OJQ-të: Referendumi ishte i suksesshëm, cenzusi s’u arrit për shkak Listës Zgjedhore

Rezultati i referendumit të 30-të shtatorit, është dëshmi se shumica e qytetarëve e përkrahin rrugën euro-atlantike të Maqedonisë, ndërkaq mospërmbushja e kushtit të cenzusit është si rezultat i Listës Zgjedhore që nuk është pastruar me vite. Ky është qëndrimi i organizatave joqeveritare më me ndikim në Maqedoni, në lidhje me atë se a ishte i suksesshëm referendumi i së dielës, shkruan Portalb.mk.

Referendumi i së dielës, sipas OJQ-ve të Maqedonisë tregoi se qytetarët janë “PËR” që Maqedonia të vazhdojë rrugën euro-atlantike, ndërkaq deputetët në Kuvend duhet që ta dëgjojnë zërin e tyre dhe t’i votojnë ndryshimet kushtetuese.

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

“Vendimet sillen me vota, ndërsa ata mund te jenë për dhe kundër, ata te cilët nuk marrin pjesë në votime, nuk marrin pjesë as në vendimmarrje, prandaj për mendimin tim ata që nuk votuan në referendum lan që të tjerët të bien vendim për ta. Dhe vendimi ishte i qartë, referendumi këtë edhe e tregoi: shumica e qytetarëve që deshën të marrin pjesë në vendimmarrje vendosën se Maqedonia e ka vendin në BE dhe NATO dhe marrëveshja me Greqinë duhet të zbatohet. 610,000 qytetarë që votuan dhe që përbejnë shumicën e trupit votues në Maqedonisë nuk duhet të mbahen peng i interpretimeve legaliste të referendumit i cili siç dihet kishte vetëm karakter konsultativ. Nga ky aspekt, referendumi ishte i suksesshëm, tani i mbetet Parlamentit të Maqedonisë ta jetësojnë vullnetin e atyre qytetarëve të cilit ishin të përgjegjshëm dhe vendimmarrës– kështu e ka demokracia përfaqësuese”, vlerëson drejtori i Fondacionit “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari.

Drejtoresha e Fondacionit Shoqëri e Hapur, Fani Karanfillova – Panovska, thotë se duhet që Kuvendi i Maqdonisë ta dëgjojë zërin e mbi 600,000 mijë qytetarëve që votuan “PËR” në referendum dhe me këtë të hapet rruga euro-integruese.

Fani Karanfillova-Panovska
Fani Karanfillova-Panovska

Në referendum kanë dalë mbi 660 mijë votues, dalja nuk ishte në nivel të kënaqshëm, por ajo që më le mua përshtypje është që mbi 600 mijë qytetarë e kanë dhënë votën e tyre “PËR” pyetjen e referendum, gjegjësisht e kanë përkrahur Marrëveshjen me Greqinë, si parakusht për integrim në NATO dhe BE. Ai numër është masë kritike e qytetarëve, që absolutisht duhet që të dëgjohet më tej në institucione, më saktësisht në Kuvend. Deputetët e kanë për obligim që të mendojnë se çfarë nënkupton ky kuantum i 606 mijë qytetarëve që janë deklaruar për ardhmërinë e shtetit kanë rëndësi për ardhmërinë shtetit duke e pasur parasysh që paraprakisht në ciklet paraprake zgjedhje kemi zgjedhur presidentë me numër shumë të vogël të votave. Referendumi formalisht nuk e plotësoi cenzusin, por kjo nuk nënkupton që nuk ishte i suksesshëm, pasi që kemi shumicë të madhe të vota “për”. Gjithashtu, referendumi ishte konsultativ, që domethënë se vendimi i referendumit nuk ishte obligativ për institucionet”, thotë për Portalb.mk, Karanfillova Panovska.

Lista Zgjedhore nuk ishte e pastruar, andaj nuk u arrit konsezusi

Organizatat joqeveritare theksojnë se mosarritja e konsensusit, gjegjësisht mosarritja e dalshmërisë mbi 900,000 votues, është si rezultat i Listës Zgjedhore e cila nuk është pastruar dhe numrit jo-real të votuesve të regjistruar, megjithatë numri i atyre që votuan është serioz dhe sipas tyre, natyrisht që tregon se qytetarët janë “PËR” Marrëveshjen me Greqinë.

Goran Llazarov

“E dimë që për sukses të plotë të referendumit duhej të kishte dalje të mbi 900,000 qytetarëve, por situata në Maqedonia në Maqedoni është që mbi 15 vjet nuk ka pasur regjistrim të popullatës, por edhe s’ka pasur pastrim të mirë të Listës Zgjedhore. Vlerësimet janë se disa qindra mijëra qytetarë janë më shumë në atë Listë Zgjedhore, nga numri real se sa në fakt duhej të votonin.  Mendoj se rrallë ndonjë pyetje mund të nxjerrë me të vërtetë 900 mijë votues, veçmas nëse njëra nga dy strukturat më të mëdha politike bojkoton. Përveç asaj që VMRO-DPMNE nuk ka pasur qëndrim të qartë për referendumin, e pamë që udhëheqësia e tyre deri në momentin e fundit nuk ka treguar dhe në fund udhëheqësia më e lartë nuk doli në referendum dhe me atë treguan se e bojkotojnë. Numri nuk është i madh, pritjet ishin që do të ishte pak më i madh, gjegjësisht diku mbi 700,000 votues. Vetë fakti që mbi 90% e atyre që kanë dalë të votojnë apo mbi 600,000 qytetarë që janë “PËR”, tregon se ekziston numër i madh i qytetarëve që e përkrahin këtë marrëveshje”, thotë Goran Llazarov nga Eurothink.

Edhe Biljana Bejkova nga OJQ Infoqendër, vlerëson se referendumi ishte i suksesshëm, por duhej që paraprakisht të pastrohet Lista Zgjedhore dhe të ndryshohet ligji për referendum, me qëllim që të arrihej cenzusi, i cili do ta bënte këtë referendum plotësisht të suksesshëm.

Biljana Bejkova
Biljana Bejkova

Fakti që 600 mijë qytetarë janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen e referendumit, për mua, pa dyshim tregon se Maqedonia ka orientim të qartë, si për Marrëveshjen e Prespës, por edhe më shumë për ardhmërinë në BE dhe NATO. Në atë këndvështrim, referendumi është i suksesshëm. Tjetra çështje është, nëse referendumi fare është dashur të organizohej dhe nëse kur do të organizohej, do të duhej që paraprakisht të pastrohet Lista Zgjedhore dhe të ndryshohej ligji për referendum. Dalja e pamjaftueshme, përveç Listës Zgjedhore jo-reale dhe cenzusit shumë të lartë, në pjesë të madhe është edhe për shkak të fushatës së dobët të pushtetit, mungesë të komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, por edhe pakënaqësi të qytetarëve nga performanca e deritanishme e Qeverisë në zbatimin e reformave, nga aferat korruptive, nga politika kadrovike etj.”, vlerëson për Portalb.mk, Bejkova.

Në një linjë me parafolësit është edhe Ana Janevska – Deleva nga Transparencë Maqedoni, sipas së cilës, do të kishim rezultat tjetër, sikur Lista Zgjedhore të ishte e pastruar.

Ana Janevska - Deleva
Ana Janevska – Deleva

“Mendoj se problemi kryesor ishte lista e papastruar zgjedhore, këtë e thanë edhe faktori ndërkombëtarë. Po që se, do të ishte pastruar lista, me siguri rezultati do të ishte më ndryshe. Sidoqoftë, shumica e qytetarëve treguan se e duan integrimin në BE dhe NATO. Referendumi ishte i suksesshëm, por do të ishte edhe më mirë që të ishte i plotë suksesi i referendumi, gjegjësisht të plotësohej edhe kushti për census. Tani Kuvendit i mbetet që të bëjë ndryshime kushtetuese”, thotë Janevska Deleva.

Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë më 30 shtator u deklaruan në referendum në pyetjen “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë”. Gjithsej kanë votuar 666.743, ose 36.91%. Prej tyre, 609.813 ose 91.46% kanë votuar “PËR”, ndërkaq 37.700 ose 5.65% “KUNDËR”. Rezultatin e referendumit e përshëndeti faktori ndërkombëtar, ndërkaq tani pritet që Kuvendi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, të cilat kërkojnë 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve.

Rezultati përfundimtar nga numërimi 100 për qind i votave

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button