Opozita kërkon vota nga partitë në pushtet për ta rrëzuar qeverinë

Partitë opozitare në Kosovë, tash e disa muaj, në vazhdimësi kanë theksuar se qeveria aktuale e vendit është qeveri e pakicës dhe si e tillë nuk po mund t’i kryejë obligimet e veta, për të cilat ka marrë përgjegjësinë. Por, për një mocion mosbesimi të suksesshëm ndaj qeverisë, as partitë opozitare nuk kanë arritur t’i sigurojnë 61 votat e domosdoshme.

Megjithatë, partitë opozitare thonë se u nevojiten edhe 3 vota për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe kanë paralajmëruar se do të përpiqen që ato t’i sigurojnë nga deputetët e partive brenda koalicionit qeverisës.

Ditë më parë, liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, janë takuar dhe kanë shprehur gatishmërinë e intensifikimit dhe koordinimit të bashkëpunimit opozitar.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë për Radion Evropa e Lirë se në situatën e tanishme, zgjidhja e vetme është të vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Si parti opozitare, e kemi intensifikuar bashkëpunimin edhe me subjektet tjera, në mënyrë që sa më parë të krijojmë një mundësi që të kemi një dorëheqje të qeverisë dhe të shkojmë në zgjedhje të reja. Duke ditur që nevojiten edhe disa vota nga ndonjë prej subjekteve që janë në koalicion qeverisës, angazhimi jonë është që t’i gjejmë edhe tri vota që na nevojiten për ta rrëzuar qeverinë. Por, në anën tjetër, tashmë ka çarje edhe në mes vetë koalicionit qeverisës dhe duket që gjasat për zgjedhje janë shumë të mëdha”, tha Nagavci.

Por, Bilall Sherifi, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, parti kjo e cila është brenda koalicionit qeverisës, thotë se subjektit të tij politik, deri më tash askush nuk i është drejtuar për të shqyrtuar eventualisht çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

“Ajo që unë mund të them është që Nisma dhe deputetët e saj do të veprojnë sipas vendimeve që i merr kryesia e Nismës. Në kryesi të Nismës nuk kemi ndonjë kërkesë për të shqyrtuar çështjen e mocionit. Përderisa nuk ka kërkesë të arsyetuar dhe të argumentuar, sipas bindjeve të atyre që mund të fillojnë një mocion për ndërprerjen e mandatit , unë nuk mund ta paragjykoj as vendimin e kryesisë. Unë personalisht, si deputet i Nismës, konsideroj që nuk është koha që tani t’i ndërpritet mandati i kësaj qeverie dhe të ndërpritet në gjysmë puna e kësaj legjislature”, u shpreh Sherifi.

Në anën tjetër përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët kanë thënë se janë tërhequr nga koalicioni qeverisës dhe megjithatë kanë vazhduar, siç e kanë quajtur ata “punën teknike” në dikasteret e ndryshme qeveritare, nuk kanë dashur që të deklarohen nëse kanë qenë të kontaktuar nga partitë opozitare lidhur me shqyrtimin e ndonjë mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Për më shumë, deputetja Nagavci ka thënë se votat për një mocion të tillë, nuk janë të interesuar që t’i kërkojnë nga Lista Serbe.

“Ne jemi të interesuar që votat t’i gjejmë në mesin e deputetëve, të cilët nuk janë nga Lista Serbe, por të cilët janë deputetë të partive që janë në qeverisje, por që tashmë e kanë të qartë që sa më parë të shkojmë në zgjedhje aq më mirë është për vendin, sepse duhet të kemi institucione të besueshme, të cilat duhet të marrin përgjegjësi për të çuar përpara proceset e rëndësishme në të cilat ndodhemi”, theksoi Nagavci.

Sidoqoftë, partitë opozitare numërojnë 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë që Qeveria e Kosovës ishte formuar me votën e 61 deputetëve, përfshirë edhe votat e 10 deputetëve të Listës Serbe, e cila ka thënë se kanë braktisur Qeverinë.

Partitë në pushtet, llogaritur ato shqiptare dhe pakicave joserbe, përbëjnë një grup prej 49 deputetësh, që nuk paraqet shumicën në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button