REFERENDUMI

Pa mëdyshje do të votoj “pro” në referendumin e 30 shtatorit, sepse përherë kam ëndërruar që të jemi pjesë e Europës jo vetëm si territor, por edhe si mendësi; sepse, përgjatë gjithë jetës, i kam afirmuar vlerat europiane; sepse jam formuar me perlat që na i fali gjeniu i Europës; sepse ky ka qenë ideali i mendjendriturve të kombit; sepse besoj në vlerën e pakufishme të njeriut; sepse e adhuroj botën ku mbrohet dinjiteti i njeriut, liria e fjalës dhe mendimi i lirë; sepse e konceptoj politikën si paqe ndërmjet njeriut dhe shoqërisë; sepse nuk dua të kemi njerëz të pafajshëm nëpër burgje; sepse nuk dua të jetoj në ambient frike, hipokrizie e dëshpërimi.

Kundërshtarët e këtyre idealeve ecin në drejtimin e kundërt të historisë, ashtu sikurse edhe një president që nuk dua t’ia përmend emrin.

Afrimi me NATO – n dhe BE – në është shpëtim për shqiptarët si popull i vogël dhe specifik në Ballkan. Kjo është e vërteta, kurse të tjerat janë teoritizime të kota.

Ata që kanë mëdyshje duhet t’u mjaftojë angazhimi i burrështetasve më të rëndësishëm euro – amerikanë për një referendum të suksesshëm në Maqedoni.

Votuesit, në këtë referendum, nuk votojnë për partitë politike. Ata votojnë për një të ardhme europiane. Tërthorazi votojnë kundër elitave të korruptuara politike, që nuk i njohin vlerat europiane dhe më së paku e duan integrimin europian. Nuk mund të jesh i korruptuar dhe pro europian.

Politikanët tanë i gënjejnë qytetarët kur u thonë se pas referendumit do vijnë ndihma nga Europa. Qytetarët nuk kanë nevojë për ndihma, por për punë. Nuk na duhen lypsarë dhe njerëz që presin mëshirë, por qytetarë që bëjnë jetë të dinjitetshme dhe jetojnë me punën e tyre. Nga Europa nuk do vijnë ndihma, por, me kalimin e kohës, do t’u pamundësohet hajnave kombëtarë që ta vjedhin pronën publike…

Fushatën për referendum e bëjnë edhe politikanët që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat europiane. Ata i nxjerrin në skenë edhe intelektualët e tyre partiakë, intelektualët pa intelekt. Vetëm  shikoni se si ata u përkulen politikanëve! Ç’neveri! I thonë vetes artistë dhe u përkulen princave. Kujto Marcialin: “Princi, princ mbi vete nuk do”…

Vetëm vota klienteliste nuk mjafton për një referendum të suksesshëm. Duhet edhe vota e qytetarëve që nuk mendojnë dhe nuk veprojnë sipas skemave të partive politike. Mjerisht, një pjesë e madhe e votuesve jetojnë jashtë shtetit. Kanë ikur nga atdheu i egër. Më saktë: atdheu i egër dhe i marrë ka ikur prej tyre.

Edhe shoqëria e fjetur civile ka dështuar në këtë moment delikat historik. Shumica e NGO – ve janë satelitë partish politike. Shpesh rruga deri te qeveria ka kaluar nëpër “shoqatat joqeveritare”, që kanë vepruar me direktiva partish politike, madje duke u bërë megafona të tyre. Si të tilla e kanë humbur ndikimin në shoqëri.

Nuk ndikohem prej tyre. Nuk më trazojnë refrenet e mërzitshme. Do të votoj për vlerat europiane që të jem në paqe me ndërgjegjen time. Do të votoj që tyxharët politikë mos kenë të ardhme politike. Nuk jam naiv që të besoj se kjo përpjekje do të jetë e lehtë dhe e shpejtë, por jam i bindur se sa më shumë afrohemi drejt BE – së aq më shumë politikanët e tanishëm afrohen drejt honit.

Mund të kemi dilema për mënyrën se si u arrit Marrëveshja për emrin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë; mund t’i kuptojmë shqetësimet dhe hamendësimet e shqiptarëve rreth referendumit, pas shumë mashtrimeve që u janë bërë dhe u bëhen për shkak të paaftësisë së autoriteteve politike shqiptare, tepër të papërgjegjshme dhe mediokre, por në këtë çast historik duhet ta përkrahim referendumin dhe të japim ndihmesën qytetare për hapjen e perspektivës europiane në këtë vend postkomunist, që ngulfatet nga mendësia dhe derivatet e komunizmit. Në të kundërtën edhe shumë kohë do të kemi politikanë të papërgjegjshëm, që nuk i duan vlerat europiane, që i njohin vetëm ligjet e xhunglës. Qytetërimi europian e çmon mendjen, gjeniun krijues dhe jo muskujt.

Qytetarët do të ishin humbës nëse largohen nga vlerat që mbrohen dhe afirmohen prej NATO-s dhe BE-së. Europa garanton dhe afirmon mbrojtjen dhe afirmimin e identiteteve partikulare dhe kolektive. Edhe historia na mëson se kemi vuajtur sa herë kemi qenë larg Europës.

Unë jam në taborin e atyre që e dëshirojnë, me gjithë shpirt, hapjen e perspektivës europiane, sepse e dua një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Kjo perspektivë do të hapet jo vetëm me këtë referendum. Për shqiptarët e Maqedonisë është më e rëndësishme periudha pas referendumit, kur priten ndryshimet kushtetuese. Nëse referendumi i suksesshëm varet nga qytetarët, ndryshimet kushtetuese varen nga politikanët. Nëse Maqedonia nuk do t’i zgjidh problemet e brendshme, asaj nuk do t’i ndihmojë as referendumi. Shtetet rrënohen kur gërryhen nga brenda.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. “Kjo është e vërteta, kurse të tjerat janë teoritizime të kota”. Jo i nderuar, ka edhe nje te vertete ndryshe per shume shqiptare – emri ndryshohet per t’i shpetuar joshqiptaret e ketij shteti, per shqiptaret shpetimi eshte bashkimi kombetar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button