Zgjedhje ose jo, skriningu do të vazhdojë, por për negociata me BE-në nevojiten ndryshime të Kushtetutës

Maqedonia e filloi procesin e skriningut për anëtarësim në Bashkimin Evropian i cili do të mbarojë në qershor të vitit 2019, por nëse Marrëveshja e Prespës dështon, negociatat për anëtarësim nuk do të fillojnë, shpjegon Bojan Mariçiq, këshilltar special i Kryeministri për integrimet Euro-Atlantike dhe negociatori kryesor teknik në procesin e eurointegrimit në vend, njofton Portalb.mk.

Skriningu, apo vërtetimi i harmonizimit të legjislacionit të Maqedonisë me të drejtën e BE-së, është proces teknik dhe deri tani nuk ka pasur ndonjë rast, kur ai është ndërprerë.

“Procesi i skriningut ka filluar dhe do të përfundojë në qershor, ky është një proces teknik, por nëse Marrëveshja e Prespës dështon, negociatat nuk do të fillojnë” tha Mariçiq.

Procesin, më 27 shtator në Bruksel, e ka filluar Zëvendëskryeministri Bujar Osmani me një delegacion 40 anëtarësh në të cilin ishte edhe Ministrja e drejtësisë Renata Deskoska.

Sipas Sekretariatit për çështje Evropiane, skriningu është operacion formal dhe teknik të cilin e realizon Komisioni Evropian, për të përgatitur negociatat për anëtarësim dhe paraqet prezantim analitik të situatës në vendin kandidat në relacion me kapitujt e të drejtës së BE-së.

Procesi zgjat rreth një vit, pastaj Drejtoria e përgjithshme e BE-së për zgjerim përgatit raport të cilin e prezanton para Këshillit të BE-së, i cili merr vendim për fillim të negociatave.

Raporti i skriningut përmban katër pjesë: sqarim i të drejtës së BE-së në kapitullin përkatës, rezultatet nga skriningu – informacione të cilat i jep vendi kandidat dhe vlerësim i Komisionit, konkluzione dhe rekomandime të Komisionit dhe në pjesën e fundit Komisioni i rekomandon Këshillit nëse duhet të hapen negociatat për atë kapitull, dhe nëse jo – cilat standarde dhe udhërrëfyes duhet të vendosen.

Komisioni Evropian më 17 prill, në raportin për vendin, rekomandoi që Maqedonia të fillojë negociatat me BE-në. Këshilli i BE-së më 26 qershor miratoi vendim të kushtëzuar për fillim të negociatave në qershor të vitit 2019. Por për fillim të negociatave BE-ja i vendosi Maqedonisë katër kushte: të zbatojë prioritetet urgjente të reformave, të zbatojë Marrëveshjen e Prespës, të merr raport pozitiv nga Komisioni Evropian si dhe Këshilli i BE-së të miratojë vendim formal për fillim të negociatave.

Bruksel, zyrtarisht ka nisur Procesi i Skriningit Sqarues i Maqedonisë (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button