GJUHA SHQIPE

Një nate vere, vonë, derisa i mbuluar me një plaf të trashë dhe i torturuar nga dhembjet që m’i shkaktonte lumbagoja e nga ethet përcjellëse, po shfletoja do letra të verdha me shënime të moçme, ja telefoni, ra. Nuk i kam qejf  telefonimet e natës, sepse shpesh ato ta sjellin lajmin e keq. Kësaj radhe kisha edhe një arsye që telefoni më pengoi edhe më shumë: isha zhytur në shënimet e harruara. Megjithatë, me ngut vrapova, e hap menjëherë ta marr vesh mos ka ndodhur ndonjë e papritur, sepse gjysma e familjes sonë, gjysma e miqve, gjysma e popullit janë jashtë vendit. Dhe, pa pritur fare kush ishte e vendos telefonin te veshi.

“Alo”, them.

“Hape televizorin”!… më thotë zëri nga ana tjetër e telit.

“Premtim, a je ti”? e pyes.

“Unë, unë jam… Hape në kanalin K”! insiston Premtimi ngutshëm dhe pa e thënë atë “mirëmbrëmën” e zakonshme.

E hapa. Debat. Në studio – ish kolegët e mi maqedonas, me të cilët kam punuar e kam bashkëpunuar gjatë kohë. Tema: “Barabarësia e gjuhës shqipe me maqedonishten”. Nga gojët e kolegëve rrjedh helm e vrer  kundër gjuhës shqipe.

Ishte përsëritje e politikës shoviniste shtetërore që rrjedh nga vitet 12/13 të shekullit të kaluar.

Pas emisionit e kërkova Premtimin:

“Premtim, Dezha vy është kjo! Përsëritje e stërpërsëritur. Çka kanë thënë zyrtarët serbë para njëqindvjetve, po e përsërisin këta, thashë, ani se nuk jam indiferent ndaj gjithë atij, jo mosdurimi, por gjithë asaj mërie që derdhej nga gojët e atyre të cilët s’më kanë lënë rehat duke kërkuar vazhdimisht që t’u përktheja një libër të tyre. Natën e mirë, Premtim”, i thashë dhe e mbylla telefonin.

Përsëri iu ktheva punës me shënimet e moçme të shkruara në gjuhën shqipe. Përsëri e thërrita Premtimin:

“Më fal, Premtim… Dëgjo: edhe pse gjuha shqipe është aq e butë, çdo fjalë e ka brenda vetes një qëndresë të pashpjegueshme, çdo rrëfim i saj mbahet guximshëm dhe me gjithë goditjet që i merr duket një zonjë e re, një zonjë e rëndë e cila ecën krenare përpara, pa u turbulluar nga gojët e këqija që e shajnë. Ajo shkëlqen, bën dritë, ndonjëherë është si vetëtima e cila ia jep dritës natën dhe e zbulon madhështinë e bjeshkës të cilën s’e shohim dot në dritë të ditës, herën tjetër është si ato rrezet e aparateve që depërtojnë thellë dhe i zbulojnë grimcat e atomit. Ajo i ka mundësitë e mëdha. Nga kjo gjuhë kanë lindur Kadareja, Zija Çela, Tekiu ynë, Ali Podrimja e shumë të tjerë.

Pa marrë parasysh neglizhencën e njerëzve që mbajnë poste shtetërore e që janë të thirrur ta mbrojnë gjuhën shqipe, por që s’bëjnë gjë prej gjëje, gjuha shqipe ka dëshmuar se është feniksi vetë. Ajo del edhe prej hirit dhe shkëlqen kur s’e pret. Ajo është sinonim i bukurisë, sinonim i qëndresës, sinonim i atdheut, sinonim i dashurisë, sinonim i nënës. Por është edhe zjarr. Kush kruhet me të, i djeg duart… Natën e mirë, Premtim”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button