VESHALLË, MOS E JEP LUMIN!

Veshallasit e kanë të lindur vendosmërinë, ata kur e thonë fjalën, e mbajnë, kur thonë po – po bëhet, kur thonë jo, dihet se s’bëhet ajo punë asnjëherë.

Ata janë si lisat shekullorë të lidhur me tokën e vet. Kudo që të shkojnë e mbajnë me vete ndonjë thërrmijë dheu nga fshati i tyre, e marrin pamëninë e bukur të fshatit dhe e vendosin brenda kornizës së bukur të kujtesës, fotografitë e prindërve dhe gjithsesi edhe këngët e moçme dhe gurgullimën e lumit, që në të vërtetë është ninula e tyre më e bukur me të cilën kanë fjetur si fëmijë dhe me të janë rritur. Sepse nga këto elemente janë  mbrujtur vlerat morale të tyre.

Derisa nga këngët për trimat e kanë mësuar virtytin e burrërisë, nga gurgullima e lumit i kanë mësuar notat lirike, të cilat i kanë vendosur në shumë pentagrame ku janë përjetësuar këngët e buta lirike për dashuritë e para, për takimet rinore të tyre me vashat. Ky është lumë i bekuar, është sinonim i jetës së Veshallës e që lidhet pikërisht me lëvizjen e hapit të parë të zanafillës së Eliades.

Pra, lumi dhe Veshalla janë moshatarë që nga koha zero.

Vetëm ky lumë është dëshmitar pse ditët e javës quhen e hënë, e martë, e mërkurë, e ejte, e premte, e shtunë dhe e diell. Vetëm ky lumë është dëshmitar dhe e di se në këtë fshat janë bërë dasmat ditën e ejte, jo në ditë të tjera dhe pse themi e hënë, e martë, e mërkurë etj. Pra, pse ditët e javës e kanë një nyje përpara e pse s’mund të quhen vetëm thjesht hanë, martë, mërkurë ose ejte. Në gurgullimën e lumit ka mbetur i fshehtë emri i së premtes. Vala e këtij lumi i ka marrë me vete mijëra e mijëra këngë, përrallat e mitet më të bukura, emrat e hyjnive të gjyshërve e stërgjyshërve, të cilët e kanë lënë amanetin e tyre që të ruhet themeli e pullazi dhe oxhaku i kullave të fshatit, por  rrjedha e tij ka qenë njësoj si  jeta në Veshallë e cila ka ecur si rrjedh lumi.përjetshëm.

Dhe, lumi ka qenë roja e Veshallës.

Talentet e reja që dalin e do të dalin nga ky fshat e nga fshatrat tjera do ta kërkojnë në thellësitë e gjuhës së zjarrtë mos ndoshta emri i fshatit lidhet me fjalën shqipe vesë. Ku ta dish dhe mund të lidhet ngase këtë fshat Aurora vazhdon ta lajë me vesë të parin në tërë hapësirën e Pellgut, më vonë të quajtur Pollog, ku ta dish, ndoshta atje do të dalë nga dheu amaneti i të parëve që të thuhet e vërteta për ne. Do ta kërkojë këtë brezi që vjen. Do ta kërkojë edhe më shumë dhe do t’i vjelë emrat e luleve e të bimëve, të kandrrave, mikrotoponimet, emrat e veglave, të enëve të gjellërave, fjalët e shprehjet e rralla që të kompletohet pamënia e papërshkrueshme e këtij fshati ku jeta ecën krah për krah me Lumin e Vardishës. Do të bëhen hulumtime edhe për këtë lumë, do të bëhen.

Meqë buzorja B dhe buzore-dhëmborja V përzihen te fjalët që vijnë nga latinishtja ose më saktë nga lashtësia, duken do shenja që emrin e lumit mund ta lidhin me gjuhën tonë. Krahaso emrin biblik Barbara që në kishën dhe hapësirën ortodokse del si Varvara. Kështu fshati Varvarë (dikur i banuar me shqiptarë të krishterë) vjen nga një Barbarë. Nuk e di Vardisha a është toponim sllav apo vjen nga lashtësia parasllave e që mund të ketë qenë fjalë me nistoren B dhe me prapashtesën ËZ. Kështu mund të ketë në këtë Vardishë ndonjë gjurmë të ndajfoljes Bardh. Mund të ketë qenë emri i tij Bardhëz.  Mundet.

Le t’ua lëmë këto hulumtuesve që po vijnë.

Do t’i gjejnë këto të fshehta në tokën e Veshallës, do t’i gjejnë në dokumentet dhe librat që presin nëpër raftet e arkivave dhe bibliotekave të qyteteve të rëndësishme anë e kënd vendeve mesdhetare, do t’i gjejnë edhe në labirintet e çuditshme të gjuhës shqipe.

Dikund do të jetë shkruar emri i vërtetë i lumit dhe i Veshallës. Do të jetë shkruar lashtësia e simbiozës së tyre.

Prandaj mos ta prekim lumin.

Çuditërisht e gjithë kjo punë, të gjitha ëndrrat tona të bukura varen prej lumit. Po mbeti lumi – mbetet edhe Veshalla. Veshalla pa lumë nuk është Veshallë.

Kujt i duhet ta rrënojë një bukuri kaq të madhe, një simbiozë magjike midis fshatit dhe lumit? Po e thanë lumin, do të shfytyrohet Veshalla. Ky do të jetë dëm jo vetëm për Veshallën.

Prandaj,  Veshallë mos e jep lumin!

Pushtuesit kanë bërë gjithmonë presione atje. E kanë lënduar gjuhën tonë, duke e penguar komunikimin publik, kanë prekur, kanë përshtatur dhe kanë ndërruar toponime e çka s’kanë bërë, mirëpo melodinë e këtij lumi dhe jetën e banorëve të këtushëm nuk kanë mundur dot.

Mos i lejo Veshallë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button