Koshat e plehrave nuk pastrohen në kohë, NPK Tetova fajëson qytetarët që hedhin materiale ndërtimore

“Nuk shkohet në Bashkimin Evropian me mbeturina”, kjo është porosia e qytetarëve deri te autoritetet komunale, pasi që në redaksinë tonë kanë dërguar fotografi të koshave të plehrave, të cilat sipas tyre nuk janë pastruar me ditë të tëra, ndërkaq NPK Tetova bën apel deri te qytetarët që të mos t’i hedhin materialet ndërtimore në kosha të plehrave pasi që vështirëson pastrimin e të njëjtave, shkruan Portalb.mk.

Qyteti i Tetovës, vazhdon të ketë problem me çështjen e mbeturinave, qytetarët ankohen se nuk po pastrohen koshat e plehrave, ndërkaq Ndërmarrja Publike Komunale e Qytetit të Tetovës, fajson qytetarët se po hedhin materiale të rënda gjë e cila e pengon pastrimin.

“Organet kompetente arsyetohen që grumbulli i madh i bërllokut nëpër lagjet e Tetovës nuk do të mblidhet deri sa të përfundojë referendumi. Sipas tyre me këtë do të parandalojnë hedhjen e materialeve të dyshimta nëpër kosha nga agjentët rusë dhe pro-rusë! Prandaj keni durim edhe disa ditë, deri sa të kalojë referendumi. Pas referendumit, nëse duhet do të ndihmojnë edhe ushtarët e NATO-s që t’i pastrojnë këta mini-deponi në Tetovën tonë evropiane“, thotë me ironi, Ngadhënjim Memeti, qytetar i Tetovës.

Edhe qytetari tjetër, Jusuf Ademi thotë se pastrimi i mbeturinave nuk është duke u bërë në kohë, sipas tij qëndrimi i një kohe të gjatë të mbeturinave pa pastruar grumbullon edhe qen endacak në lagje duke rrezikuar edhe jetën e fëmijëve të tyre që janë duke shkuar në shkollë.

“Është turp për ne, pretendojmë të futemi në BE, ndërsa nuk mund të dalim nga shtëpia nga bërlloku dhe qentë endacak që mblidhen pas mbeturinave. Në këtë mënyre rrezikojmë edhe fëmijët që shkojnë në shkollë”, thotë Jusuf Ademi.

Portalb.mk, ka kontaktuar me NPK Tetova, por ata thonë se hedhja e materialeve të renda në kosha të plehrave pamundëson pastrimin e të njëjtës në kohë.

“Në koshat për plehra shpesh mund të shihen edhe materiale të rënda, si mobilie dhe çimento, pastrimi i të njëjtave duhet të behët me ekskavatorë gjë që na vështirëson punën. Pastrimi me ekskavator do më shumë kohë dhe për atë bëjmë apel te qytetarët që të jenë të kujdesshëm në hedhjen e mbeturinave”, thonë nga NPK Tetova për Portalb.mk.

LEXO: “Tetova evropiane” e papastër, Ceka: I fotografojnë koshat e plehrave pak para se t’i mbledhim mbeturinat (FOTO)

Tetova assesi të “lirohet” nga mbeturinat, edhe pika për ngarkim-shkarkim shndërrohet në deponi të egër (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button