Po me Pykën ç’patën?

Javën e kaluar në Shkup u themelua “Lëvizja Pyka”, anëtar i të cilës lëvizje jam edhe unë kurse organizata të cilën e drejtoj, “Instituti për mendim të lirë-Nisma”, është një prej shtatë organizatave të cilat që në fillim u kyçën në përkrahjen e kësaj lëvizje. Lëvizja u themelua në një momentum politik dhe në kohën kur opinoni publik me padurim ishte duke pritur se çka do del si aksion politik nga shqiptarët, pas shfaqjes eklatante të mospërfaqësimit politik në vend. Mospërfaqësim ky i cili u dëshmua sidomos me protestat masive që u mbajtën në Shkup dhe në qytetet tjera në Maqedoni.

Interesimi dhe kureshtja që buroi nga ky momentum bëri që themelimi i Pyka të përfolej më shumë dhe më herët se vet dinamika kohore e vërtetë e themelimit të saj. Kur kësaj iu bashkëngjitën edhe fjalët në opinion për një parti të re politike të shqiptarëve, fjalë këto të ushqyera nga Mersel Bilali, një ish politikan, e bëri të domosdoshme që në një lloj mënyre të bëhej publikimi i emrave të nismëtarëve të kësaj lëvizje. Kjo në mbledhjen e dytë ishte solucioni i vetëm në atë moment, duke ia bashkangjitur emrat punëve të tjera që kishte bërë PYKA, sikur që ishin zgjedhja e emrit, llogos dhe vazhdimi i shtrirjes së përkrahjes së PYKA nga ana e organizatave dhe individëve të tjerë. Gjithë këto të thirrur që ti bashkëngjiten lëvizjes, nëpërmjet një principi joselektiv dhe transparent. Por me një përqendrim fillestar të thirjes, për ato organizata dhe individë që veprojnë në Shkup.

Publikimi i emrave sa kryente funksionin e  distancimit nga muhabeti për parti të re aq më shumë sqaronte se kush në të vërtetë ishin iniciatorët dhe themeluesit të PYKA. Kjo pasi një prej argumenteve tjera që është mirë të dihet nga ana e simpatizuesve dhe antarëve të PYKA, atyre që me të drejtë mendojnë se ndoshta u shpejtua me një kësi hapi, është edhe fakti se shtabet partiake dukshëm të shqetësuar veçmë kishin filluar të përgatisnin  spine dhe përfolje për atë se çka dhe kush është PYKA. Ashtu në një tekst në FB që më rra rasti të lexoj për PYKA-n, ishin të sharë edhe shumë njerëz tjerë, pa bilgajrihakk, të cilët PYKA as që i kishte kontaktuar fare dhe të cilët nuk kishin dijeni mbi procesin. Faji i tyre i vetëm ishte se ishin persona publik, të dijshëm dhe autoritativ. Gjë kjo që i bënte ata të jenë të  “dyshyeshëm” për ato qendra partiake se janë ose se qëndrojnë pas PYKA.  

Përqendrimi fillestar vetëm për në Shkup solli rritjen e panikut të dega e BDI-së në Shkup që në çfarëdo mënyre të mundshme të marrë masa për të dëmtuar themelimin e lëvizjes PYKA. Kjo gjë solli deri tek ajo që shtatë persona të largohen nga PYKA. Me këtë rast dëshiroj të nënvizoj dy momente: e para është se me këtë BDI dëshmoi frikën e vet ekstreme nga çdo lloj lëvizje ose aksioni politik, por edhe atë se këtë herë nuk ka patur asnjë indikacion për kërcënim ose ushtrim dhune fizike ndaj atyre të cilëve iu është dashur tu bëjnë presion; moment ky shumë i rëndësishëm që mendoj se është arritje e madhe e PYKA, që në themelimin e saj. Kjo ka të bëjë me autoritetet e etabluara të themeluesve të lëvizjes, heteregjonitetin e tyre si dhe natyrën dhe funksionin e lëvizjes. Kjo e fundit mbetet një gjë që të vazhdojmë ta qartësojmë ende më shumë; sikur që është rasti në dy komunikatat e para që i kemi publikuar si PYKA. Moment tjetër i veçantë me rëndësi është edhe animi kundër lëvizjes që në fillim i një mediumi. Nuk di deri në fund se pse ky lloj njerëzish e bëjnë këtë gjë, por mendoj se e bëjnë në mënyrë të pavetëdijshme duke ndier se me çdo organizim të autoriteteve, atyre vet ju humbet ndikimi i tyre si aktor në formimin e opinionit të përgjithshëm; gjë kjo që atyre si përfaqësues të një opinioni sektar ju pengon vetvetiu.

Dobi tjetër për PYKA që vie nga sulmi që përjetoi nga BDI është pamundësia e përfoljes së PYKA si diçka në lidhje me BDI. Formë kjo të cilën shpesh e ka përdorur vet BDI për të neutralizuar aksione dhe iniciativa qytetare. Por edhe kanë ardhur si pasojë e asaj se duke qenë iniciativa të mirëfillta qytetare dhe legjitime ato vetvetiu i kanë penguar PDSH-së jolegjitime dhe ajo me sulmin që ka bërë atyre, i ka bërë ato që të mund të perceptohen si të afërta me BDI-në. Mendoj se PYKA suksesshëm e ka çarë edhe këtë pykë të percepcionit në publik, gjë që ka ndihmuar në neutralitetin e lëvizjes por edhe të perceptimit të vërtetë të saj si organizim dhe iniciativë qytetare.

Duke marrë parasysh gjitha këto mendoj se PYKA, me ato pak çka ka arritur të bëjë në këtë periudhë kohore, është e suksesshme dhe se sulmet kanë sjellë simpati afatgjate që mund të shndërrohet në përkrahje dhe kyçje direkte në te, të shumë njerëzve. Mendoj se i mjafton PYKA-s që të vazhdojë të sqarohet, të mos hyn në pykat që përgatiten nga qendrat politike ekzistuese dhe të bëjë punë dhe aksion të shpejtë, të shpeshtë dhe në kontinuitet. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button