NPK Tetova fajëson qytetarët që hedhin materiale ndërtimore
LEXO: “Tetova evropiane” e papastër, Ceka: I fotografojnë koshat e plehrave pak para se t’i mbledhim mbeturinat (FOTO)
LEXO: Tetova assesi të “lirohet” nga mbeturinat, edhe pika për ngarkim-shkarkim shndërrohet në deponi të egër (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button