Kina konfirmon ndalimin e shefit të Interpol-it

Kina ka konfirmuar se është duke mbajtur presidentin e zhdukur të Interpolit, Meng Hongwei.

Pekini ka thënë se ai është nën hetime nga një trup shtetëror kundër korrupsionit për shkelje të paspeficikuara të ligjit, njofton REL.

Meng, po ashtu zëvendës-ministër i Sigurisë Publike në Kinë, është raportuar i zhdukur, pasi ka udhëtuar nga qyteti Lion i Francës, vend ku gjendet selia e INTERPOL-it, drejt Kinës më 25 shtator.

INTERPOL ka thënë më herët se ka pranuar dorëheqjen e tij nga presidenca të dielën, duke kërkuar zbatim të menjëhershëm.

Ndërkohë, gruaja e Meng, Grace Meng, u ka thënë gazetarëve se burri i saj i ka dërguar një imazh të thikës në rrjetet sociale, në ditën që është zhdukur.

Ajo ka thënë se rasti i burrit të saj do të jetë nën mbikqyrje të “ligjit dhe opinionit publik ndërkombëtar”.

Pas disa ditësh spekulime rreth asaj se ku gjendet Meng, Komisioni Kombëtar i Mbikqyrjes në Kinë, ka njoftuar në një deklaratë të hënën se ai është nën hetime.

Meng përbën rastin e fundit të zhdukjes në Kinë, pasi një numër i zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe personalitete tjera të njohura janë zhdukur në muajt e fundit në këtë shtet.

Agjencia e Policisë Ndërkombëtare i ka bërë thirrje Kinës të qartësojë statusin e Meng, duke thënë se është e shqetësuar për mirëqenien e tij.

Aktualisht nënpresidenti i INTERPOL-it, Kim Jong-yang nga Koreja Jugore është përgjegjës për udhëheqje të organizatës, derisa presidenti i ri të zgjedhet për dy vjetët e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme që mbahet në Dubai muajin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button