“Bombat”, deri më 15 nëntor do të zgjedhet modeli i ri funksionues i DSK-së (VIDEO)

Për shkak të skandalit me përgjimet ilegale – bombat, që shkaktoi krizë politike, gjatë muajit tetor deri në më 15 nëntor të 2018-s, në Maqedoni do të zhvillohet procesi konsultativ për zgjedhjen e modelit të ri funksionues dhe reformues të DSK-së, i cili ka për qëllim të formojë agjentë të profesionalizuar, departizuar, transparentë dhe që do të mbrojnë qytetarët dhe shtetin, shkruan Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në konferencën për media me drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Goran Nikollovski, njoftoi se sot në seancë të Qeverisë së Maqedonisë do të prezantohet informacioni për nevojën e realizimit të reformave në DSK, të cilat duhet të përfundojnë më 15 nëntor me gjetjen e një modeli të ri të funskionimit.

“Sot, në seancës qeveritare do t’i sqaroj arsyet për nevojën e një reforme në DSK. MPB-ja do të mbajë më shumë konsultime dhe do të zgjedhet modeli më adekuat për këto reforma, me konsultime me përfaqësues nga institucionet shtetërore, e fushës akademike, si dhe sektorit civil. Pritshmëritë e tona janë se ky proces konsultativ duhet të zhvillohet gjatë muajit tetor, dhe të mbarojë jo më vonë se 15 nëntor i këtij viti. Pas konsultimeve, qeverisë do t’i prezantohen përfundimet nga konsultimet, dhe do të sillet vendim për modelin. Ky vendim do të shoqërohet edhe me plan aksional i cili do të përmbajë aktivitete në DSK”, tha Spasovski.

Ndërkaq, drejtori Nikollovski vlerësoi se reformat në DSK do të mundësojnë shërbime të profesionalizuara, të departizuara, transparente dhe që do të jenë të suksesshëm në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe shtetit të Maqedonisë.

“Nisim një proces konsultativ me të gjithë aktorët e rëndësishëm, por edhe e vazhdojmë punën e deritashme me partnerët tanë. Në fund të këtij procesi do të kemi sukses të sjellim model i cili do të garantojë shërbime të DSK-së të profesionalizuara, departizuara, transparente, por edhe të suksesshme në mbrojtjen e interesave të shtetit dhe qytetarëve. Në periudhën që vijon ju paralajmëroj se do të kemi më shumë takime”, tha Nikollovski.

MPB, Oliver Spasovski

Përgjimet ilegale nxitën reformat në DSK

“Keqpërdorimit i këtyre shërbimeve, veçanërisht i DSK-së, nxiti krizë politike serioze dhe e ka shkatërruar pasqyrën e demokracisë. Pas një analize të grupit të ekspertëve për sistemin e përgjimit, u vërtetua se ai ka qenë instrument kyç për keqpërdorim të ish bartësve të funksionit në këto shërbime”, tha Spasovski, duke njoftuar se reformat janë duke u realizuar në vazhdimësi, dhe se nga 1 nëntori do të hyjë në funksion edhe sistemi i ri i punës në këto shërbime, transmeton Portalb.mk.

Sipas Spasovski, qëllimi i reformave janë si rezultat i procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

LEXO: Dikur i dëgjonim, tani vetëm i lexojmë “bombat” e Zaevit

Përndryshe, në fillim vitin e 2015-s në Maqedoni u publikua skandali i përgjimeve ilegale që në opinion njihen si “bombat”, nëpërmjet të cilave u kuptua se si Qeveria e atëhershme VMRO-BDI ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke i shkaktuar edhe dëme financiare qytetarëve të Maqedonisë. Publikimi i “bombave” pasoi me rastin e Lagjes së Trimave që ndodhi në maj të po të njëjtit vit, 2015-s. Pas paraqitjes së “bombave” nga lideri atëherë i opozitares Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), tash kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, nisi kriza politike e cila zgjati me vite, por që rezultoi me formimin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) e cila merrej me hetimin e rasteve që dalin nga “bombat”. Sot “bombat” përdoren edhe si dëshmi gjyqësore, dhe tashmë ka edhe të dënuar nga këto raste si: Gjoko Popovski, Goran Grujovski dhe Nikolla Gruevski.

Tash përgjimet nuk do të jetë subjekt i DSK-së, por ato do të kontrollohen nga Agjencia Teknike – Operative (ATO).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button