Tusk dhe Stoltenberg: Maqedonia ta shfrytëzojë mundësinë historike

Në referendumin në Maqedoni, shumica dërrmuese e atyre që votuan, e mbështeti rrugën transatlantike dhe evropiane të Maqedonisë dhe tani u mbetet politikanëve në Shkup të vendosin për rrugën e mëtejme, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Marrëveshja për emrin midis Athinës dhe Shkupit i dha një mundësi vendit që t’i bashkohet komunitetit transatlantik dhe evropian si anëtar i barabartë. Në referendumin e së dielës konsultativ, shumica dërrmuese e votuesve e mbështeti këtë rrugë”, transmeton REL.

“Tani është në duart e politikanëve në Shkup që të vendosin për rrugën e mëtejme. Vendimet që i marrin në ditët dhe javët e ardhshme, kanë të bëjnë me fatin e vendit dhe të qytetarëve të tyre për shumë breza që do të vijnë. I inkurajojmë që të shfrytëzojnë mundësinë historike”, thanë Tusk dhe Stoltenberg.

Në referendumin e së dielës, shumica e votuesve në Maqedoni u deklaruan në favor të anëtarësimit të vendit të tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian përmes zbatimit të marrëveshjes me Greqinë, për ndryshimin e emrit.

Pjesëmarrja në referendum, megjithatë, nuk e kaloi pragun e nevojshëm prej mbi 50%.

Me marrëveshjen për emrin, shteti ballkanik do të bëhej Maqedonia e Veriut.

Miratimi i marrëveshjes në referendum dhe me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, është thënë se do t’i hapte rrugë integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button