A mos i harruam baballarët në sallën e lindjes?!

“Gati jaaaammmm!”- bërtet Mali nga banjo.
 
Për disa minuta, përpiqemi ta injorojmë tërësisht thirrjen e tij, duke shmangur takimet me sy dhe duke lëshuar rradhën se kush duhet të ngritet nga tavolina i pari dhe t’i vijë në ndihmë Malit në banjo. Pak ka rëndësi se kush në fakt i’u përgjigj thirrjes së Malit. Me rëndësi është se ekziston një farë radhe. Kur ekziston radha, do të thotë ka ndarje të detyrave dhe përgjegjësive. Kur ka ndarje të tilla të punëve, ka dhe sukses. Fundja, kështu funksionojnë organizatat e mëdha, e pse jo edhe kjo e jona që e quajmë familje?
Në shoqërinë tonë, sa herë përmendet prindërimi, rëndom me automatizëm mendohet në amësinë. Duket që kolektivisht e kemi pranuar si normë stereotipin më të madh që me lindjen e fëmijës, lind dhe mami, ndërkaq babi figuron si i tillë vetëm në fletë-lëshimin nga spitali. Në kërkimin këmbëngulës të barazisë gjinore, pse jo edhe midis roleve të imponuara sociale, duket se jemi verbuar tërësisht ndaj rolit të baballarëve, duke pretenduar që mami din më së miri!
 
Për tu kthyer dhe pak te barazia gjinore, diskutimi për rregullimin e raporteve grua dhe burrë, nuk është edhe gjithaq i qëlluar, pa minimizuar nevojën kruciale për përpjekje dhe iniciativa të vazhdueshme që të na ngulitet një herë e mirë në kokën tonë shoqërore se gruaja dhe burri janë të ndryshëm, por gjithsesi të barabartë. Kjo sidomos në familje. Në këtë botë, të paktën në atë që unë po jetoj dhe po përpiqem të rris fëmijët e mi, rolet e prindit grua dhe atij burrë kanë dallime, por jo si ato që kishin ekzistuar më herët. Para 50 vjetëve e ndoshta edhe më rishtas, figura e babit ishte rëndom ajo e një burri me mustaqe, me cigare midis gishtërinjve dhe më të kollitur të zëshëm, sa për t’u ditur se “kush kollet” në shtëpi. Burrat atëbotë nuk përkëdhelnin fëmijët se ishte turp, e aq më tepër jo para mysafirëve. Ndërkaq afeksioni dhe dashuria shprehej me nga një flakareshë, ose shtrëngim faqesh dhe emrat përkëdhelës “Qy pisi një here!”. I njëjti po ky baba, derisa mburrej me fëmijët që kishte, ata më shumë e ushqenin egon e tij prej mashkulli (sidomos kur kishte më shumë djem), për të ngritur rëndësinë e trashëgimisë së familjes, ndërkaq kurrë jo ndjenjat atërore. E sa i përket ndërrimit të pelenave dhe ushqyerjet e netëve të vona, ajo ishte privilegj ekskluziv i mamave.
 
Në ditët e sotme, babi është prindi i përfshirë thellësisht në zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve. Kjo përfshirje vërehet edhe me praninë e babit në sallën e lindjes, pranë gruas, për të mos humbur as edhe momentin e parë të njoftimit me fëmijën. Kjo, dhe normalisht, për të parë aty për aty, se sytë zbardhohen edhe për tjetër gjë, dhe jo vetëm për gjëra më të pëlqyeshme! Po ky baba qëndron zgjuar në netët e gjata kur fëmija qan nga ngërçet e barkut, për t’i bërë banjë me ujë të vakët fëmijës me temperaturë edhe atëherë kur të nesërmen ka ndonjë takim të rëndësishëm në punë. Po ky baba tmerrohet nga kontrollet e rregullta pediatrike se mos rastësisht del diçka nga ajo puçërr e vogël në krah. I njëjti baba qan kur fëmija ka ditën e parë në çerdhe e më pas në shkollë, apo kur nget biçikletën me dy rrota, edhe pse në formë tetësheje. Babi është heroi që mbyt mushkonjat dhe shpina e fortë kur fëmijët e tjerë refuzojnë të të përfshijnë në lojë.
 
Por me gjasë, lodhja nga rutina e përditshme dhe sigurisht instinkti i fuqishëm amënor, na orienton që të përjetojmë momentet në veten e parë dhe jo shumë shpesh si prind. Babi s’do mend se është aty diku, por më tepër si hije në prapavijë të fotografive të ditëlindjeve. Por si zakonisht, vlerën e gjërave e mësojmë vetëm atëherë kur nuk e kemi. Fundja mjafton t’i pyesni nënat e vetme, se si ia dalin? Nëse për asgjë tjetër, thjeshtë për të pasur një person të dytë të rritur pranë vetës, në netët e vona pa gjumë, kur fëmija nuk rehatohet.
 
Duhet kuptuar një herë e përgjithmonë, se të qenit prindër përbën një punë ekipore, një tandem të durueshëm, të përpiktë dhe mbi të gjitha të dashur. Jo vetëm për t’u kujdesur për fëmijët, po edhe për gjithçka tjetër në jetë më tutje. Ja kështu, në një nga bllogjet e mia të mëhershme, një lexues kishte komentuar se si gruaja (në këtë rast isha unë personazhi) del shumë e lodhur, dhe se pse nuk tregon gruaja (prapë unë) se kush ka sjell detergjentin për rroba në shtëpi, kush ka blerë mishin për zierje, etj etj. Dhe kjo gruaja, e njëjta si në tekst, thjeshtë hap sytë, si kur i hap sytë Malit kur ai kafshon të motrën dhe thotë: “Pash Zotin a e ke përnjëmend?!”
Në një botë, të paktën timen, ku shumica e grave punojnë orar të plotë, ndoshta edhe më të gjatë se burrat, paguhen fatmirësisht njëjtë si burrat, sigurisht që po këto gra sjellin edhe mishin në shtëpi, edhe deterxhentin për rrobe edhe qesin në dritë fëmijë 3 kilogramësh!
 
Një natë kisha dalë me shoqet për darkë. Kur isha kthyer, të gjithë bënin gjumë. Po të ishte hera e parë, do të kujtoja që një uragan me shpejtësi marramendëse ka kaluar nëpër banesë, duke fërfëllitë të gjitha rrobat nga dollapi në tokë, thërrmija buke gjithandej dhe lavamani i stërmbushur me gota, pjata dhe thika lloj lloj. Televizori ndezur, ndërkaq Ardi, Bora dhe Mali të gjithë në gjumë të rehatshëm në dy krevate njëshe. Pranë tyre, thuajse Toys’R’Us kishin hapur dyqan me tërë asortimentin e arushave dhe qenushëve të kadifenjtë. Fëmijët as pigjamet s’i kishin veshur e lë më të lanin dhëmbët para gjumit. Por, s’ka gjë. Është thjeshtë çështje stili i prindësisë.
 
Baballarët janë ndryshe nga mamatë, megjithatë po njëjtë të përkushtuar dhe të kujdesshëm ndaj fëmijëve, e që së bashku e bëjnë një ekip që në shqip quhet prindër. Pa të dytë fundja nuk ndodh fëmija. Prandaj, nëse kërkojmë më shumë ndihmë, kërkojmë 5 minuta qetësi, kërkojmë më shumë mirënjohje për punën e bërë, atëherë të kemi më shumë besim në angazhimin e baballarëve, pa marrë parasysh se ky angazhim mund të jetë jo perfekt. Fundja, edhe ne, nuk dimë gjithmonë se çka është më së miri!
 
Mama mund të jemi, po jo me prefiksin super! Prandaj hiqni pelerinën nga shpatullat dhe fluturoni me këmbë në tokë, se nami nuk bëhet!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button