ATSH, Tanjug: Serbët dhe shqiptarët –në drejtim të BE-së

Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve kanë qenë në qendër të diskutimeve të pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare që u zhvillua në Tiranë me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, shkruan REL.

Në këtë konferencë, e organizuar nga dy agjencitë shtetërore të lajmeve nga Shqipëria dhe Serbia, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) me agjencia serbe “Tanjug”, u mbajtën dy panele ku u diskutua e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht shqiptarëve dhe serbëve në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet ndërmjet dy popujve.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në fjalën e tij tha se ekziston një tendencë dhe vullnet për të tejkaluar stereotipat negativë që shpeshherë shoqërojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, apo shqiptarëve dhe serbëve në rajon dhe se “mund të jetë një marrëdhënie normale me dy fqinjëve që zhvillohet normalisht në mënyrë progresive, që i ka ulje-ngritjet dhe ka frymën polemizuese”.

“Janë marrëdhënie dinamike me potencial gjithashtu të paeksploruar mirë, siç tregojnë natyrisht edhe vitet e fundit, ku kemi një frymë dhe zhvillim pozitiv, sidomos për sa i përket zhvillimit të sektorit të turizmit, ku gjithnjë e më shume serbë po e konsiderojnë Shqipërinë si një destinacion turistik”.

“Janë gjithashtu marrëdhënie në progres e sipër edhe për shkak të faktit që programet e mobilitetit kanë filluar dhe po zbatohen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, duke i dhënë kësisoj frymë edhe konceptit të lidhjes që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord në kuadër të procesit të Berlinit, ku siç dihet, dy arteriet kryesore të programeve të ndërlidhjes kanë si boshte kryesore Tiranën dhe Beogradin”, tha ministri Bushati.

I pranishëm si panelist në këtë konferencë ishte edhe eurodeputeti Hannes Swoboda, i cili tha se të dyja palët duhet të marrin përgjegjësi jo vetëm për vete, por dhe për rajonin, sesi njerëzit mendojnë për njëri-tjetrin dhe jetojnë pranë njëri-tjetrit “jo me kokën mbrapa por duke parë të ardhmen”.

Swoboda vendosi theksin te dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, si mundësi e integrimit në BE, duke thënë se zgjidhja e konflikteve është e rëndësishme dhe nuk duhet të keqpërdoret historia.

“Të gjithë e dini mbi takimet dhe çështjet e tjera që zhvillohen. Duhet të gjejmë një zgjidhje rajonale. Nuk mund të zgjidhim një çështje ndërkohë që del një çështje tjetër, prandaj mendoj se qëndrimi rajonal është i rëndësishëm. Pra, mbi rendin e ri në rajon përballë BE-së. Pra, BE nuk është se i pret me krah hapur vendet që kanë konflikte, pra duhet patjetër të tejkalohen disa nga pengesat”, u shpreh Swoboda.

Mbi temën “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?” dhe të ardhmen e tyre në familjen evropiane foli edhe ish i dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, Wolfgang Petritsch, i cili së fundi ka përkrahur idenë për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje e kontestit mes dy vendeve.

Ai tha se ka një përkushtim të qartë nga Brukseli dhe nga anëtarët e BE-së për sa i përket zgjerimit, që tregon qartë se në vitin 2025 dy vende nga Ballkani Perëndimor do t’i bashkohen BE-së, ku Serbia është një nga ato. Pritet çelja e negociatave dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në qershor 2019.

“Korrigjimi i Ballkanit”

Duke thënë se situata ka ndryshuar në 20 vjetët e fundit, Petritsch u shpreh i sigurt se BE-ja ka problemet e saj ekzistenciale dhe kjo nuk është ekzagjerim.

“Një gjë vërehet në Ballkanin Perëndimor, tendencat autoritare, që duhet të merren seriozisht. Po punojmë e po luftojmë shumë për të mos i lejuar këto tendenca autoritare për t’u bërë më të forta. Kemi parë reagimin e BE-së sa i takon Polonisë, apo në rastin e Italisë, ku ka një deficit të buxhetit. BE-ja reagon sa herë që ka një problem”, tha Petrisch.

Në anën tjetër, drejtoresha e agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, Branka Gjukiq, duke cituar të dhënat e një ankete të bërë nga ky medium mbi qëndrimet në Ballkan – sesi shqiptarët dhe serbët shikojnë marrëdhënien mes tyre dhe sa e rëndësishme është për ata përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve – tha se e ardhmja e vetme është BE-ja.

“Përvoja na tregon se bashkëpunimi ndërmjet dy popujve nuk është vetëm me dashuri, por mbi interesa, pra nevojitet pragmatizëm jo emocione, sepse të dy palët siç e tregoi edhe anketa, janë të interesuar në bashkëpunimin e mëtejshëm në turizëm, tregti, sport etj”, tha ajo.

Një konferencë me emër të njëjtë ishte organizuar në korrik të këtij vitit edhe në Beograd, nga të njëjtët organizatorë.

Qëllimi i saj, sipas organizatorëve, është të nxirren diskutime të suksesshme se si dy popujt me më së shumti popullsi në Ballkan mund të bashkëpunojnë për t’iu bashkuar perspektivës evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button