Ndërmarrjet shtetërore me humbje milionëshe – a ka zgjidhje?

Fati i 3.500 punonjësve rri varur në pe – kontribute të papaguara, rroga të mbetura dhe rrezik që të mbeten në rrugë. Agonia në katër ndërmarrjet jorentabile shtetërore: EMO e Ohrit, Kombinati i Duhanit Prilep, Ndërmarrja “Eurokompoziti Prilep” dhe “OHIS”-i Shkup, po thellohet ndërsa Qeveria nuk arrin të gjejë zgjidhje. Portalb analizon se në çfarë gjendje janë ndërmarrjet dhe nëse ka zgjidhje.

Kombinati i Duhanit Prilep

Sipas raportit të fundit revizor për punën financiare të ndërmarrjes, Kombinati i Duhanit nga Prilepi në pajtim me 31 dhjetorin e vitit 2011 realizoi neto humbje prej 20.5 milionë euro. Humbja e akumuluar tejkaloi kapitalin për 12 milionë euro, shkruan në raportin. Në vitin 2010 humbja e përgjithshme arrinte 5.5 milionë euro. Në këtë ndërmarrje, vitin e kaluar kanë punuar 1.225, ndërsa në vitin paraprak – 1.133. rrogat dhe kontributet e të punësuarve janë paguar me kohë. Detyrimet në të gjitha aspektet e kësaj ndërmarrje jo rentabile, për TVSH të papaguar, akcizë, borxhe ndaj të punësuarve dhe ndaj kultivuesve të duhanit, detyrime ndaj furnizuesve në vend, në vitin 2010 në krahasim me vitin e kaluar janë rritur për thuajse dyfish.

E?O Ohër dhe shoqëritë e saj

Ndërmarrja e Ohrit vitin e kaluar 2011 e përfundoi me humbje prej 4.6 milionë euro. Në vitin 2010 humbja ishte më e vogël dhe arrinte 3.8 milionë euro. Vetëm për kredi dhe hua EMO ka borxhe prej 3.5 milionë euro, ndërsa furnizuesve u ka borxh 3.4 milionë euro. Vitin e kaluar ndërmarrja e Ohrit ka pasur 1.391 të punësuar ndërsa në vitin 2010 – 1.616 të  punësuar. EMO ka gjithsej 41 filiale, gjegjësisht shoqëri, të cilat po thuajse të gjitha kanë qenë me xhirollogari të bllokuara gjatë vitit 2011. Për t’i paguar të punësuarit, çdo vit kësaj ndërmarrje jo rentabile i nevojiten 4.6 milionë euro.

OHIS

Në vitin 2011 shpenzimet e përgjithshme për të punësuarit në ”OHIS” arritën 2.5 milionë euro dhe janë më të ulëta në krahasim me vitin 2010 kur arrinin 2.7milionë euro. Kjo ndërmarrje dikur gjigante për vitin e kaluar paraqiti humbje prej 26.9 milionë euro, ndërsa në vitin 2010 humbja ishte shumë më pak se 2.4 milionë euro. Numri i të punësuarve në vitin  2011 arrinte 842, ndërsa në vitin 2010 – 879. Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, humbjet e OHIS-it iu afruan shifrës prej 1milion euro. Për më shumë se dhjetë muaj të punësuarve nuk u janë paguar rrogat dhe kontributet.

11 NËNTORI – EUROKOMPOZITI PRILEP

Në vitin 2009, përmes dhënies së akcizës në vlerë prej 8.6 milionë euro, shteti arriti të merr një pjesë të borxheve dhe t’i shndërrojë në borxh të përhershëm. Edhe përkundër kësaj orvatje për të shpëtuar kompaninë e Prilepit, ajo edhe më tej gjeneron humbje dhe tani është pjesë e pakos për shitje.

A KA ZGJIDHJE?


Për të gjetur zgjidhjen për ndërmarrjet jo rentabile, Qeveria me ligj i shndërroi kërkesat e këtyre ndërmarrjeve në borxh të përhershëm. Me këtë koncept, shteti duhej t’i lehtësojë ndërmarrjet nga këto borxhe. Por edhe përkundër kësaj, shitja e këtyre ndërmarrjeve shkon shumë vështirë. Edhe pas tetë orvatjeve, OHIS-I mbeti në pamëshirë. “Hapja e ofertave të tenderit do të ndodh më 16 gusht. Dokumentacion të tenderit kanë ngritur 4 kompani, prej të cilëve 2 janë nga Bullgaria, një nga Greqia dhe një është ndërmarrje vendore”,  thekson për Portalb ministri i Ekonomisë Valon Saraçini. 

“Investitori vendor dëshiron t’i mbajë në punë të gjithë të punësuarit. Kompania bullgare ofron punësime në faza, fillimisht të 400 njerëzve, në fazën e dytë, pas skadimit të një viti planifikon të punësojë edhe 400 njerëz, ndërsa pas dy viteve edhe 200 pas çka do të kompletohej numri i përgjithshëm i të punësuarve të tanishëm në OHIS”,  thekson ministri. 

Është paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të paguhet edhe një rrogë e të punësuarve. Saraçini thekson se deri më 31 gusht do të shpallet edhe tenderi për ndërmarrjet jo rentabile shtetërore, ndërsa ndërkohë do të mbajë mbledhje Komision për privatizim për të vërtetuar çmimin shitës. Ministri zbulon se plani për shitjen e “EMO Ohër” parasheh riorganizim të ndërmarrjes në tri shoqëri. Për dallim nga optimizmi i ministrit, nga Sindikata e industrisë, minierës dhe energjetikës thonë se gjendja në ndërmarrje po bëhet kritike. Konsiderojnë se me kushtet e reja të tenderit doemos do të duhet të gjendet blerës për OHIS-in. Sipas njeriut të parë të SIER, Pece Risteski, më kritike ka qenë në ndërmarrjen jo rentabile të Ohrit.

“EMO Ohër është katastrofë dhe tragjedi për Republikën e Maqedonisë, këtë me përgjegjësi e pohoj falë menaxhimit të keq në kompani. Unë nuk them se çfarëdo cilësie menaxheriale do të mund të bënin diçka, por, kanë mundur të paktën ta mbajnë në të njëjtin nivel me ndërmarrjet tjera jo rentabile. Në EMO nuk ka aktivitet prodhimi, nga  30 deri 40 rroga nuk u janë paguar të punësuarve, ndërsa ndërmarrja ka rreth 50 shoqëri dhe të gjitha këto janë me xhirollogari të bllokuara”,  thekson Ristevski. 

Të gjitha këto kompani, që tani gjenerojnë humbje milionëshe, dikur si gjigantë prodhimi kanë qenë pjesë e tregjeve të huaja. Një pjesë e kryesive të këtyre kompanive shtetërore përfunduan në gjyq, të akuzuar për kriminalitet dhe abuzime me paratë dhe pronën e ndërmarrjeve.

                                                   Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button