Rritet në 1.571 numri i viktimave nga tërmeti në Indonezi

Është rritur në 1.571 numri i viktimave nga tërmeti dhe cunami pasues që goditi Ishullin Sulawesi në Indonezi, njoftoi Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Katastrofave e Indonezisë (BNPB), transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i BNPB-së, Sutopo Purwo Nugroho, tha se 2.549 persona janë lënduar nga katastrofa dhe janë hospitalizuar, ndërsa 113 të tjerë janë të zhdukur.

Nugroho tha se kanë arritur të gjejnë që 152 gjenden nën rrënoja në qytetet Palu dhe Dongala, duke shtuar mijëra të tjerë mund të ndodhen nën rrënoja në fshatrat e rrethinës.

Siç bëhet e ditur, 70.821 njerëz janë detyruar t’i braktisin shtëpitë, kurse 2.736 shkolla janë dëmtuar. Klasa të përkohshme do të ndërtohen në mënyrë që mbi 100 mijë nxënësit e ngelur pa shkolla të mund t’i vijojnë mësimet.

Po ashtu, njoftohet se 191 mijë të prekur nga katastrofa kanë nevojë urgjente për ndihmë dhe se nevojiten gjithsej 571 mijë litra ujë në ditë.

Tërmeti dhe cunami thuhet të kenë shkaktuar dëm prej 658 milionë dollarësh deri më tani.

Mbi shtatë mijë policë dhe ushtarë janë duke marrë pjesë në aktivitetet e kërkim-shpëtimit.

Ndryshe, Ishulli Sulawesi të premten u godit nga një tërmet i fiqushëm, i cili shkaktoi cunami të lartë nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu. Tërmeti me intensitet 7,5 ballë ndodhi 27 kilometra në veri të Gjirit të Palus, treguan të dhënat e Institutit Amerikan për Vrojtime Gjeologjike (USGS).

Burimet lokale, nga ana tjetër, thanë se tërmeti ishte me magnitudë 7,4 shkallë.

Indonezia bën pjesë në të ashtuquajturin “Unazën e Zjarrtë të Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

Tërmetet që goditën Ishullin Lombok të Indonezisë në fund të korrikut dhe në muajin gusht me magnitudë 6,3, 6,9 dhe 7 ballë lanë të vdekur 563 persona, kurse u dëmtuan mbi 450 mijë.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm me intensitet 9,1 shkallë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit jetën humbën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button