Edhe i dyshuari i dytë në rastin Skripal është nderuar nga Putini

Ueb-faqja hulumtuese, Bellingcat ka thënë se ka gjetur që dy burrat, për të cilët Britania dyshon se kanë helmuar ish-spiunin rus, Sergei Skripal dhe vajzën e tij Yulia janë shpërblyer me medalje heroike të Federatës Ruse nga presidenti i këtij shteti, Vladimir Putin, disa vjet më parë, transmeton REL. 

Duke publikuar detaje rreth të gjeturave të fundit më 9 tetor, Bellingcat ka thënë se Aleksandr Mishkin është dekoruar pothuajse në kohën e njëjtë sikur Anatoly Chepiga më 2014, vitin që Rusia ka aneksuar Krimenë dhe ka nxitur separatizëm në lindje të Ukrainës, çka ka rezultuar me luftë dhe 10,300 persona të vdekur.

Një ditë më parë, Bellingcat ka thënë se të ketë vërtetuar se i dyshuari që ka udhëtuar në Britani në muajin mars me emrin Aleksandr Petrov ka në fakt mbiemrin Mishkin dhe është doktor ushtarak, i punësuar nga agjencia e inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU).

Grupi hulumtues me bazë në Britani ka thënë të ketë kryer një varg të hetimeve muajin e kaluar, andaj ka vërtetuar se Chepiga është identetiteti i vërtetë i të dyshuarit tjetër, i cili ka udhëtuar me pasaportë ruse me emrin, Ruslan Boshirov.

Sipas këtij grupi edhe ky person është nderuar si hero në Rusi.

Autoritetet britanike supozojnë se dy rusët kanë hedhur agjent nervor të kategorisë ushtarake, Noviçok para derës së Skripalëve në qytetin britanik, Sallsbëri më 4 mars.

Ndonëse fillimisht ishin në gjendje të rëndë, Skripalët kanë mbijetuar mirëpo jo edhe Dawn Sturgess, gruaja për të cilën autoritetet dyshojnë se është helmuar me mbetjet e Noviçokut në një zonë afër Sallsbërit.

Ky rast ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe Perëndimit, duke rezultuar me sanksione amerikane dhe evropiane kundër Moskës, si dhe me dëbime diplomatike nga të dyja palët.

Rusia në anën tjetër ka mohuar vazhdimisht akuzat për helmim kundër Skripalëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button