Zyrtarët turq besojnë se gazetari i zhdukur është vrarë në Konsullatën saudite

Është rritur shqetësimi rreth fatit të një gazetari të njohur saudit, i cili konsiderohet i zhdukur që prej 2 tetorit, pasi ai kishte hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Mediat kanë cituar burime turke të kenë thënë se ata besojnë se gazetari Jamal Khashoggi, kritik i Princit të Kurorës Mohammad bin Salam, është vrarë në ndërtesën e misionit diplomatik, transmeton REL.

Një zyrtar i paidentifikuar ka thënë se ai është vrarë nga një ekip saudi, i dërguar “në mënyrë të posaçme për vrasjen” e gazetarit.

Një zyrtar i Konsullatës i ka përshkruar këto pretendime si “të pabaza”, duke shtuar se një delegacion hetuesish sauditë kanë ardhur në Stamboll për të hetuar zhdukjen e Khashoggit.

Prokuroria turke ka nisur hetimet për këtë rast dhe princi saudit bin Salman ka thënë se autoritetet turke janë të mirëseardhura që të kontrollojnë Konsullatën, duke shtuar se “ne nuk kemi asgjë për të fshehur”.

Ministria e Jashtme turke ka thirrur në bisedë ambasadorin e Arabisë Saudite, për t’i kërkuar shpjegim për zhdukjen e gazetarit Khashoggi. Ky zhvillim vjen në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve në mes të Turqisë dhe Arabisë Saudite.

Ankaraja zyrtare përkrah Katarin lidhur me bllokadën që i ka bërë Arabia Saudite dhe shtetet e tjera fqinje. Po ashtu edhe qasja e Turqisë ndaj Iranit ka zemëruar qeverinë në Riad.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button