Receta e veçantë e përgatitjes së byrekut me petë të ziera

Byreku me petë të ziera është një recetë e vjetër dhe shumë e veçantë, për përgatitjen e një nga gatimeve më të preferuara të shqiptarëve, shkruan Agroweb.

Emri i këtij byreku mund të duket i çuditshëm por e ka një arsye, gjithçka lidhet me një nga hapat e përgatitjes së petëve.

Ndryshe nga byrekët e tjerë që mund të përgatiten dhe me petë të gatshme, ky byrek kërkon petë të përgatitura vetë.

AgroWeb.org ju sjell recetën unike të byrekut me petë të ziera, spinaq e djathë të bardhë, në mënyrë që ta provoni e shijoni kurdoherë.

Përbërësit

Për përgatitjen e brumit

10 filxhanë çaji me miell

1 filxhan e gjysmë me qumësht

6 vezë

Për përgatitjen e mbushjes

500 g djathë i bardhë i thërmuar

500 g spinaq

1/2 gotë uji me vaj ulliri (120 ml)

Për përgatitjen e petëve

3 litra ujë i zierë

3 litra me ujë të ftohtë

Gjysmë luge gjelle me kripë

2 lugë gjelle me vaj ulliri

Për spërkatjen

1 vezë

Gjysmë filxhani çaji me kos

3 lugë gjelle me vaj ulliri

Përgatitja

Si fillim përgatisni brumin e byrekut, duke përzjerë në një tas të madh miellin qumështin dhe vezët.

Mund ta punoni me telin e kuzhinës derisa masa të ketë filluar të lidhet e më pas më duar.

Brumi nuk duhet të jetë aq i butë sa brumi i një byreku të zakonshëm.

Pasi sipërfaqja e brumit të jetë e lëmuar, ndajeni brumin në dhjetë pjesë dhe mbulojini me një pecetë kuzhine.

Në zjarr ndërkohë keni vënë një tenxhere me tri litra ujë, kështu do të jetë gati për petët.

Në një tas tjetër grini spinaqin dhe përzjejeni me djathin e thërmuar.

Hapja e petëve të këtij byreku mund të kërkojë përdorimin e miellit për spërkatje.

Përgatitja e byrekut me petë të ziera

AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni një tavë të rrumbullakët, pasi do ta keni më të lehtë me shtrimin e petëve.

Lyeni tavën me vaj ulliri në të gjithë sipërfaqen e saj, më pas hapni petën e parë dhe shtrojeni në fund të tavës.

Sigurohuni që peta të jetë më e madhe se tava, si dhe që ta spërkasni me vaj ulliri.

Tek uji që kishit vendosur në zjarr për t’u ngrohur shtoni kripë dhe vaj ulliri dhe përzjejeni derisa kripa të jetë tretur.

Në një tenxhere tjetër hidhni pjesën tjetër të ujit të ftohtë.

Hapni katër petët e tjera, dhe një nga një kalojini dy minuta tek uji i vluar dhe dy minuta tek uji i ftohtë.

Petët kur t’i fusni në ujë largojini përmes një luge të sheshtë kuzhine.

AgroWeb.org ju këshillon që petët të mos i lini më shumë se dy minuta në ujin e nxehtë, pasi brumi do të lëshohet.

Nëse petët ju këputen, mos u shqetësoni mjafton që të jenë shtruar në mënyrë uniformë.

Kur të keni kryer këtë proces vendoseni në tavë. Spërkateni me vaj ulliri dhe vazhdoni të njëjtat hapa dhe për petët e tjera të hapura.

Pasi të keni mbaruar pesë petë, përhapni mbushjen në të gjithë sipërfaqen e tavës në mënyrë të barabartë.

Mjafton që të ndiqni të njëjtin proces dhe për katër petët e tjera, duke i kaluar njëherë në ujë të nxehtë e më pas në të ftohtë.

AgroWeb.org ju sugjeron që të mos harroni të spërkasni çdo petë me vaj ulliri, ai nuk do të lejojë ngjitjen e petëve.

Hapni dhe petën e fundit dhe shtojeni duke krijuar rrudha në sipërfaqen e byrekut.

Anët e petës së fundit përdoreni për të mbyllur byrekun, në mënyrë që mbushja të mos derdhet gjatë pjekjes.

Në një tas të vogël përzjeni vezën kosin dhe vajin e ullirit, më pas hidhjani përsipër byrekut duke e lyer të gjithë sipërfaqen e tij.

Piqeni byrekun në një furrë të parangrohur me 180 – 200 gradë Celsius derisa sipërfaqja të marri një ngjyrë të artë.

Pasi të jetë pjekur, nxirreni nga furra lëreni të ftohet dhe më pas priteni në copa dhe shërbejeni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button