SHAHJA

Dhe, iki vera padiktueshëm.

Unë mbeta me këmbën e thyer. I shtrirë. Dhjetë muaj të plota ngase më ra këmba në pusetë.

Qiellin e kaltër nisën ta mbulojnë re të plumbta, lejleku që vinte çdo vjet e la zbrazur çerdhen e vet mbi shtyllën elektrike e shkoi, bashkë me të u larguan edhe dallëndyshet që i kanë çerdhet nën strehët e shtëpisë sonë. Blerimi ua lëshoi vendin ngjyrave të vjeshtës. Shtratin tim nga çardaku e zhvendosën në dhomë pranë dritares që ta heq mërzinë duke shikuar skenën e ndërrimit të ngjyrave në natyrë dhe të strehohem nga era, shiu e të ftohtët. E meqë u zgjat halli im, edhe miqtë që në fillim më vizitonin, më harruan. Vetëm ime shoqe vinte të më sjellë të shti diçka në gojë, por edhe ajo fliste pak dhe largohej shpejt pas punëve që e prisnin. Ditët që kalonin më dukeshin të gjata, kurse këmba ime kurrsesi të bëhet më mirë.

Një ditë, e hënë, kur kisha mbetur pa shpresë fare, trokiti dera të cilën s’e kishte prekur  gjatë kohë dora e ndonjë miku. Pastaj një grua u fut brenda. Prej të ecmes e njoha se ishte Shahe Lakja, një grua me të cilën kishim lidhje gjaku, brezi i katërt.  Ime shoqe i doli përpara dhe të dyjat po vinin te unë.

“Eu”, thashë, “Shahja s’më paska harruar”! Pastaj u hap dera e dhomës sime dhe ime shoqe m’u drejtua thuajse po i drejtohet një fëmije:

“Çllo, çllo kush ka ardhë të t’shofe!…”.

“Oa Bardh, pi kur s’t’kum pa”! gjëmoi me atë zërin e saj gati mashkullor, Shahja. Pastaj. Pa pritur të them unë ndonjë fjalë, u ul në minder. Ime shoqe doli ta përgatisë tabakanë për ta qerasur  mysafiren, ndërkohë Shahja e hapi çantën e saj të madhe, e nxori një kuti llokum:

“Hâ, pak t’amëlsohesh!” tha dhe e la llokumin pranë nënkresës sime.

“A t’punon gjali, oj Shahe”? e pyeta.

“Ahâââ”! pohoi ajo. “Po për tâ kum ardhë, o Bardh”, shtoi ajo dukshëm e kënaqur që e pyeta.

“Pse a mos ka ndonjë problem”? e pyeta.

“Ka, o Bardh, ka… Si a bâ partia, me vjet gjali jem asht tu ngarendë për partinë, de tekhâ, de tuqe. Nxhit pllakata, hiç pllakata. N’mesnatë me e thajr krietari i degës, Tali i nanës – ataj âsht!… E kini…”

“Kush ash ki Tali”?

“Gjali jem, o Bardh! A e paske harrau, â? Au Bardh, Bardh”!

“Majr, po xhit â puna”? e pyeta Shahen. Ndërkohë hyri ime shoqe e Shahja heshti. “Fol, Shahe, fol”! i thashë.

“Po erdha t’um najfish o Bardh”! vazhdoi ajo me ton ku ndjehej një dozë qortimi. “A imi kushraj, a jo”?

“Une kujtova se ke ardhë t’ëm shofësh… Xhit të t’najfi, oj Shahe”?

“Çe erdha të t’shof, ene thash – ni udhë e di punë”.

“Fol, Shahe”!

“O Bardh, taj  ke punau agje n’minstratë e i njef ato t’parsajmit t’partisë”…

“Xhi don pi meje, oj Shahe”?

“Tahî janë zgjedhet, o Bardh.  Deshta ta boj Talin ni send ngat ministrit… Për ni copë bukë e kam!… Banma kot t’majr o Bardh – i kije tre mijë ojro pi meje”!

“Lej paret oj Shahe!…  A s’e shef se jam i smuntë?… Une s’un shkeli n’tokë… Kama m’dhem, oj oj kushrajnë!… S’un heci! S’jam as për vejti mâ”!

Shahja u prek. Pa një, pa dy u ngrit rrëmbimthi. Pastaj m’u drejtua me hidhërim:

“O Bardh, taj n’vend se t’ëm xhindesh tahî, ma çite kamën përpara! Kama, kama!… Une jam pa shkollë, po e marr vesht majr xhi don t’thaush me atë kamën! Kamën, kamën!… Ma majr beri drejt, thoj: nuk du be Shahe, ene u sos puna! Lêe atë pjassh kamë! Ni herë t’erdha n’derë s’ma shtrajne dorën si kushrâj, po kamën! S’e hoçe kamën pi gjoje”!

“Oj Shahe”!

“D’ja boj çaren une o Bardh! tha Shahja e hidhëruar. E shkoi pa u përshëndetur.

Dhe, pas zgjedhjeve Tali i Shahes, hop, zavendministri!

Shahja një ditë më kërkoi në telefon:

“Bardhooo”, më tha, “a mos kije doni hall, t’i thom Talit të ta sosje punën”! Pastaj qeshi me ironi dhe ma mbylli telefonin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button