PSP hapi lëndë të re edhe për furnizimin e 202 autobusëve dykatësh, dëm nga buxheti prej 5.000.000 eurove

Me urdhër për zbatimin e procedurës hetimore në rastin “Dizajn”, që e hapi sonte Prokuroria Speciale e Maqedonisë janë përfshirë katër persona zyrtarë për shkak të ekzistimit të dyshimit për vepër të kryer penale Keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit prej nenit 353 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 22 të Kodit Penal të RM-së, transmeton MIA.

Ekziston dyshimi se në periudhën prej vitit 2009 dhe vitit 2010, i dyshuari Mile Janakieski si ministër i Transportit dhe Lidhjeve, e dyshuara Snezhana Filipovska Pavleska si kryetare e Komisionit për zbatimin e furnizimeve publike, ndërsa të dyshuarit Igor Janushev dhe Julia Jankullovska Atanasova, si anëtarë të komisionit për zbatimin e furnizimeve publike, të autobusëve dykatësh për Qytetin e Shkupit, të formuar prej ministrisë, i kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare dhe autorizimet dhe për operatorin ekonomik Jutong nga Kina kanë bërë autorizim të paligjshëm – favorizim në procedurë dhe kontraktimin e marrëveshjes për furnizimin e 202 autobusëve dykatësh, duke i shkaktuar dëm buxhetit të RM-së, në shumë prej 5.000.000 euro.

Nga dëshmitë del se i dyshuari i parë Mile Janakieski si ministër, pas dy procedurave të cilat janë shfuqizuar paraprakisht për furnizimin publik të autobusëve kontestues, në të cilat ka konkuruar operatori ekonomik Jutong nga Kina, pa i plotësuar kushtet e tenderit, me qëllim që ta favorizojë operatorin ekonomik Jutong, përsëri ka sjellë vendim për furnizimin e 202 autobusëve në të cilin, në kundërshtim me nenin 161 të Ligjit për furnizimet publike, në kriterin oferta më e favorshme ekonomike, krahas elementit të çmimit dhe karakteristikeve funksionale teknike e ka shtuar edhe elementin dizajn, element i cili ndryshe nuk është paraparë në Ligj dhe për të njëjtin në shpallje është potencuar se i sjell 20 pikë.

Në thirrje janë paraqitur dy operatorë ekonomik, Jutong nga Kina dhe King Long nga Bullgaria, me ç’rast të dyshuarit (kryetari dhe anëtarët e komisionit), gjatë shqyrtimit të ofertave e kanë favorizuar, operatorin ekonomik Jutong, edhe pse i njëjti nuk ka dorëzuar certifikatë për cilësi  ISO 9001:2000, por ka dorëzuar certifikatë ISO/TS 16949:2002, ndërsa garancinë bankare të cilën e ka dorëzuar është lëshuar nga Ohridska banka SHA Shkup, e cila nuk ka poseduar rejting kreditor “B” (që ka qenë kusht në dokumentet e tenderit).

Si komision për zbatimin e furnizimit publik në vend se ta hedhin poshtë këtë ofertë, ata kanë vazhduar me vlerësimin e dy ofertave të dorëzuara.

Oferta e operatorit ekonomik King Long është ranguar e dyta, me çka e njëjta nuk i ka fituar pikët e nevojshme për kriterin për elementin dizajn, edhe pse e njëjta ka qenë më e lirë për 5.000.000  euro se oferta e Jutong.

Ministri Janakieski, në këtë rast ka qenë i obliguar që ta shfuqizojë procedurën për furnizim publik për shkak të lëshimeve të rëndësishme në të njëjtën, megjithatë ai nuk e ka bërë një gjë të tillë, me çka ka vepruar në kundërshtim me nenin 169 të Ligjit për furnizime publike dhe më datë 14.04.2010 ka kontraktuar marrëveshje për shitblerjen e autobusëve nga Jutongu kinez.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button